Teqeja e Melçanit
Teqeja e Melçanit është një ndër strukturat fetare më të rëndësishme dhe të vjetra në Shqipëri, e cila daton në mes të shekullit të XVII, konkretisht në vitin 1640. Gjendet në majën e një kodre në zonën perëndimore të kodrave në hyrje të qytetit të Korçës, rreth 2.5 km larg rrugës nacionale Pogradec-Korçë. [1]
Themeluesi i kësaj Teqeje ishte Hysen Ali Dede, një personalitet i rëndësishëm në historinë e kësaj zone. Teqeja e Melçanit është një nga 5 teqetë më të vjetra në vend dhe ndër Teqetë më të vjetra në krahinën e Korçës, e cila përmban të gjitha komponentët dhe parametrat për të cilat një strukturë fetare quhet e tillë.
Kjo Teqe ka pasur një rol të rëndësishëm në çështjet partiotike shqiptare. Ajo është përfaqësuar nga kleri i saj në Lidhjen e Prizrenit, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke dhënë një kontribut të shquar. Gjithashtu, gjatë kohës së lëvizjes për çlirim kombëtar, Teqeja e Melçanit është quajtur "Vatër e Shqiptarizmit" dhe "Monument i Lëvizjes Kombëtare" nga patriotët e asaj kohe.
Në vitin 2014, Teqenë e Melçanit, e lënë në harresë për një kohë të gjatë, hirësia e tij, Haxhi Baba Sadik Ibro, e rindërtoi atë në një Teqe madhështore, duke e kthyer atë në një model të llojit të saj dhe një krenari për të gjithë krahinën e Korçës, pa dallime fetare. Sot, kjo Teqe nuk është vetëm një qendër fetare, por është gjithashtu një pikë interesimi turistik për shumë vizitorë vendas dhe të huaj. [2] [3] [4]
Burimet
Redakto- ^ https://korca.rtsh.al/teqeja-e-melcanit-vendi-ku-gjen-qetesine-shpirterore-mrekullia-qe-pret-cdo-besimtar/
- ^ https://bashkiakorce.gov.al/site/article.php?aid=3510&t=G%C3%ABzuar-Dit%C3%ABn-e-Sulltan-Novruzit/
- ^ https://discoverkorca.al/listing/teqeja-e-melcanit/
- ^ https://pine.al/activity/objekte-kulti/teqeja-e-melcanit-korce/