Feçor Shehu (Hekal, 26 mars 1926 - 1983) ka qenë politikan gjatë regjimit komunist në Shqipëri, shërbeu si ministër dhe drejtor i Sigurimit i Shtetit.

Feçor Shehu
Ministër i Punëve të Brendshme
Në detyrë
26 prill, 1980 – 18 dhjetor, 1981
Paraprirë ngaKadri Hazbiu
Pasuar ngaHekuran Isai
Drejtues i Sigurimit të Shtetit
Në detyrë
15 maj, 1967 – 31 dhjetor, 1969
Paraprirë ngaRexhep Kolli
Pasuar ngaLelo Sinaj
Në detyrë
1 mars, 1974 – 15 janar, 1980
Paraprirë ngaMuço Saliu
Pasuar ngaKadri Gojashi
Të dhëna vetjake
U lind më26 mars, 1926
Hekali, Republika Shqiptare
Vdiq më1983
-
NënshtetësiaShqiptar
Punësiminëpunës

Biografia

Redakto

U lind në Hekal të Mallakastrës, i biri i Reshatit dhe i Merushes,[1] nip i Mehmet Shehut.???

Më 4 shkurt 1943 u përfshi në çetën "Plakë" të Mallakastrës, fillimisht si partizan i thjeshtë dhe më pas si skuadërkomandant. Më 3 prill u pranua në radhët e Partisë Komuniste. Në 9 maj 1945 - 20 mars 1946 qe komisar i batalionit të 3-tëbrigadën e 12-të. Më 1946 - 1947 duke qenë komisar grupi në regjimentin e 3-të të artilerisë, ka kryer shkollën e natës dhe ka marrë deftesën për kryerjen e shkollës unike në Gjirokastër. Po ashtu, në vitet 1947 - 1948 me shkollë nate ka mbaruar klasën e parë të LiceutKorçë. Në maj - shtator 1947 qe instruktor i agjitpropit Korçë në regjimentin e 3-të. Më 15 maj 1947 - 11 nëntor 1948 shef i Seksionit të Sigurimit në MMK. Pas kësaj, Shehu kaloi në ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në vitet 1948 - 1949 qe zëvendëskryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Gjirokastër. Më 1949 - 1951 shef i Seksionit të Sigurimit dhe më 1950 - 1951 kryetar i DPB në dibër. Më 1 mars 1951 deri më 11 mars 1952 student në Shkollën e Lartë të Sigurimit në Bashkimin Sovjetik. Më 1952 - 1955 qe kryetar i Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Korçë, 1955 - 1960 në Tiranë, 1960 - 1967 në Shkodër.

Më 15 maj 1967 deri më 31 dhjetor 1969 qe drejtor i Drejtorisë së Parë të Sigurimit në ministrinë e Punëve të Brendshme. Më 1970 e deri më 1980 është zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe njëherit nga 1 marsi i 1974 e deri më 15 janar 1980 për së dyti drejtor i Drejtorisë së Parë të Sigurimit. Më 1980 - 1982 u emërua ministër i Punëve të Brendshme. Me emërimin e Hekuran Isait ministër, në mes të janarit 1982, shkarkohet si ministër dhe caktohet zëvendës.

Arrestimi dhe vdekja

Redakto

Më 12 maj të po atij viti, Isai njoftonte repartin nr. 323 mbi shkarkimin nga detyra të Shehut, pasi ishte arrestuar më 22 mars 1982.

Pas marrjes i pandehur në shtator të 1983, ekzekutohet i dënuar me vdekje për "tradhti të lartë ndaj atdheut" së bashku me Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin dhe Llambi Ziçishtin. Ekzekutim ky që ishte tipik me shumë skenarë për të cilët kishte kontribuar vetë Shehu.[2]

Trashëgimia historike

Redakto

Shehu është një nga figurat më kontroverse të regjimit komunist. Gjatë detyrave të tij të ndryshme që lidheshin me Sigurimin, Shehu akuzohet për krime kundër kundërshtarëve politikë, si urdhërues i dhunës, torturave dhe vrasjeve të të dënuarve politikë në burgje apo kampet e internimit, si dhe raste të abuzimit seksual.

Pjesa më e madhe e denoncimeve për ngacmime seksuale vijnë nga dëshmitare femra gjatë hetuesisë së zhvilluar pas arrestimit të Shehut. Sipas dëshmive të vitit 1983, një ish-atlete nga Shkodra me iniciale P. Th. rrëfen se Feçor Shehu pasi e ka takuar në një konferencë sportive, e ka ftuar në zyrë dhe aty e ka puthur me forcë. Ajo shkon më tej duke akuzuar Shehun për përndjekje që vazhdoi gjatë, madje Feçori urdhëroi arrestimin e bashkëshortit të saj. Një tjetër dëshmitar, po nga Shkodra, ish-vartës i Feçor Shehut kur ishte kryetar i Degës së Brendshme aty, tregonte se e kishte parë në krevat me të bijën e të zotit të shtëpisë në zonën e Malësisë së Madhe, kur ishin ftuar prej tij për të darkuar.Në vijim të dëshmive për abuzime me femrat, ish-ministri i Brendshëm akuzohet se ka përdorur mekanizmin e arrestimit për të shtënë në dorë vajza të ndryshme. [3] Dëshmive i shtohet dhe rrëfimi në demokraci i Rukie Ramës, ish e burgosur politike.[4]

Data 22 gusht 1974, ora 2 pas mesnate, ku me urdhrin e tij [Shehut] më morën e më dërguan në një dhomë në krahë të qelisë. Aty ishte ish-operativi i zonës dhe Feçori. Sa u futa unë, doli Kadri Ismailati dhe dy punonjësit e qelisë që më shoqëruan. Feçori më urdhëroi të hiqja kapësen e flokëve dhe e hoqa. Sakaq, ai u ngrit nga vendi i eksituar si një qen i tërbuar dhe u lëshua mbi mua. Nuk e di ku i gjeta forcat dhe ia hoqa krahët gjithë urrejtje. Tjetri që rrinte në këmbë, kur e pa se përpjekja e shefit nuk pati sukses, u mundua të ftohë gjakrat. [4]

Referime

Redakto
  1. ^ Boriçi, Kujtim (8 dhjetor 2012). "Dosja e plotë e gjyqit ndaj Kadri Hazbiut, Shehut, Ziçishtit, Kodrës dhe Peçinit: dokumenti "tepër sekret" nga Arkiva". Dita (37): 14–15. Arkivuar nga origjinali më 28 tetor 2019. Marrë më 24 prill 2018.
  2. ^ Dervishi, Kastriot (2012). Sigurimi i Shtetit 1944 - 1991: Historia e policisë politike të regjimit komunist. Tiranë: 55. fq. 150–151. ISBN 978-99943-56-09-6.
  3. ^ ""Feçor Shehu abuzoi seksualisht me atleten"". 2023-12-14. Arkivuar nga origjinali më 2023-12-14. Marrë më 2023-12-14.
  4. ^ a b "Rukie Rama: Feçor Shehu erdhi në qeli dhe tentoi të më përdhunonte". www.balkanweb.com. Arkivuar nga origjinali më 2023-12-14. Marrë më 2023-12-14.