Hoxhë Hasan Tahsini (Ninat, 7 prill 1811 - Stamboll, 3 korrik 1881) ka qenë astronom, matematikan e filozof shqiptar. Ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Tahsini mbahet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19.[1]

Hasan Tahsini
Hoxhë Hasan Tahsini
U lind në7 prill 1811
Vdiq3 korrik 1881
KombësiaShqiptar
ArsimiUniversiteti i Parisit
Profesionirektor, mësues
Karriera shkencore
FushatAstronomi, psikologji
InfluencedXhemaledin Afgani, Abdülhak Hâmid Tarhan

Biografia

Redakto

Jeta e hershme

Redakto

U lind në fshatin e Ninatit, në Sanxhakun e Janinës (sot pranë Konispolit, Shqipëri).[2] I ati, Osman efendi Rushiti ishte anëtar i ulemave,[3] kish shërbyer si kadi në vende të ndryshme të perandorisë. Kështu, kur ishte i vogël Tahsini ka marrë mësimet nga i ati, pastaj ndoqi medresenë në Stamboll.[4] Kur qe i ri ishte mësues privat i fëmijëve të Hajrullah Efendiut, Ministër i Arsimit i Perandorisë Osmane. Hajrullahu e emëroi më pas Tahsinin në shkollën osmane në Paris, ku Tahsini mësonte osmanishten dhe shkenca fetare duke qenë edhe imami i ambasadës osmane në kryeqytetin frëng dhe njëherit student i matematikës e shkencave natyrore në Universitetin e Parisit.[3] Tahsini qëndroi 12 vite në Paris, i dërguar nga Reshid Pasha që donte të perëndimizonte ulematë. Më 1869 u kthye në Perandorinë Osmane duke përcjellur xhenazen e Fuad Pashait që kish vdekur në Nicë.

Universiteti i Stambollit

Redakto

Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Qeveria e emëroi aty duke besuar se Tahsini do të barazpeshonte metodat dhe idetë e Evropës Perëndimore me botëkuptimin islam.[5] Por në atë kohë, kërkimi shkencor, qëndrimet liberale dhe marrëdhëniet e pandehura të Tahsinit me masonerinë provokuan sulme të rretheve konservatore të ulemave ndaj tij. Sulmet kundër Tahsinit nisën kur ai filloi të bënte eksperimente për t'u ilustruar nxënësve nocionin e vakumit. Gjë për të cilën u shpall heretik me një fetva, i pushuar nga universiteti dhe iu pamundësua që të jipte mësim. Universiteti mbylli për një periudhë sepse Xhemal al-Din Afgani, një tjetër profesor, mbështeste idetë e Tahsinit.[6]

Pas largimit nga puna, për shkak të titullit shkencor që kishte, shteti i caktoi një pension. Më vonë u vendos në një medrese të vogël të braktisur përballë Portës së Lartë dhe e përdori si vend banimi dhe mësimi, duke zhvilluar kurse private. Ndërkaq, vazhdoi të thellohej në studimin dhe leximin e veprave dhe të librave shkencorë të shumtë që kish mbledhur. Nuk u martua dhe nuk u mor në jetë me tjetër gjë përveç shkencës.[4]

Ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare nga sëmundja e mushkërive, u varros në varrezat e Erenkojit.[4]

Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi dhe i pari libër që përmbante fjalën psikologji.[7] Shkruaji gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht. Tjetër vepër e Tahsinit në gjuhën osmane është përkthimi i librit Loi Naturelle (shq. Ligji Natyror) i François de Chassebœuf.[3] Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe.[2] Sipas Tahsinit, alfabeti ishte hartuar me qëllimin që secila gërmë të shkruhej me sa më pak lëvizje të dorës.

Ka lënë disa përkthime të veprave shkencore për fizikën dhe shkencat filozofike, dhe disa poezi, "por askush nuk është kujdesuar për mbledhjen dhe botimin e tyre" shkruan Samiu.[4]

Trashëgimia

Redakto

Përveç themelimit dhe emërimit në krye të Universitetit të Stambollit, themeloi edhe “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar), institucion që u përdor edhe si “Dâr-ul Funùn” (politeknik). Tahsini punoi për alfabetin shqip duke pasë shpikur një alfabet të vetin, dhe punoi në Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare.[8]

Referime

Redakto
  1. ^ Tziovas, Demetres (2003). Greece and the Balkans: identities, perceptions and cultural encounters since the Enlightenment (në anglisht). Ashgate Publishing, Ltd. fq. 63. ISBN 0-7546-0998-7.
  2. ^ a b Gawrych, George (2006). The crescent and the eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874-1913 (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 184. ISBN 1-84511-287-3.
  3. ^ a b c Keddie, Nikki (1972). Scholars, saints, and Sufis: Muslim religious institutions in the Middle East since 1500 (në anglisht). University of California Press. fq. 39. ISBN 0-520-02027-8.
  4. ^ a b c d Frashëri, Sami (2002). Shqipëria dhe shqiptarët: Materiali nxjerrë nga "Diksionieri historik e gjeografik" [Kamûs-ül Â'lâm]. Përkthyer nga Bakiu, Zyber. Tiranë: Dajti 2000. fq. 264–266. ISBN 9789992772027.
  5. ^ İhsanoğlu, Ekmeleddin (prill 2004). Science, technology, and learning in the Ottoman Empire: Western influence, local institutions, and the transfer of knowledge (në anglisht). Ashgate/Variorum. fq. 44. ISBN 978-0-86078-924-6. Marrë më 9 prill 2011.
  6. ^ Mardin, Şerif (2000). The genesis of young Ottoman thought: a study in the modernization of Turkish political ideas (në anglisht). Syracuse University Press. fq. 223. ISBN 0-8156-2861-7.
  7. ^ Shouksmith, George (1990). Psychology in Asia and the Pacific: status reports on teaching and research in eleven countries (në anglisht). Unesco Principal Regional Office for Asia and the Pacific. fq. 10.
  8. ^ Elsie, Robert (1997) [1995]. "Histori e Letërsisë Shqiptare" (PDF). elsie.de. Tiranë & Pejë: Dukagjini.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)