Gjergj Fishta
Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 - Shkodër, 30 dhjetor 1940) ka qenë frat françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes dhe po ashtu kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë Përmeti në Konferencën e Versajës, zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921 si dhe përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar ndër disa konferenca ballkanike gjatë viteve '30. Pas pushtimit italian u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë, që e priti ngrohtësisht ardhjen e "Perandorisë Romake" në Shqipëri në veprën e fundit të jetës së tij, shkrime të cilat më pas u përdorën nga regjimi fashist për qëllime propagandistike.
Gjergj Fishta FJO, TtF | |
---|---|
U lind në | |
Vdiq | Gabim: Nevojitet datë e vlefshme vdekjeje (data e parë): data, muaji, viti |
Kombësia | Shqiptar |
Arsimi | Teologji katolike |
Profesioni | |
Nënshkrimi | |
Pas dekadës së dytë të shekullit 20, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet.[1] Për një gjysmëshekull, ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje sa ishte gjallë u kurorëzua "poet kombëtar". Për kontributet e tij u nderua me urdhëra nderimi dhe dekorata nga autoritetet osmane, austro-hungarezët, grekët, kleri katolik dhe italianët. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e tij u ndalua dhe qëndroi e tillë deri kur ra diktatura komuniste.[2]
Biografia
RedaktoFëmijëria dhe studimet
RedaktoU lind më 23 tetor 1871 në Fishtë të Zadrimës, me emrin e pagëzimit Zef, i biri Ndokë Simon Ndocit dhe Prendes së Lazër Kaçit nga Kotrri,[3] më i vogli i tre vëllezërve dhe një motre. Famullitari i Troshanit që përkujdesej edhe për Fishtën, Marian Pizzochini nga Palmanova, ua kërkoi prindërve ta bënin frat dhe ata ia dhanë. Me shpenzimet e famullitarit, Zefi shkoi në shkollën françeskane në Shkodër deri më 1880, kur nisi veprimtarinë Kolegji i Troshanit.[4]
Në 1886, vetë i gjashti dhjak u nis për në Bosnie nga Urdhri Françeskan.[4] Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut, ku sipas sharteve të urdhrit ndërroi emrin në Gjergj. I rrethuar nga një mjedis ku kultivohej edhe nacionalizmi kroat, ku njihej edhe nacionalizmi serb e malazez, prej ku dhe mori shkas për të frymëtuar nacionalizmin në veriun shqiptar.[5] Në kontakt me françeskanin boshnjak Grga Martić (1822-1905) dhe lirikun kroat Silvije Strahimir Kranjčević (1865-1908), ai u ndikua nga vargjet e tyre dhe të Kačić, Mažuranić dhe Njegoshit.[6]
Në vitin 1893 kreu me lavd këndimet në Bosnie dhe vetë i gjashti u kthye në vendlindje, ku u bë meshtar më 25 shkurt 1894 duke çuar meshën e parë në kishën e Troshanit.[4]
Meshtar dhe mësues në Troshan
RedaktoPasi u kthye nga Bosnia, punoi për disa vite mësues në Kolegjin e Troshanit. Të dielave mbulonte me shërbim meshtarak kishëne Zojës Nunciatë në Lezhë, ku shërbeu si famullitar (1896-1897).
Në 1899 u caktua famullitar i përkohshëm në Gomsiqe, nën juridiksionin kishtar të Abatit. Në 1899 qe ndër anëtarët themelues të shoqërisë "Bashkimi". Në 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i shkollës françeskane.[7] Porsa mori drejtimin e shkollës, ndërroi gjuhën e mësimdhënies nga italishtja në gjuhën shqipe. Me mbarështimin e tij, iu shtuan edhe klasët që atëkohë quheshin qytetnore. Duke qenë në periudhën osmane ndoshta e vetmja shkollë kombëtare në Shkodër, duke u nderuar më pas edhe nga Xhonturqit ngaqë ishte pa ndikime të huaja si shkollë.
Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Në nëntor 1908 Fishta si përfaqësues i shoqërisë Bashkimi mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u ujdisën për alfabetin.[8][9] Me kryengritjen e Mbishkodrës në 1911, Arqipeshkvi Serreqi i dërguar nga autoritetet osmane, mori me vete Fishtën dhe Bumçin në Podgoricë për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve.[4]
Komisioni ndërkombëtar dhe politika
RedaktoMe administrimin ndërkombëtar të Shkodrës, drejtoi të përkohshmen "Hylli i Dritës", por u mbyll pas një viti prej autoriteteve prej artikujve thumbues të vetë Fishtës.[4] Për shkak të qëndrimeve të tij, autoritetet lëshuan urdhrin që të syrgjynosej në Maltë, gjë për të cilën u strehua ndër famullitë e krahinës dhe kleri i lartë ndërhyri që t'i pezullohej urdhri i mërgimit.[10] Me pushtim-administrimin austro-hungarez pas 1916, botoi fletoren "Posta e Shqypniës".[4] Po atë vit çoi shtypshkronjën në Shkodër, e cila do të marrë emnin "Shtypshkroja Françeskane": françeskanët që deri atëherë botonin tek shtypshkronjën “Nikaj” tashmë nisën të botonin vetë.
Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim u zgjodh anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti u zgjodh nënkryetar i Parlamentit. Kur iu desht ta linte, propozoi Marlaskajn si zëvendësues. Në tetor së bashku sivëllaun Dodajn, shkuan në Romë për të takuar Kryetarin e Urdhnit dhe u pritën nga Papa Benedikti XV, ku morën ndihma për hapjen e shkollës publike "Illyricum".[11]
Në fillim të vitit 1922 u nis në Mbretërinë e Bashkuar, në shkurt, 1922 nga Liverpuli, pas 12 ditëve mbërrin në Amerikë. Takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge i Partisë Republikane, për njohjen diplomatike Shqipërisë së pavarur.[12] Fishta mbështeti Lëvizjen e qershorit, por me rikthimin e legjitimitetit nga forcat e Ahmet Zogut, shkoi dhe qëndroi në arrati deri në vitin 1926, kur pati një dekret të veçantë për amnistim.[13]
Gjatë gjysmës së parë të viteve '30 ka qenë përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar nëpër konferencat parapërgatitore të Kuvendit Ballkanik më 1934 (Athinë, 1930; Sofia, 1931; Bukuresht, 1932).[14] Prej 1935 deri më 1938 shërbeu ministër provincial i Françeskanëve në Shqipëri.[15][16] Më 1937 u tërhoq nga jeta publike, duke iu përkushtuar jetës rregulltare dhe krijimtarisë së vet që e lëvronte në kuvendin e urdhërit përbrinjë Kishës së Gjuhadolit.[14] Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë.[17] Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Vatikan.
Nga fundi i vitit 1940 shkoi në Troshan, ku kishte nisë së pari jetën rregulltare dhe atë letrare. Sëmuret më 10 dhjetor ku iu gjendën pranë miku i vet Doda dhe sekretari Volaj. Më 14 dhjetor e sollën në Shkodër, ku u shtrua në spital për një sëmundje zemre dhe polmoni. Më 22 dhjetor ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Më 27 dhjetor, mjekët humbasin shpresat dhe Fishta ra në kllapi.[18]
Më 30 dhjetor 1940 ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës.
Zhvarrosja
RedaktoNë valën e Revolucionit Kulturor, më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist u zhvarrosën nga Kisha e Gjuhadolit. Sipas një dëshmie, eshtrat e tij me të sivëllezërve të tjerë u hodhën pas tri ditëve në lumin Drin.[19] Por dëshmi të tjera përcjellin se eshtrat u shpëtuan, u ruajtën dhe u varrosën tinëz sërishmi në varrezat e Rrëmajit në Shkodër.[nevojitet citimi] U rivarros më 1996.[20]
Vepra
RedaktoNë fushën e letrave Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike e satirike, dramën, publicistikën dhe përkthimin.[1] Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folklorike dhe duke përfshirë metrikën folklorike.[21]
Fillimisht u shqua në anonimat në sajë të dy këngëve të Lahutën e Malciis (Zarë, 1905 dhe 1907), i ndikuar nga poezia epike e sllavëve të jugut, si dhe nga vargjet e Grga Martić dhe poeti kombëtar malazez Njegoš.[16][6] Me ritmin e poezive popullore, herë-herë i përngjasonin kumteve homerike, duke evokuar përplasjet e deriatëhershme osmano-malazeze ku aktorët shqiptarë nëpër vargjet e tij ishin malësorët (Marash Uci, 1905) dhe shkodranët (Oso Kuka, 1907) përpunohej ideja e armiqësisë kundër sllavëve. Sentimentet antiturke në veprën e tij do t'i shkruante vetëm në këngët që botoi pas pavarësisë së vendit.[22] I financuar nga qeveria austro-hungareze,[23] më 1907 botoi në Sarajevë në mënyrë anonime përmbledhjen me poezi satirike Anxat e Parnasit (rib. Anzat e Parnasit), duke hedhur kështu themelet e zhanrit të satirës në letërsinë shqipe.[24]
