Fan Noli

Politikan shqiptar
(Përcjellë nga Fan Nolit)

Theofan Stilian Noli (İbriktepe, Vilajeti i Edrenesë, 6 janar 1882 - 13 mars 1965, ShBA), i njohur si Fan Noli, ka qenë dramaturg, klerik ortodhoks, politikan, diplomat,[1] njeri i letrave dhe muzikant.

Fan Stilian Noli
Kryeminstër i Shqipërise
Në detyrë
16 qershor, 1924 – 23 dhjetor, 1924
Paraprirë ngaIljaz bej Vrioni
Pasuar ngaAhmet Zogu
Ministër i Punëve të Jashtme
Në detyrë
24 dhjetor, 1921 – 11 shtator, 1922
Paraprirë ngaXhaferr bej Vila
Pasuar ngaPandeli Evangjeli
Të dhëna vetjake
U lind më6 janar, 1882
Ibriktepe, Perandoria Osmane, sot Turqia
Vdiq më13 mars, 1965
Florida, SHBA
NënshtetësiaShqiptare
ArsimimiHarvard, Universiteti Boston
PunësimiPrift, politikan, diplomat, përkthyes

Si njeri i letrave, Noli ka shkruar dhe ka përkthyer tekste të shumëllojshme nga zhanre të ndryshme, si dhe ka kontribuar në publicistikën e kohës si drejtues, redaktor dhe shkrues nëpër disa të përkohshmeve. Nisi duke përkthyer dramaturgji, më pas përktheu Samiun, tekste fetare ortodokse dhe vepra madhore të letërsisë botërore nga Shekspiri, Khajami dhe Cervantesi.

Biografia

Redakto

U lind më 6 janar 1882 me emrin Theofanes Stylianos Mavromatisfshatin shqipfolës[2] İbriktepe, në Trakinë Lindore, asokohe vilajeti i Edrenesë. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe traditat e të parëve. Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës.[3]

I ati, Stilian Gjergj Noli, ishte psallt në kishën ortodokse të fshatit; e ëma, Marie Gollaqi, ishte shtëpiake. Theofani ishte i dyti ndër trembëdhjetë fëmijë, shtatë prej të cilëve vdiqën në foshnjëri. Familja rronte me tokat që kishte në pronësi. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë.[4] Nga i ati trashëgoi dashurinë për muzikën kishtare si dhe për adhurimin e heronjve, veçanërisht kultin e Napoleonit.[5] Në fshatin e lindjes kreu shkollimin fillor greqisht për gjashtë vjet, më tej prindët e dërguan në gjimnazin grek të Edrenesë, ku qëndroi katër vjet.[4]

1900 vendosi të shkonte në Greqi, por në Stamboll u sëmur, qendroi atje për t'u kuruar e pastaj punoi për ca kohë në një ëmbëltore. Vitin tjetër u nis për në Athinë dhe të njohurit e tij i gjetën vend si nëpunës në një shoqëri belge, e cila kishte konçensionin e tramvajeve me kuaj në qytet. U regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në kryeqytetin grek. Më tej, meqë kishte prirje për aktor, punoi si kopist, sufler e aktor me një trupë teatri me të cilën u end nëpër Greqi për gati dy vjet.[6] Gjatë endjeve me trupën shkroi dramën To ksipnima ("Zgjimi"), e cila u luajt nga trupa në PirgosPeloponezit. Atë periudhë nisi të shkruante skeletin e dramës Israelitë dhe filistinë. Në fillim të 1903 shkoi në Egjipt, ku gjeti punë si mësues lëvizës greqishteje dhe po atë vit përktheu në greqisht traktatin e Sami Frashërit, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet. Po atje filloi të bjerë në kontakt me veprimtarët e Rilindjes Kombëtare në koloninë shqiptare të Egjiptit, ndër të cilët Thanas Tashko dhe Jani Vruho e ndihmuan të botohej përkthimi; gjithashtu e lidhën me Spiro Dinen, Nikolla Naçon, Shahin Kolonjën e Kristo Luarasin.[7] Qëndroi në Shibin el Kom dhe El Faiyum, përpos mësimit të greqishtes qe edhe këngëtar i koreve kishtare. Me Tashkon dhe Vruhon gatiti botimin e së përkohshmes "Shkopi", që botohej në Kairo.[5]

Pas tre vjetësh qëndrimi në Egjipt, në prill 1906 u nis për në Shtetet e Bashkuara, duke kaluar nga Napoli, dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj.[8] Pasi ndenji në Buffalo, ku punoi në një fabrikë të sharrës për tre muaj,[9] Noli shkoi në Boston. Në gushtin e po atij viti gjeti punë në Filadelfia,[9] por e la pasi Sotir Peci i ofroi të bëhej zv/redaktor i së përkohshmes “Kombi”.[10]

