Safet Butka (1901 - 1943) ishte profesor, publicist dhe nacionalist shqiptar si veprimtar i Ballit Kombëtar.

Fotoporteti
Safet Butka
Emri Safet
Mbiemri Butka
Lindur më 10 gusht 1901
Lindur në Butka, Perandoria Osmane
Vdiq më 19 shtator 1943
Vdiq në Shqipëria Shkodër, Shqipëri
Kombësia Shqiptar
Profesioni Jurist, publicist
Balli Kombëtar humbi një udhëheqës të zotin dhe Shqipëria një nga patriotët e parë që binin viktimë e komunistëve.”[1]

Safet Butka u lind në Butkë, të Kolonjës, më 10 gusht, 1901. Ai ishte fëmija i pestë i Sali Butkës ndër shtatë tjerët, Qenamin, Iljazin, Ganiun, Muharremin, Xhaferrin dhe Naxhijen. Familja e tij rrjedh nga Familja Aliçko (Cokllarët), nga familjet autoktone të Frashërit.

Pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, ai shkoi për studime të mëtejshme në Linz, Austri, ku përfundoi shkollën e mesme. Gjatë qëndrimit të tij në Linz ai mori me vehte kushëririn e tij të, të riun Qemal Butka, një arkitekt i famshëm shqiptar, i cili më vonë do të bëhej kryetari i bashkisë së Tiranës. Pas shkollës së mesme, Safet Butka shkoi për të studiuar në Universitetin e Gracit, ku ai u diplomua me nderime në filozofi në vitin 1928.[2]

Gjatë qëndrimit të tij në Austri, ai ishte organizatori i shoqatës studentore "Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania" bashkë me Aleks Budën, Eqerem Çabejn, Krist Malokin, Lasgush Poradecin, kushuririn Qemalin, Skënder Luarasin, etj. Botoi një koleksion të poezisë së zgjedhur të Naim Frashërit ("Naim Frashëri, vjershëtori dhe edukatori kombëtar")dhe në vitin 1925 një studim mbi veprën e Naim Frashërit ("Naim Frashëri një shëmbull, një udhëheqës dhe një ideal për djalërinë shqiptare"). Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1928 dhe u emërua profesor në Liceun Francez të Korçës. Në vitin 1929 ai u martua me Hatixhe Lubonjën, me të cilin ai kishte 4 fëmijë, Saliu, Iljazi, Urani dhe Tefta.[2]

Nga 1928 në 1939 ai punoi si mësues dhe drejtor në shkolla të ndryshme të mesme në qytetet shqiptare të Korçës, në Instutin Tregtar të Vlorës dhe në Normalen e Gjirokastrës, ku shërbeu dhe si drejtor. Ai ishte edhe drejtori i Klubit të parë Shqiptar të Mesimdhënësve dhe ishte një nga profesorët e parë që zbatoi metodat perëndimore në procesin e mësimdhënies në vendin e tij. Si kryetar i shoqatës, ai ishte nismëtar një sërë aktivitetesh patriotike dhe kulturore, si: vendosjen e pllakës përkujtimore tek Rrapi i Mashkullores në kujtim të dëshmorëve të çetës së Çerçiz Topullit, realizoi memorialin e Koto Hoxhit dhe përkujtimin e figurave të tjera të shquara si: Hoxhë Tahsini, Bajo Topulli etj. Bashkëorganizator me min. e Arsimit Faik Shatkun, për kthimin e eshtrave të Naim Frashërit nga Turqia në Shqipëri. Në këtë kohë ai shkruajti artikuj në revista pedagogjike, sociale dhe filozofike. Botoi mjaft shkrime problemore në shtyp si: "Për të nesërmen shqiptare", "Për zhvillimin e gjuhës", "Mbi edukatën kombëtare", "Po shqiptarizmit dhe Perëndimit" etj.

Kulmin si edukator në shërbim të brezit të ri, ai e arriti gjatë kohës që punonte si drejtor i Gjimnazit të Tiranës, ku iu priu intelektualëve dhe studentëve në demostratave të para antifashiste në prag të pushtimit të vëndit, më 4 prill 1939 duke kërkuar armë[3] dhe si mësues i shqipes[4] në Gjimnazin e Shkodrës më 28 nëntor 1939 dhe 30 janar 1940. Për këto aktivitete ai u arrestua, i akuzuar si antifashist u arrestua më 2 shkurt[5] dhe u internua në ishullin e Ventotenes në Itali, nga autoritetet fashiste.

