Ambroz Marlaskaj
Ambroz Marlaskaj, i lindur Llesh Marlaskaj (Kushnen, 19 nëntor[1] 1884 - Romë, 14 qershor 1939[2]) ishte frat françeskan, publicist, mësues, tekstolog, jurist dhe deputet i Kuvendit Kushtetues.
Jeta
RedaktoLeu në Kushnen te Mirditës, në një familje të përmendur për mjeshtërinë të punimit të kumbonëve, i biri i Ejëllit dhe i Mrisë. Mësimet e para dhe kryen rishtarinë në Kuvendin Françeskan të Rubikut duke e nisur vitin e provës më dt. 10 tetor 1900, mësimet bazë të teologjisë i bëri gjegjësisht në Gjuhadol dhe Troshan. Nga eprorët u nis më pas në Perandorinë Austro-Hungareze për të përfunduar studimet në teologji e filozofi, kreu këndimet më 1907. Më 26 dhjetor të 1907 merr emrin Ambroz dhe merr gradën e priftërisë.
Më 6 shtator 1909 emrohet sekretar i Provincës Françeskane në Shkodër, mbas një viti dha dorëheqjen për t'u zëvendësuar nga P. Zef Gici OFM.[1] Qe kryetar i një grupi pune për shqyrtimin e teksteve shkollore të hartuara nga Gaspër Beltoja dhe Gaspër Mikeli, në të cilin bënin pjesë fretnit françeskanë Marin Sirdani, Justin Rrota dhe Gjergj Fishta më 1910.
Gjatë viteve 1913-1914 Marlaskaj do të shkojë në Vjenë dhe Pragë, gjithnjë me detyra fetare dhe më 1915 do të kthehet përsëri në Shkodër. Caktohet anëtar më 1916 në Komisinë Letrare në krah të Pekmezit, Gurakuqit, Gjeçovit, etj; ne fillim me funksionin sekretar, por shpejt i zëvendësuar nga Luigj Naraçi.[2] Me 1916 caktohet Drejtor i Kolegjit Françeskan të bartur në Troshan nga mungesa e nozullimeve më 24 dhjetor 1918. Zbatoi me perpikmëri programin e shkollave të Austrisë dhe për ndihmë të profesorëve e të nxënësave nxori prej Ministrie të gjithë librat e përshtatshëm së bashku me metodat, i ndihmuar prej profesorëve tjerë për t'i përkthyer tekstet shkollore në dobi të nxënësave. Me hapjen e liceut "Illyricum" iu bë ndihmës Fishtës, duke qenë se ky i mbrami qe drejtor i të gjitha shkollave françeskane. Krijoi "Lidhjen e Mësuesavet" që kishte për qëllim lartimin pedagogjik të mësuesit dhe mbrojtjen e të drejtave të tij. Diskutohej në vitet 1922-'23, me propozimin e Imzot Mjedës të bashkoheshin gjimnazet e françeskanëve dhe të jezuitëve në një gjimnaz të vetëm katolik me program të përbashkët. Marlaskaj u emërua me Rrotën në komisionin e caktuar, nga paria e provincës.[1]
Merr pjesë në grupimin "Ora e Maleve" të themeluar në pranverën e 1923.[3] Me zgjedhjet e mbajtura më dt. 27 dhjetor 1923 del deputet i prefekturës së Shkodrës nga 21 janari gjer më 2 qershor 1924[4] duke zëvendësuar kësodore P. Fishtën si përfaqësues i klerit. Pas Lëvizjes së qershorit 1924, me daljen e qeverisë Noli nuk u bënë zgjedhje. Kur u mblodhen ne Vlorë për Lëvizjen e qershorit, e ftuan edhe Marlaskajn me firmosë, por nuk pranoi dhe shtoi "na nuk kena mandat prej popullit për kyt".
Me të ashtuquajturin "Triumfi i Legalitetit" më dt. 24 dhjetor 1924 zë e fshihet ndër katundet e Zadrimës, ku më pas i veshur si katundar largohet jashtë vendit. Nëndrejtor i gjimnazit bëhet ndërkohë Harapi. Me amnistinë e shpallur më 1926 kthehet në Shqipëri sëbashku me provincialin e asokohshëm Pal Dodajn.