Ka dëshmi shkrimore që ka lënë pas piktura dhe po ashtu qe arkitekti i njërës prej kishave të Shkodrës.[25] Ka botuar 9 tekste dramatike.[26]
Përshtati veprën Le Furberier Escarpet të Molierit në pjesëzën Dredhitë e Patukut, e pabotuar, dorëshkrimi i së cilës gjendet në Bibliotekën Françeskane në Shkodër.[27]
Censura
RedaktoSi me Skiroin, Konicën me autorë të tjerë të rinj, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, Fishta u shpall "armik i popullit" dhe si autor u ndalua sepse kryevepra e tij Lahuta e Malcís është antisllave. Ndër akuzat e tjera që i bëheshin postum qenë edhe pranimi i medaljes së dhënë nga sulltani, të qenët agjent i austro-hungarezëve kur botonte Posta e Shqypnís si dhe për mosrefuziminin e titullit akademik i Akademisë së Shkencave të Italisë fashiste pasi kjo pushtoi Shqipërinë. Për Arshi Pipën, arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohej fishtofobia e partisë, është sepse ishte gegë dhe prift katolik.[28]
Nderime
RedaktoPas propozimit të valiut Hasan Riza Pasha, sulltani i kishte akorduar Fishtës dekoratën e klasit II "Maarif Nishani" për merita të veçanta në fushën e arsimit. Më 28 janar 1912, Klubi "Gjuha Shqype" në pallatin ipeshkvnor në praninë e Imzot Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen "Ritterkreuz" (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (1913), Piu XI "Medaglia di Benemerenza" (1925), Urdhëri françeskan e dekoroi "Lector Jubilatus" (1929), Greqia me dekoratën "Phoenix" (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të akademisë së saj më 1939.
Me rastin e 130-vjetorit të ditëlindjes së tij, Këshilli i Bashkisë së Lezhës e bëri "Qytetar Nderi". Në këtë mbledhje përkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti që t'i bëhet një propozim Presidencës që t'i akordojë poetit të madh titullin e lartë "Nderi i Kombit" për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar. Kjo dëshirë u realizua nga presidenti Alfred Moisiu më 28 nëntor 2002.
Letërkëmbimet e Fishtës me Musolinin dhe Jakomonin
RedaktoNjihen dy letra që Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndier se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Musolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë as Urdhri Françeskan dhe as Provinca e Fishtës. Dhe, të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province.
Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja qëndron në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me Lahutën e Malcís, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri etj.
Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, më datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë udhëheqësit, Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane, anëtar i së cilës u bë edhe Gjergj Fishta në 1939, i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me nismën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë.
Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl.
Tituj të veprave
Redakto- Anzat e Parnasit, satirë, Sarajevë 1907;[29]
- Pika voese, më vonë ribotuar si Vallja e Parrizit, Zarë 1909;
- Shqyptari i gjytetnuem, melodramë, 1911;[29]
- Shqyptarja e gjytetnueme, melodramë;
- Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t, 1912;[29]
- Juda Makabé, tragjedi, 1914;
- Gomari i Babatasit, Shkodër 1923;
- Mrizi i Zânavet, Shkodër 1924;[29]
- Sh. Luigji Gonzaga, Shkodër 1927;
- Lahuta e Malcís, botimi i plotë, 1937;
- Jerina ase mbretnesha e luleve, Shkodër, 1941.
Shiko gjithashtu
RedaktoReferime
Redakto- ^ a b Plasari, Aurel (1999). "Fishta meditans". Fishta: Estetikë dhe Kritikë. Tiranë: Hylli i Dritës & Shtëpia e Librit. fq. 11. ISBN 9992764600.
- ^ Hamiti 2013, p. 13.
- ^ Kurti, Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare (në latinisht). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 123. ISBN 99927-789-1-1.
Georgius (P) Josephus Fishta, f. Antonii et Venerandae Kaçi, n. Fishtae, d. Sappatensis 23 Oct. 1871 [...].
- ^ a b c d e f Bardhi, Pashko (2010). "A. Gjergj Fishta - me rasen e 25 Vjetorit të Meshtarís së Tij". përmbledhur nga Dema, Benedikt (red.). Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 21–28. ISBN 9789995697037.
- ^ Clayer 2012, fq. 368.
- ^ a b Clayer 2012, fq. 477.
- ^ Skendi 1967, pp. 129–130.
- ^ Skendi 1967, pp. 370–373.
- ^ Gawrych 2006, pp. 165–166.