Në ishullin famëkeq do gjente intelektualë e patriotë si Zai Fundon, Muzafer Pipën, Abas Ermenjin, Isuf Luzajn dhe federalistët italianë Altiero Spinellin dhe Sandro Pertinin. Kërkesës për lirimin e tij Mëkambësia nuk i përgjigjej. Vetëm me 7 shkurt 1942 Kryesia e Këshillit të Ministrave në Tiranë njoftonte Komandën e Lartë të Karabinierisë që Safet Butka së bashku me bashkëatdhetarë të tij ishin liruar dhe u jepej porosia organeve kompetente për t’i lënë të lire kur të mbërrijnë në Shqipëri. Ndërsa Komanda e Lartë e Karabinierëve duke i njoftuar Komandat e grupeve të Karabinierisë së Shkodrës, Korçës dhe Tiranës, u kujtonte edhe referencat për veprimtarinë e mëparshme te tij.[6] U lirua shtator 1942 në Shqipëri, u vendos në Butkë ku kishte lënë familjen. Pasi vajti në Tiranë të konsultohej me Mid'hat bej Frashërin[2] doli në mal dhe u bë një udhëheqës i shquar i lëvizjes së Ballit Kombëtar në zonën e Korçës. Bërthama e çetës së tij ishte e përbërë nga 70 luftëtarë të kalitur dhe me shumë përvojë, dhe që në rast emergjence mund të zgjerohej në një mijë njerëz. Çeta e Safet Butkës i dha një ndihmë të vlefshme luftëtarëve të Vlorës dhe e mori nga depot ushtarake italiane në fshatrat Dardhë, Suli, Graçan, Progri, Pleshisht, dhe Verbinj gjithë prodhimin bujqësor (misri, duhani, leshi, etj) që kishin marrë italianët dhe ua ktheu pronarëve.

Forcat e tij sulmuan italianët në Vithkuq në mars të vitit 1943. Më 25 mars 1943, forcat e Butkës sulmuan dhe shkatërruan një brigadë tërë italiane në afërsi të Voskopojës. Kishte viktima të konsiderueshme në të dy anët, por vullnetarët dhe Çeta e Safet Butkës vrau numrin më të madh të ushtarëve italianë dhe pjesa tjetër u dorëzuan dhe u mor rob. Çeta e Butkës sulmoi qendrën e italianëve në Voskopojë, ku liroi të gjithë të burgosurit politikë, dhe mori nga depot ushtarake për në Ersekë, një sasi të rëndësishme të armëve dhe municioneve.

Butka ishte një nga themeluesit e Ballit Kombëtar. Edhe pse një nacionalist i flaktë, ai u përpoq në kohë të ndryshme për të bashkëpunuar me Frontin Nacional-Çlirimtar të drejtuar nga komunistët. Me 8 shkurt të vitit 1943 ai organizoi një takim me përfaqësues komunistë dhe me 19 mars 1943 u arrit një marrëveshje për bashkëpunim.[7] Ai gjithashtu bëri një marrëveshje tjetër lokale në gusht 1943 dhe ishte një nga nismëtarët dhe mbështetësit e Marrëveshjes së Mukje. Me 8 gusht nënshkruan një marrëveshje me majorin Billy McLean, dokumenti në shqip dhe frëngjisht[8] trajton për luftën e përbashkët kundër gjermanëve. Me 13 gusht aksioni në Bermash të Kolonjës u krye me sukses nga një çetë e Safet Butkës që i ishte dhënë David Smileyt, duke shkatërruar 4 autoblinda, një top dhe duke lënë 25 gjermanë të plagosur e të vrarë,[1][9] ndërsa çeta komuniste përpiqte t'i prishte punë ishte David Smiley që i dha një ultimatum.