Më 1934 Universiteti Pontifik Antonjan i Françeskanëve në Romë i kërkoi Provincialiatit të Shqipërisë t'i dërgonin për të mbajtur katedrën dogmatike. Në dhjetor të 1934 viziton Shqipërinë dhe në letërkëmbimin e tij thekson hapjen e ritit latin në Shqipërinë e Jugut.[5] I laureuar në Universitetin Gregorian të Romës e mbajti atë katedër gjer në vdekjen që e gjeti gjatë një operacioni apendisiti. Gjikam do të shkruante te "Hylli i Dritës" artikullin nekrologjik Pater Ambrozi më 1939.[6]
Mësuesi, deputeti dhe publicisti
RedaktoP. Ambrozi vetë përktheu pjesë prej tekstit të matematikës Jakob e ushtrimet e librit të parë të greqishtes së bashku me gramatikë. Përgatiti edhe një gramatikë të vogël origjinale per gjuhë shqipe. Përktheu të dyja pjesët e "Ushtrime për gjuhë latine" nga August Scheindler më 1921-'22 e i botohet më 1930.[7] Në gjysmën e dytë të 1921 boton shkrimet "Mbi Ortografi të Sotshme" si kritikë ndaj rregullave të çanësuara pesë vite më parë nga KLSH duke iu referuar Kamardës, "Si duelën të zgjedhun deputetët katolikë të Shkodres" , "A âsht' qeveria e Tiranes nji Turkì e Ré a Jo?" etj. Boton broshurën "Nji monument pazotsie në lamin e arsimit në Shqipni" më 1922 që i binte ndesh reformave arsimore të Rexhep bej Mitrovicës. Revista “Hylli i Dritës” bëhet për Marlaskajn tribuna e ideve të tij ku shpesh përdor pseudonimin Nji i mirditas.
Sipas memuaristikës së P. Zef Pllumit, qe i mendimit me përshtatë Kanunin e Maleve duke përpunuar konceptet juridike si mësues i të Drejtës Kanonike që ishte, e të formohej ashtu Kodi Civil shqiptar. Por i kundërshtuar nga politikanët e tjerë në parlament, sipas tij donin të shartonin Sheriatin me Kodin Napoleonik.
La shënime në filozofi dhe teologji morale[8] (studimi “Mbi monizmin dhe materializmin”), në histori “Historia e Pedagogjisë”, “Ipeshkëvinjtë e Shqypnisë”; shkrime të tjera, në gjuhësi (ka botuar gramatikë latine, një fjalor latin, studimin “Mbi ortografinë e sotme”).
Referime
Redakto- ^ a b c Kurti D., Provinca Françeskane Shqyptare[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur] (E ripertrime në vj.1906), Cokesë (Skicë historike).Shkodër 1965.
- ^ a b Osmani, Tomorr (2001). "Komisia Letrare Shqipe në Shkodër". kulturserver-hamburg.de. Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 27 shkurt 2021.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja) - ^ Çefa K., Si duhet paraqitë zani "Ora e maleve", Shqiptarja.com, 14 shtator 2013.
- ^ Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 14 maj 2011 tek Wayback Machine - Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005 fq. 15-17.
- ^ Murzaku I.A., "Returning Home to Rome: The Basilian Monks of Grottaferrata in Albania", Grottaferrata, Roma: Monastero esarchico, 2009. fq. 162.
- ^ Gjikam, Pater Ambrozi, HD, v. XV 1939, 3-7, fq. 342-344.
- ^ Gjinaj M.; Mele M.; Elmazi M., "Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare", Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 370-371 ─ ISBN 978-99927-731-8-5.
- ^ Malaj V., Apostolic and educational work of the Franciscan Order among the Albanian people, Buletini Katolik Shqiptar, red. Gjon Sinishta, San Francisco 1990. fq. 36.