Koçi Xoxe (Negovan, 1 maj 1911 - Tiranë, 11 qershor 1949) ishte teneqexhi, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, Ministër i Brendshëm gjatë periudhës prill, 1946nëntor, 1948. U dënua me vdekje nën akuzën e të qenët agjent jugosllav. Xoxe përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1]

Koçi Xoxe
Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes të Popullit
Në detyrë
10-14 dhjetor, 1944 – prill, 1946
Paraprirë ngaThemelimi i organeve të Drejtorisë
Pasuar ngaNesti Kerenxhi
Zëvendëskryeministër
Në detyrë
22 mars, 1946 – 1 tetor, 1948
Paraprirë ngaMyslim Peza
Pasuar ngaMehmet Shehu
Ministër i Punëve të Brendshme
Në detyrë
22 mars, 1946 – 30 tetor, 1948
Paraprirë ngaHaxhi Lleshi
Pasuar ngaNesti Kerenxhi
Ministër i Industrisë
Në detyrë
2 tetor – 30 tetor, 1948
Paraprirë ngaTuk Jakova
Pasuar ngaGogo Nushi, (min. i Tregtisë, ad interim i Industrisë)
Të dhëna vetjake
U lind më4 Janar 1918
Negovan, Perandoria Osmane
Vdiq më11 Qershor 1949
Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë
NënshtetësiaShqiptar
Punësimipolitikan, ushtarak

Lindi në vitin 1911 në Negovankazasë së Follorinës[2] i biri i Dhimitrit dhe Vasillos,[3] por familja e tij u vendos në Korçë. Duke kaluar një fëmijëri të varfër, Xoxe ushtroi zanatin e teneqexhiut me babanë e tij. Formimi i tij lidhej me mbarimin e 5 klasëve fillore.

Më 1937 ishte një ndër të zgjedhurit në Kuvendin e Bashkisë së Korçës.[nevojitet citimi] Si element komunist u internua në fund të 1938.

Në vitet 1941-1943 burgoset nga regjimi fashist[2], por ia doli të arratiset nga burgu i Tiranës përmes një tuneli[4].

Është themelues dhe kryetar i parë i grupit komunist të Korçës dhe pjesëtar i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, anëtar i Byrosë Politike dhe K.Q. të saj që nga krijimi. Duke qenë një ndër elementët kryesorë PKSH-së, zgjidhet në mungesë sekretar organizativ i PKSH-së në mars 1943 dhe më 10 korrik anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Në kongresin komunist të Përmetit ai u gradua gjeneral-leitnant dhe u caktua zëvendëspresident i KANÇ-it.

Pas lufte, filloi të dukej figura e dytë pas Enver Hoxhës, duke marrë poste të rëndësishme u dëshmua si bashkëpunëtor i ngushtë i tij. U caktua kryetar i Gjyqit Special në mars-prill 1945. Në dhjetor të 1944 e deri në mars 1946 ishte drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, organizmit që në imitim të OZN-së, mori përsipër shtypjen e egër të kundërshtarëve të regjimit. Pasohet nga zëvendësi i tij dhe i besuari i tij, Nesti Kerenxhi.

Në vitet 1946-1948 ishte deputet i Korçës. Më 1946-'48 zv/kryeministër, ministër i Punëve të Brendshme, kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit dhe zëvendëspresident i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në tetor të 1948, pasi u shkarkua nga posti i Ministrit të Brendshëm, u emërua Ministër i Industrisë. Më 28 nëntor 1948, ai arrestohet me akuzën si agjent i jugosllavëve dhe zhvishet nga të gjitha ofiqet e funksionet që kishte. Gjykata e dënoi me vdekje, vendim që u ekzekutua më 11 qershor 1949.

Historiani dhe arkivisti Kastriot Dervishi e komenton: komunist i devotshëm që i qëndroi besnik Hoxhës pa menduar se do të ishte një prej viktimave të tij. Xoxe u shqua për ashpërsinë ndaj kundërshtarëve politikë dhe shndërrimin e Sigurimit në një armë të profilizuar kriminale, sektare, krahinore, madje deri diku edhe fetare[2].

I akuzuar në gjyqin e tij për politika lokaliste ngaqë e gjithë organigrama pas tij ishte e mbushur me korçarë dhe nga krahinat përreth Korçës[5], në mbrojtjen e tij Xoxe përcjell se ra në pozita lokaliste nga njohjet, megjithatë kjo gjë çoi në përmendjen e grupit të tij si grupi i korçarëve[2].

Referime

Redakto
  1. ^ "Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, E papublikuar/ Arkivi i Shtetit, 260 emrat që "rrëfyen" ekzekutimet në ushtrinë partizane". Gazeta Standard. 29 nëntor 2014. Marrë më 22 maj 2018.{{cite news}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ a b c d Dervishi K., Sigurimi i Shtetit 1944-1991: Historia e policisë politike të regjimit komunist, Tiranë: Shtëpia Botuese "55", 2012, fq. 142.
  3. ^ Boriçi, Kujtim (27 maj 2013). "Kryegjyqtari Frederik Nosi: Ja fajësia e Koçi Xoxes dhe 4 të pandehurve si agjentë të jugosllavëve, gazetadita.al, 27 maj 2013". Dita. Arkivuar nga origjinali më 20 janar 2021. Marrë më 15 mars 2021.
  4. ^ Benanti F., Lufta më e gjatë, përktheu Luan Malaj, Tiranë: Naimi, 2012. fq. 22. ISBN 978-9928-109-29-3
  5. ^ Boriçi K., Dëshmia e Koçi Xoxes: Mehmet Shehut i hapëm dosje në Sigurim në vitin 1946 dhe e survejonim, Dita, 20 prill 2013.