Me 18 gusht 1943 misioni aleat i kërkon Safet Butkës takim në Shtyllë, sepse shtabi aleat do të largohej së shpejti nga rrethinat e Korçës dhe do te vendosej në Leskovik, brenda dy ditësh u mblodhën 700-800 luftëtarë për të bërë një stervitje nga oficerët anglezë, por u mor vesh se batalioni Hakmarrja kishte goditur nga mbrapa në Gostivisht forcat nacionaliste. Menjëherë Safeti i shkroi një letër majorit McLean që ta ndjente sepse nuk mund të takohej sepse të tjera obligime më të mëdha, dhe ngjarje të papritura kishin ndodhur, pra duhej të kthehej për të ndaluar luftën vëllavrasëse dhe gjakderdhjen.

Pas denoncimit të Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët shqiptarë, ai u revoltua. Ai kishte frikë një luftë civile midis shqiptarëve dhe kur u pyetej lidhur me këtë çështje, deklaronte “I pari dhe i fundit shqiptar që do të vras unë është vetja ime”.

Pas kapitullimit të Italisë, më 8 shtator 1943, në qytetin e Korçës u organizua një demonstratë masive paqësore, me anë të cilës kërkohej që ushtria italiane të bashkohej me forcat antifashiste kundër pushtuesit të ri gjerman. Në demonstratën e 9 shtatorit 1943 u hodhën parulla për bashkimin e popullit dhe u kënduan këngë atdhetare. Në këto rrethana komanda italiane nxjerr autoblindat që qëllojnë mbi demonstruesit me mitraloz duke shkaktuar 59 demonstrues të vrarë dhe 120 të plagosur.

Pas kesaj masakre trupat italiane filluan të tërhiqen në drejtim të Tiranës me 10 shtator 1943. Nga 9 deri në 13 shtator në Poçestë në rrugën Pogradec-Korçë, forcat e Safet Butkës, së bashku me forcat partizane të drejtuara nga Nexhip Vinçani sulmuan karvanin italian që ishte tërhequr nga qyteti i Korçës, duke bllokuar përparimin e tij për 5 ditë. Gjashtë ditë pas betejës së përbashkët të Pocestës, çeta e Safet Butkës u rrethua nga larg nga forcat komuniste të komanduara nga T. Kolaneci dhe N. Vinçani. Sekretari juridik i çetave të Safet Butkës, Xhevdet Kapshtica, shkruante: “Ishte më tepër se një rrethim, një grackë, një provokim për luftë vëllavrasëse midis shqiptarëve. Po viheshin në zbatim vendimet e Konferencës së Dytë të Labinotit, që i shpalli luftë të armatosur Ballit Kombëtar. Natyrisht, në teqenë e Melçanit ata nuk mund të sulmonin, për shkak të forcave të konsiderueshme që kishim, por edhe të pozicionit gjeografik të Teqesë, që është një kështjellë e lartë natyrore. Dy nga të qarkorit të BK të Korçës i thanë Safetit se kishte ardhur koha që t’u përgjigjeshim këtyre provokimeve, siç e meritonin. “Kjo nuk do të bëhet kurrë, sa të jem gjallë unë. Vetëm po të kalohet mbi trupin tim!”.[10]

Vrau veten më 19 shtator 1943 në teqenë e fshatit Melçan, duke i qendruar besnik fjalës së tij.

Burime

Redakto
  1. ^ a b Smiley D., Me detyrë në Shqipëri, Tiranë 1993
  2. ^ a b c Kaloçi D., Plaku që nderohej nga Zogu e Enveri, pasqyra.com - Viti VI - 10 Sshkurt 2004.
  3. ^ Ivanaj M., “Na, që shpëtimin e gjetëm në t’ikun”, AQSH, Fondi 836, dosja 17.
  4. ^ Dr. Bushati S., “Atëherë ç’prisni”, Tiranë, 21.10.2002
  5. ^ AQSH, F.235, D.31/5, v.1940.
  6. ^ AQSH. F. 249, V 1942, D.I/303, f. 77.
  7. ^ Prof. Dezhgiu M., Safet Butka, Luftëtar për mbrojtjen e idealit kombëtar, 28 maj 2008
  8. ^ AQSH, Fondi 270/AP, v.1943, D.40
  9. ^ AQSH f.270, d.64, v.1943
  10. ^ Kapshtica Xh., Pse e vrau veten Safet Butka, botuar te gazeta “Liria”.