Incidenti i Hadsonit

Redakto

Në Boston disa shqiptarë ishin pjesë e Kishës Ortodokse Greke, e cila i kundërvihej me forcë çështjes kombëtare shqiptare. Kur një prift ortodoks refuzoi t'ia kryente shërbesat e fundme të ndjerit Kristaq Dishnica, Noli me një grup shqiptarësh patriotë krijuan Kishën e pavarur (Autoqefale) Ortodokse Shqiptare.[11] Noli, prifti i parë i kishës së re, u shugurua prift më 8 mars 1908 nga kryepeshkopi Platon Rozhdestvensky i Kishës Ruse në Shtetet e Bashkuara, në kushte jo fort të qarta.[8][12][13]

Më pas, po atë vit u regjistrua në Universitetin e Harvardit, duke e përfunduar më 1912 Bachelor of Arts.[12] Zuri vendin e Pecit si redaktor i "Kombit", detyrë që e kreu deri në janar të 1909. Një muaj më vonë, nisi të botojë e drejtojë fletoren “Dielli”,[14] zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 udhëtoi drejt Evropës, ku ndenji katër muaj duke vizituar dhe mbajtur shërbesa fetare e takime patriotike ndër kolonitë shqiptare të Kishinjovit, Odesës, Bukureshtit e Sofies. Pas shkrirjes së shoqatave të shqiptarëve të Amerikës, "Dielli" u bë organi i shtypit i shoqërisë panshqiptare Vatra, bashkëthemelues i të cilës qe edhe Noli me Konicën.

Në pragun e Luftës Ballkanike, Noli shprehej me luajalizëm kundrejt perandorisë që të mund të bënte qëndresë kundrejt armiqve.[15] Me shpalljen e pavarësisë e përkrahu qeverinë e Ismail Qemalit, mori pjesë në Kongresin e Triestes, organizuar nga Konica në marsin e 1913. Më 10 mars 1914 u ndodh në Durrës, ku e gjeti Lufta e Parë Botërore; më 24 maj 1915 u kthye në Amerikë.[16]

Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli drejtoi organin The Adriatic Review (Revista e Adriatikut) gjashtë muajt e parë të saj, të cilën e botonte si shtojcë "Dielli" i Vatrës.[17]

Më 24 mars 1918 u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919 u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920.

Jeta Parlamentare

Redakto

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 - 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare.

Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 u zgjodh deputet i Korçës.[18]

Lëvizja e qershorit

Redakto

Gjatë Lëvizjes së qershorit 1924 Noli nuk ishte për përmbysjen me forcë që ndodhi; ai u vendos në krye të saj vetëm si kërkesë e krahut të të rinjve, që shihnin tek ai një njeri me formim perëndimor e amerikan. Qeveria ligjshme e rikthyer me "Fitoren e Legalitetit" më 24 dhjetor, e dënoi Nolin me vdekje në mungesë. Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare. Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”. Ardhja e një delegacioni sovjetik me në krye Arkady Krakovetsky shqetësoi kancelaritë perëndimore deri në atë pikë, sa të mbështesnin ardhjen e Zogut me anë të 106-112 oficerëve të ish-Ushtrisë Perandorake Ruse. Sipas Këlcyrësmemuaristikën e tij, vërente se lidhjet me Bashkimin Sovjetik ishin munduar ngaherë t’i sendërtonin, por ishte pikërisht kjo lëvizje që duhej të soste.

Mërgimi i pakthim

Redakto

Pasi zbarkuan në Bari me ftesë të Duçes, u zhvendos në Vjenë ku selia e Kominternit e ndihmoi për të organizuar Konarenë. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të tetorit, dhe më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara. Me kthimin e tij në Boston, Noli themeloi të përjavshmen “Republika”, vetë emri i së cilës i bënte sfidë të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 u vetëshpall Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve. “Republika” u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”, tashmë nën drejtimin e Faik Konicës, i cili ishte pajtuar me mbretin Zog dhe ishte bërë ministër i plotfuqishëm i Shqipërisë në Uashington. Me mbarimin e afatit të vizës, gjashtë muaj më vonë, Noli u detyrua të kthehet në Evropë dhe “Republika” mbeti nën drejtimin e Anastas Tashkos, deri sa u mbyll më 1932. Më 1932, me ndihmën e pasuesve të tij, mundi të kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara, ku fitoi edhe lejen për qëndrim të përhershëm. Noli u tërhoq nga jeta politike dhe nga ky moment iu kushtua përsëri detyrave si drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në dhjetor 1933 u sëmur rëndë dhe nuk ishte në gjendje t’i përballonte shpenzimet e trajtimit mjekësor për të cilin kishte aq shumë nevojë, deri sa mori si dhuratë 3000 franga ari nga Shqipëria, me ndërhyrjen e Faik Konicës tek Ahmet Zogu. Ky gjest arriti pikërisht qëllimin për të cilin ishte nisur: një farë pajtimi midis Nolit dhe Zogut, si dhe një përmirësim të marrëdhënieve shpesh të acaruara të Nolit me Faik Konicën. Në vitin 1935 Noli iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme – muzikës – dhe në moshën pesëdhjetetrevjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, ku u diplomua më 1938.[19]

