Sotir Peci

politikan shqiptar
(Përcjellë nga Sotir Peçi)

Sotir Peci (Dardhë, 5 maj 1873 - Follorinë, 8 prill 1932) ishte botues, publicist, nëpunës dhe ministër shqiptar. Hartoi dhe botoi një gramatikë të gjuhës shqipe, e cila qarkulloi në vitet 1901-1912. Sipas një artikulli shkruar nga i biri, Gaqo Peci, më 1974, kishte nisur hartimin e një fjalori me mbi 24 mijë fjalë.[1]

Sotir Peci
Ministër i Arsimit
Në detyrë
30 janar – 14 nëntor, 1920
Paraprirë ngaLuigj Gurakuqi
Pasuar ngaKristo Floqi
Në detyrë
11 korrik – 16 tetor, 1921
Paraprirë ngaK. Floqi
Pasuar ngaHilë Mosi
Regjent
Në detyrë
25 dhjetor, 1921 – 31 janar, 1925
Paraprirë ngaMihal Turtulli
Pasuar ngashpallja e Republikës Presidenciale
Të dhëna vetjake
U lind më5 maj, 1873
Dardhë, Perandoria Osmane
Vdiq më9 prill, 1932
Follorinë, Greqi
NënshtetësiaShqiptar
Bashkëshortja/etAntigonea
FëmijëtJanko, Gaqo (Korçë, 1920), Koço dhe Luiza
Punësimimësues, botues, nëpunës

Biografia

Redakto

U lind në Dardhë i biri i Jovanit dhe Merenxës, i ati ishte tregtar i kamur i qerestesë Jovanit, e ëma ishte fëmija i vetëm i Jovan Themeliut, dardhar të zhvendosur në Mesolongji. Gjyshi i tij nga e ëma, Jovani dhe i vëllai Athanasi, qenë pjesëmarrës aktivë në kryengritjen e Limbozit kundër Perandorisë Osmane më 1854. Për kontributin e tyre mbreti Otho u fali një çiflig në Gavrolimni. Themeliu ia la trashëgim të vetmit trashëgimtar, Sotirit, i cili pa mbushur vitin ngeli jetim nga e ëma dhe pas dy vitesh i vdiq i ati, kësodore duke u rritur nga i ungji, Kostë Peci. Shkollimin fillor e mori në fshat, ndërsa atë qytetësin në Korçë.[2]

Sotiri i fejuar me Elektrën, të bijën e avokatit Kristo Mile, shkoi 17 vjeç për t'u shkolluar në Athinë. Duke qenë se përftimi i trashëgimisë në Gavrolimni dukej gjithnjë e më i pagjasë, fejesa u prish.[2]

Dërgohet në Athinë 17 vjeç për studime të larta në Fakultetin e Matematikës dhe Shkencave Natyrore, përpiqet me shqiptarët dhe barbaçët e atjeshëm në përhapjen e gjuhës shqipe në kuadrin e shoqërive greke.[3] Pasi u diplomua në Athinë, shtatorin e 1905 Pecin ia mban drejt Shteteve të Bashkuara, ku vendosi të qëndronte te kolonia e Bostonit.[4]

Bashkëfshatarët e tij themeluan të parën shoqëri me bazë fshati, të cilën e quajtën "Vëllazëria mirëbrëse dardhare", në mesin e së cilës Peci nisi t'u fliste për nevojën për një gazetë dhe shtypshkronjë. Dhe dora-dorës më 6 qershor 1906 u botua numri i parë i të përjavshmes "Kombi"[4] në shtypshkronjën që blenë shoqata dardhare në Boston.[5] Fillimisht Peci i kryente të gjitha detyrat, nga drejtori, redaktori, korrektori, tipogafi dhe palosësi. Por më pas u angazhuan tre vetë, Peci, Noli dhe Eftimi Naci.[4] Më 6 janar 1907[6] qe iniciator për formimin e shoqërisë “Besa-Besë” me F. Nolin e K. Tromarën, dhe në St. Louis «Lidhja Orthodokse» që dhanë shumë për ndezjen e shqiptarizmit ndër shqiptarët e Amerikës[7]. Përcolli mikun e tij Noli kur u shugurua prift më 8 mars 1908[8].