- ^ Dodaj, Pal (2010) [1941]. "A. Gjergj Fishta O.F.M. në korrispondencë me nji sivllá të perzemert". përmbledhur nga Dema, Benedikt (red.). Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940 (bot. 2). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 76–108. ISBN 978-99956-97-03-7.
- ^ Sirdani, Marin (2010). "Jeta e vepra fetare e At Fishtës". përmbledhur nga Dema, Benedikt (red.). Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940. fq. 29–45.
- ^ Dodaj, Pal (2010). "A. Gjergj Fishta deputat në parlament e udhtimi i tij per Amerikë". Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940. fq. 119–127.
- ^ Bello, Hasan (2019). Shqipëria, Kisha katolike dhe Vatikani (nga fundi i shek. XIX - 1939). Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë. fq. 135. ISBN 9789928261984.
- ^ a b Elsie 2005, fq. 119.; Elsie 2010, fq. 138.; Ersoy etj. 2010, fq. 225.; Elsie 2013, fq. 142.
- ^ Elsie 2005, fq. 119.; Elsie 2010, fq. 138.; Elsie 2013, fq. 142.
- ^ a b Haebler, Claus (1974). "Fishta, Gjergj". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). München. fq. 516–518.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - ^ Pearson 2004, fq. 484.; Elsie 2005, fq. 119.; Elsie 2010, fq. 138.; Elsie 2013, fq. 142.
- ^ Quku, Mentor (26 dhjetor 2010). Peçi, Admirina (red.). "Maska e vdekjes e Atë Gjergj Fishtës". Gazeta Shqiptare (5149): II–IV.
- ^ Jubica, Irhan (5 gusht 2007). "Një varr për të vërtetën e eshtrave të Fishtës". Gazeta shqiptare, suplementi "Milosao". 3949: 2–5.
- ^ Hamiti 2009, p. 16
- ^ Pipa, Arshi (2013) [1978]. Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore]. Tiranë: Princi. fq. 85. ISBN 9789928409096.
- ^ Clayer 2012, fq. 477-478.
- ^ Clayer 2012, fq. 377.
- ^ Elsie 1997, fq. 207.
- ^ Kabashi L., A. Gj. Fishta ndër arte, botuar tek Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940, përgatitur B. Demës, Shkodër: Botime Françeskane, 2010, fq. 61-69. ISBN 978-99956-97-03-7
- ^ Hamiti 2009, p. 24
- ^ Demaj, Vitor (2009). "Zbulohet dorëshkrimi i rrallë i At Gjergj Fishtës". Intervistuar nga Admirina Peçi. Marrë më 29 dhjetor 2021.
{{cite news}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Pipa, Arshi (2010). Politika e Gjuhës në Shqipërinë Socialiste. Princi. fq. 65–67. ISBN 9789995673246.
- ^ a b c d Gjovalin shkurtaj dhe Enver Hysa: Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut
Libërshkrimi
Redakto- Clayer, Nathalie (2012) [2007]. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përkthyer nga Artan Puto (bot. 2). Tiranë: Botime "Përpjekja". ISBN 9789994302536.
- Elsie, Robert (1997) [1995]. Histori e letërsisë shqiptare [History of Albanian Literature]. Përkthyer nga Myftiu, Abdurrahim. Pejë: Dukagjini. fq. 136–138.
- Elsie, Robert (2005). Albanian literature: A short history (në anglisht). London; New York: IB Tauris. ISBN 1845110315.
- Elsie, Robert (2010). Historical dictionary of Albania (në anglisht) (bot. 2). Lanham: Scarecrow Press. ISBN 9780810861886.
- Elsie, Robert (2013). A biographical dictionary of Albanian history (në anglisht). London; New York: Tauris. ISBN 978-1-78076-431-3.
- "The highland lute". Modernism: Representations of National Culture: Discourses of Collective Identity in Central and Southeast Europe 1770-1945: Texts and Commentaries (në anglisht). Central European University Press. 3 (2). 2010. ISBN 9789637326646.
- Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913 (në anglisht). London: IB Tauris. ISBN 9781845112875.
- Hamiti, Sabri (2013). Letërsia moderne shqipe. Tiranë: UET press. ISBN 9789995639457.
- Pearson, Owen (2004). Albania and King Zog: Independence, republic and monarchy 1908–1939 (në anglisht). London; New York: Centre for Albanian Studies. ISBN 1845110137.
- Skendi, Stavro (1967). The Albanian national awakening (në anglisht). Princeton: Princeton University Press. ISBN 9781400847761.
Wikiquote ka thënie në lidhje me: Gjergj Fishta |