Pal Dodaj (Janjevë, 3 shtator 1880 - Shkodër, 5 shtator 1951) qe frat françeskan, publicist, kronikan, mësues, bibliotekist dhe përkthyes. Ditari i tij me vrojtime vetjake mbushur me përshkrime e kronika nga ngjarjet të cilat përjetoi, përbën një nga syzet më të afërta për të kundruar shtetformimin tonë.

Biografia

Redakto

U lind në Janjevë, në Vilajetin i Kosovës, i pagëzuar me emrin Kolë i biri i Mashit dhe Prenda Paliqit.[1] Ende i vogël shkoi në Shkodër për t’u shkolluar tek Etërit Françeskanë. Nisi mësimet në Kolegjin e Troshanit, ndërsa noviciatin si dhe studimet filozofike e teologjike i kreu në FirenceItalisë. Aty, më 19 korrik 1902 kremtoi edhe Meshën e Parë, për t’u kthyer menjëherë në atdhe.

Filloi punën si profesor i filozofisë së pari në Troshan dhe mbasandej te kolegji "Illyricum" në Shkodër si profesor i të Drejtës Kanonike dhe Moralit.[2] Në hierarkinë e Urdhnit u caktua edhe si Guardian e më pas, epror provincial i parë shqiptar i Provincës Françeskane Shqiptare. Kuvendin Françeskan të Rubikut e ktheu në strehë mbrojtjeje për të përndjekurit. Kumtohet se një ndër të strehuarit të ketë qenë edhe Ahmet bej Zogolli në rininë e vet.

U arrestua nga autoritetet e regjimit komunist më 8 nëntor 1946 dhe u dënua me vdekje. Dënimi iu shndërrua në burgim të përjetshëm dhe më pas ndërroi jetë në burg.[2]

Botoi në revistën “Hylli i Dritës” e në shumë revista të huaja. Ishte bashkëpunëtor i rregullt i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”.

I shquar për kontaktet e ndryshme që kishte me figurat e shquara të kohës së vet, Zef Pllumi ka përcjellur se kishte një letërkëmbim me interes me Esad pashë Toptanin.[2] Po ashtu për gjendjen e atyre kohërave letërkëmbimi me më se 200 letra që ka pasë me Fishtën ku trajtohen një shumësí temash.[3]

Vepra e tij kryesore që la është ditari i tij vetjak, pjesë të të cilit u botuan edhe tek e përkohshmja "Hylli i Dritës" pas viteve '90. Ditari është dorëshkrim italisht e pak shqip. Është i mbajtur në blloqe e fletore të formateve të ndryshme, e fillon në vitin 1907 deri në vitin 1943.[4]

Më 1941 në bashkëpunim me Giuseppe Schirò përktheu Kanunin, që u botua nga Akademia e Arteve dhe Shkencave në Romë më 1941.[5]

Referime

Redakto
  1. ^ Kurti, Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 133. ISBN 99927-789-1-1.
  2. ^ a b c Pllumi, Zef (2006). Histori kurrë e shkrueme. Tiranë: 55. ISBN 9789994392124.
  3. ^ Demaj V., At Gjergj Fishta: Tetë letra nga Korrespodenca, Mapo. - Nr. 111, 12 nëntor, 2010, f. 23.
  4. ^ Tanushi L., Zhduken dosjet e pronave dhe ditari i klerikut, Shekulli, 31 tetor 2013.
  5. ^ Malaj V., Apostolic and educational work of the Francisacan Order among the Albanian people, Buletini Katolik Shqiptar, red. Gjon Sinishta, San Francisco 1990. fq. 35-37.