Aleks Buda
Aleks Buda (Elbasan, 7 shtator 1910 – Tiranë, 7 korrik 1993) ka qenë historian dhe akademik përgjatë regjimit komunist në Shqipëri. Kur u kthye në Shqipëri nga studimet e papërfunduara në Austri, u përfshi në FNÇ, pas çlirimit u emërua drejtor i Bibliotekës Kombëtare, u zgjodh anëtar i parlamentit, anëtar i Institutit të Shkencave dhe më pas kryetar i Akademisë së Shkencave për të gjithë jetën. Ndonëse as nuk e përfundoi shkollimin, por as ishte i orientuar për studimet historike, Buda është rasti më i shquar i politikan-historianit shqiptar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si pasojë e punës së tij mbi etnogjenezën sipas syzeve marksist-leniniste.[1]
Aleks Buda | |
Emri | Aleks |
Mbiemri | Buda |
Lindur më | 1911 |
Lindur në | Elbasan |
Vdiq më | 1993 |
Vdiq në | Tiranë |
Kombësia | shqiptare |
Shtetësia | shqiptare |
Profesioni | hulumtimi |
Biografia
RedaktoAleksi u lind në Elbasan më 7 shtator 1910, i biri i farmacistit Dhimitraq Buda që mori pjesë në Kongresin e Manastirit, në atë të Elbasanit dhe ishte deputet në dy legjislatura në Kuvendin Kombëtar. I ati qe po ashtu ndër financuesit e Shkollës Normale të Elbasanit.
Mësimet e para Aleksi i nisi kur ishte 7 vjeç në shkollën fillore të qytetit të lindjes. Pa kryer klasën e dytë i vijoi studimet në Lecce të Italisë. Më 1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkon me studime në Austri. Atje plotësoi filloren dhe kreu më 1929 gjimnazin në Salzburg. Më tej ndoqi studimet në Universitetin e Vienës, në Institutin Ballkanistik (1930–1935) ku mori mësime nga profesorë të njohur, si Karl Patsch, Robert Reininger dhe Norbert Jokl. Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania të Vjenës, së bashku me Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Eqrem Çabejn, Krist Malokin, Qemal Butkën etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Dialëria” të kësaj shoqërie.
Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi, së pari, si arsimtar në Gjimnazin e Tiranës (që nga shtatori 1939), ndërsa më 1940 u transferua në Liceun e Korçës. Në fund të viti 1941 shkoi në Itali në Universitetin e Padovës pranë profesorit të njohur Karlo Taljavini për t’u kualifikuar në fushën e gjuhësisë së përgjithshme ballkanike dhe të shqipes, por pas një viti kthehet në atdhe, për shkak të luftës.
U lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe më 1944 zgjidhet nënkryetar i Këshillit ANÇl të qarkut të Elbasanit. Menjëherë pas Çlirimit të vendit punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare ku kishte vetem 15.000 vëllime. Atij i jepen në dorëzim librat e Mit’hat Frasherit. Bibloteka do të pasurohej, por kryesisht prej konfiskimit të biblotekave private të personaliteteve të kohës, ndaj në 1947 fondi i numëronte 100.000 vëllime (1945–1946). Ne 1946 u bë një nga organizatorët e Institutit të Shkencave, ku punoi si përgjegjës i seksionit të historisë, sociologjisë dhe ekonomisë. Aty ndihmoi në krijimin e sektorëve të arkeologjisë dhe të historisë së lashtë, të historisë së Mesjetës dhe të artit mesjetar, të historisë së kohës së re, të etnografisë etj. Së bashku me kolegët e sektorit të tij, bënë të mundur publikimin e studimeve e arritjeve në fushën e arkeologjisë e të etnografisë, që u ekspozuan në Muzeun arkeologjik-etnografik të përuruar më 1947. Fitoi përvojë si pedagog i historisë që në fillimet e Institutit pedagogjik dyvjeçar (1946); më 1955 u bë një nga organizatorët dhe studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, i sapokrijuar. Me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957, A. Buda do të ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet. Viti 1972 qe një vit i veçantë për jetën shkencore në Shqipëri, njëherazi edhe për Budën: U themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë të asamblesë (1973), të çelur nga akademiku Eqrem Çabej, Aleks Buda zgjidhet kryetar i Akademisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës, pasi u rizgjodh dy herë.
Buda vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, në Tiranë më 7 korrik 1993.
Vepra
RedaktoVeprimtaria kryesore e tij ishte studimi i historisë, veçanërisht në fushën e historisë mesjetare shqiptare dhe të Rilindjes Kombëtare. Ai është bashkautor dhe redaktor përgjegjës i tekstit të “Historisë së Shqipërisë. vëllimi I” dhe autor i disa studimeve për periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë, sidomos për atë të “Skënderbeut” për etnogjenezën e popullit shqiptar si dhe autor i shumë shkrimeve publicistike. Buda ka shkruar edhe hyrjen 18-faqesh të botimit të veprës së Marin Barletit, "Rrethimi i Shkodrës", e cila u përthye nga Henrik Lacaj dhe u botua në Tiranë në vitin 1962.
Buda është bashkautor i vëllimit të dytë të "Historia e Shqipërisë", botuar në vitin 1965. Në hartimin e Fjalorit enciklopedik shqiptar (1985), e para vepër enciklopedike shqiptare, ai dha ndihmesë të çmuar në konceptimin e udhëheqjen shkencore, ashtu edhe si kryeredaktor.
Nderime
RedaktoKa marrë një varg me tituj dhe dekorata: Mësues i Popullit, “Çmimin e Republikës të shkallës së parë”, “Urdhrin e Lirisë” të kl. I, etj., ndërsa Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar atë me “Medaljen e madhe të artë” (1990), medalja më e lartë që jep Austria për shtetasit e huaj. Këshilli i qarkut të Elbasanit e ka nderuar pas vdekjes (2002) me titullin “Qytetar Nderi”.[2] <
Referime
Redakto- ^ Bezha, Anastas (2021). "The Trajectory of the Albanian Historiography: Between the Austrian Albanologie (Volkskunde) and the Communist Albanologie (National-Stalinism/Etnographiya)". Mediterrán tanulmányok (në anglisht). 31: 133.
- ^ Haxhimihali Dh., Në nderim të Akademikut Aleks Buda - Me rastin e 100-vjetorit të lindjes, "Mësuesi", Botim i përdyjavshëm i MASH nr. 8 (2554) - tetor 2010