Dielli 11 gusht 1943: "Lufta në Shqipëri nukë pushoj kur shkelnë italianët Shqipërinë të Premten e Zezë. Populli shqiptar nukë dha armët atë ditë të zezë; i fsheu a i hodhi mi sup dhe mori malet.“ Po në këtë datë njoftohen emrat e komandantëve antifashistë: "Kapiten Hysni Lepenica, Myslim Peza, Dr. Safet Butka, Kolonel Bajraktari, Baba Mustafa, Kristo Peshtani dhe Karagjozi etj."[20]

Noli nuk u mjaftua vetëm me detyrat kishtare dhe filloi studimet pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Skënderbeun. Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Noli pati marrëdhënie pak a shumë të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet për ta bindur qeverinë amerikane që ta njihte atë.

 
Peshkop Noli në Kishën Worcester, afër BostonitMassachussets, ShBA

Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. U varros në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.[19] Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë.

Vepra e parë e Nolit qe drama me tre-akte Israilitë dhe Filistinë, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë qe shkruar qysh më 1902, bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër. Duke ndjerë nevojën e besimtarëve për të mbajtur meshë në shqip, përkthen ritualet dhe liturgjinë ortodokse në dy vëllime Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe, Boston 1909, dhe Libre é te krémtevé te medha te kishes ortodokse, Boston 1911. Përkthime që ai i çmonte si arritjet më të mëdha të tij. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë "Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468", Boston. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve '20. Më 1947 botoi përpunimin që i bëri George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), New York 1947; që do i shërbente si temë diplome në Universitetin e Bostonit. Tjetër vepër e tij në anglisht “Bethoveni dhe Revolucioni francez” (Beethoven and the French revolution) në 117 faqe, e botuar në New York 1947, pasqyronte figurat e mëdha të historisë (Jul Çezari, Jezusi, Skënderbeu dhe Napoleon Bonaparte). Vëllimi me vjersha Albumi u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.

Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet ndë përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë. Afria që kishte me gjuhët e huaja, greqishten, anglishten dhe frëngjishten e aftësoi ta bënte shqipen në një gjuhë të stërholluar dhe elegante,[19] ndonëse folklorike.[2]

Përkthime

Redakto

Noli përktheu mjaft autor amerikanë dhe europianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.

Literatura

Redakto

Vepra muzikore:

Redakto
  • Uvertura me motive Bizantine
  • Muzike për Gjergj Kastriot-Skënderbeun

Referime

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 13 shkurt 2009 tek Archive-It - Republika e Shqipërisë KUVENDI. Tiranë 2005
  2. ^ a b Vlora, Eqrem bej (2003) [1963]. Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 515. ISBN 99927-780-6-7.
  3. ^ Shqiptarët erdhën këtyre anëve gjatë Perandorisë Bizantine. Sipas Nolit Ibrik-Tepe ishte një vendqëndrim ushtarak i Perandorisë, e zgjedhur prej afrisë me Kostandinopojën. Shumë shqiptarë udhëtuan andej për t’u bërë ushtarë dhe ngelën aty me rënien e Kostandinopojës më 1453. Fan S. Noli. Autobiografia (Prishtina, 1968) f. 3
  4. ^ a b Bala, Vehbi (1972). Jeta e Fan S. Nolit. Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Politik. fq. 15–19. OCLC 30964481.
  5. ^ a b Kaleshi, Hasan (1979). "Noli, Fan Stylian". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). 3: 334–338.
  6. ^ Bala 1972, pp. 21-26.
  7. ^ Bala 1972, pp. 29-34.
  8. ^ a b Skendi, Stavro (1967). The Albanian national awakening (në anglisht). Princeton: Princeton University Press. fq. 160, 162. ISBN 9781400847761.
  9. ^ a b Bala 1972, pp. 41-42.
  10. ^ Elsie, Robert; Centre for Albanian Studies (2005). Albanian literature: a short history (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 109. ISBN 1-84511-031-5.
  11. ^ Biernat 2014, pp. 14–15.
  12. ^ a b Austin 2012, pp. 3–4.
  13. ^ Vickers 2011, p. 61.
  14. ^ Bala 1972, p. 50.
  15. ^ Bala 1972, p. 55.
  16. ^ Bala 1972, p. 63.
  17. ^ Bala 1972, pp. 64, 67.
  18. ^ Ligjvënësit shqiptarë Arkivuar 14 maj 2011 tek Wayback Machine, Tiranë 2005. (PDF-Format në shqip).
  19. ^ a b c Elsie, Robert (1997). Historia e Letërsisë Shqipe. Përkthyer nga Myftiu, Abdurrahim. Pejë: Dukagjini. fq. 186–191.
  20. ^ Dëshnica A., Fan S. Noli dhe komunizmi, gazetadielli.com, 30 dhjetor 2012

Literatura

Redakto