Me shpalljen e Hyrrijetit në atdhe, kolonitë shqiptare të Amerikes u mblodhën më 13 shtator 1908, në "Phoenix Hall” të Bostonit, ku vendosën që Sotiri të dërgohej si përfaqësues i tyre në Kongresin e Manastirit. U nis më 30 shtator dhe në fillim të tetorit qe në Bukuresht kur edhe kolonia e atjeshme i jep tagër Sotirit t'i përfaqësojë. Më 1908 është në Athinë, ku grekërit i propozuan t’ia jepnin çifligun me vlerë 30.000 napolona flori, me kusht që të hiqte dorë nga lufta kombëtare, por Sotiri e refuzoi me përbuzje propozimin e tyre.

Sotir Peci kthehet në Korçë, me vendimin për t'u bërë mësues në shkollën qytetëse. Mori pjesë në hapjen e shkollës normaleElbasanit ku u caktua mësues për shkencat e natyrës e matematikë.[5] Në vitet 1911-1912 u bë drejtori i Mësonjëtores të Korçës, pas Shpalljes së Pavarësisë do i vyente shumë Gurakuqit si këshilltar kur ky i fundit ishte min. i Arsimit në qeverinë Qemali. Më 1915 do të zgjidhet anëtar i Komitetit të Fshehtë në Shkodër, burgoset në Mal të Zi nga trupat malaziase deri kur lirohet prej ushtrive austro-hungare që liruan qytetin veriak. Më 1916 nga Administrata Shqiptare e formuar nën ushtritë austro-hungare u caktua si anëtar i KLSH dhe drejtor arsimi në Shkodër. Deri në këtë kohë kishte botuar edhe disa tekste mësimore si "Abetarja" e Ndue Palucës, "Gramatika" e Xhuvanit.

Me formimin e qeverisë Përmeti emërohet në shkurt të 1919 drejtor të arsimit në Tiranë dhe pas dy muajve u emërua këshilltar i përkohshëm i Ministrisë së Arsimit. Më vonë me bindjen se duhej mbajtur një kongres thjesht kombëtar u bë nënkryetar i Kongresit të Lushnjes, prej ku doli qeveria Delvina ku ai qe Ministër Arsimi[9].

Pas zgjedhjeve të mbajtura më 5 prill 1921 u zgjodhdeputet i pref. së Korçës[10] dhe ndër themeluesit e Partisë Popullore[9]. Nga fundi i 1921 zuri vendin e dr. Mihal Turtullit që kishte liruar vendin e përfaqësisë së ortodoksëve shqiptarë në Këshillin e Naltë të Regjencës - post për të cilin pat për mëkëmbës Nolin mbasi Peci ishte jashtë shteti pas 2 korrikut 1924[11]. Gjatë mërgimit qëndron i palëkundur prej parimeve dhe formon partinë "Bashkimi Kombëtar".

Pas pesë vjetëve mërgim në Itali u fal nga amnistia e dytë e Zogut dhe pranoi pashaportën e re shqiptare.[5] Megjithatë nuk u kthye në Shqipëri dhe i shkoi vitet e fundit të jetës së tij në Athinë, por para se të ndërronte jetë më 9 prill të vitit 1932 u zhvendos në Follorinë, trupi u suall në Korçë ku u varros të nesërmen sipas amanetit të tij nga familja - e shoqja, Antigonia nga Zografët, dhe të bijtë, Janko, Gaqo dhe Koçua. E bija, Luiza, u martua me Lekë Gjinin

Referime

Redakto
  1. ^ Osmani, Tomor (22 nëntor 2012). "I përgjigjet dhespotit grek: Sotir Peci botoi një gramatikë shqip". Standard.
  2. ^ a b Peci, Gaqo S. (2002). Ideali dhe forca: jeta dhe veprimtaria e Sotir Pecit. Tiranë: sh.b. Vatra. fq. 15–17. ISBN 9992781106.
  3. ^ Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 111. ISBN 978-9994356225.
  4. ^ a b c Peci 2002, pp. 25-27
  5. ^ a b c Asllani, Uran (7 qershor 2009). "Në qindvjetorin e atdhetarit Sotir Peci". Standard (1267): 18–19.
  6. ^ Alibali A., Faik Konica më 1911-1912 Vitet e Harvardit dhe të “Vatrës”, Gazeta shqiptare ("Milosao", suplement). - Nr. 5142, 19 dhjetor, 2010, f. II - V.
  7. ^ Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942), Neraida, 2000
  8. ^ Noli F., Fiftieth Anniversary of the Albanian Orthodox Church in America 1908-1958., Albanian Orthodox Church in America, 1960.
  9. ^ a b Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: "55", 2012. fq. 111. ISBN 978-99943-56-22-5
  10. ^ Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 14 maj 2011 tek Wayback Machine - Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005 fq. 15-17.
  11. ^ Sipas sitit archontology.org, krerët e Shtetit Shqiptar 1918-1925.