Hamdi Bushati
Hamdi Bushati (Shkodër, 1896 - 10 mars 1983) ka qenë një arsimtar, përkthyes dhe hulumtues i folklorit, toponimisë dhe historisë. Vepra e tij Shkodra dhe motet në tre vëllime, mundëson informacion të dendur mbi vendlindjen, u botua pas vdekjes. Ka përkthyer disa vepra xhepi të Sami Frashërit nga turqishtja në shqipe, të botuara më 2004; shumë përkthime të tjera që ka bërë nga turqishtja në shqip janë ende dorëshkrim.[1]
Lindur më | 1896 |
Lindur në | Shkodër, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 1983 |
Vdiq në | Shkodër, Republika Popullore e Shqipërisë |
Kombësia | shqiptar |
Profesioni | mësues, publicist, historian, përkthyes |
Mirënjohje | |
Mësues i Popullit | |
Biografia
RedaktoU lind në Shkodër më 1896, djali i tretë i Mehmet Reshit beut të oxhakut të kapidanit të kalasë nga familja e Bushatlijve[2] dhe nip i familjes Gjylbegu. Mbeti jetim që kur ishte 3 vjeç dhe u rrit nga daja i tij, kryetari i ardhshëm i beledijes së Shkodrës, Muharrem Gjylbegu.[3]
Gjatë viteve 1902-1912 ndoqi shkollën fillore e më vonë në gjimnazin civil Ruzhdie, që u mbyll për shkak të rrethimit. Në vitet 1914-16 plotësoi shkollimin në në Shkollën Tregtare Italiane deri kur u mbyll dhe më tej në Kolegjin Saverian. Në vitin 1917, me thirrjen që ua drejtoi të rinjve, Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit, Luigj Gurakuqi, ndoqi kursin e shpejtë pedagogjik për përgatitjen e mësuesve, që drejtohej nga Gaspër Beltoja.[4] Qe sekretar i dytë pranë shtabit të forcave vullnetare në Luftën e Koplikut në gusht të 1920 si dhe një qëndrim disamujor në Vienë për arsye shëndetësore.[2] Deri më 1921 dha mësim në shkollën fillore të lagjes Rus-Haslikej, pastaj vazhdoi në shkollën e Parrucës me drejtor Abaz Golemin. Në vitin 1922-1923 nisi të ndiqte një kurs pedagogjik në institutin "Scuole riunite" në Romë për ngritjen profesionale dhe shkencore. Më tej kontribuoi në drejtimin e shkollës së mbrëmjes dhe shoqatës "Drita" pranë shkollës së Parrucës, ku mësuan të shkruajnë dhe lexojnë dhjetëra nxënës punëtorë e shegertë.[3]
Më 1925 ngarkohet të japë mësim në një shkollë plotore në Tiranë, duke dhënë njëkohësisht dhe frëngjishten në Medresenë e Lartë. U diplomua si nga instituti i Romës dhe ndoqi kurse të mëtejshme me korrespondencë në Ecole Supériore në Paris, ku u diplomua më 1929. Ndërkohë më 1927 e la mësimdhënien për të punuar në Zyrën e Vakufit si sekretar e mbikëqyrës i Bibliotekës së Pazarit dhe më vonë në Dhomën e Tregtisë, po në vendlindje, ku pati mundësi t'i kushtohej punëve intelektuale dhe përkthimeve të dokumenteve të bibliotekës nga osmanishtja.
Më 6 gusht 1940 qe zv/sekretar federal i Sekretariatit të Federatës së Fasheve në Shkodër dhe më 1942 ishte sekretar federal regjent i Partisë Fashiste Shqiptare po në vendlindje.[5] U rikthye në lëmin e mësimdhënies në periudhën 1940-44 dhe u caktua drejtor i shkollës fillore të lagjes Perash të Shkodrës. Pas marrjes së pushtetit nga komunistët, u arrestua më 1945 në bazë të akuzave të pathemelta, por gjyqi i dha pafajësinë. Më 1946-50 u largua nga qyteti dhe banoi në fshat, më 1951-54 qe punëtor krahu[2] dhe më 1955-60 pësoi internim politik në kampet e Kuçit, Shtyllasit dhe Gradishtës. Në vitet 1960-83 vijoi punët studimore dhe pensioni iu mohua, ndërroi jetë më 10 mars 1983. Në vitet '70 iu afrua tarikatit Tixhani në kushte fshehtësie të plotë.[4]
Dhjetë vjet pas vdekjes së tij dhe rënies së diktaturës, më 7 mars 1993 iu dha titulli "Mësues i Popullit".[2]
Vepra
RedaktoShtypi
RedaktoNë fillim të viteve '20 qe ftuar nga Dom Ndoc Nikaj për të marrë pjesë në kolegiumin që do të drejtonte gazetën "Besa Shqiptare". Gjatë viteve 1925-44 bashkëpunoi me organet e shtypit të kohës si "Kalendari Kombiar", "Dituria" dhe "Leka", duke qenë gjithashtu korrespondent i gazetave "Besa" dhe "Tomorri". Botoi artikuj të rëndësishëm historikë në të përkohshmet "Kalendari Kombiar" dhe "Dituria" e Lumo Skëndos, për të cilën edhe e propagandoi në Shkodër në 1927-28. Nga 1933 deri më 1939 botoi në revistën "Leka" artikuj mbi toponamistikën e fshatrave të rrethinave të Shkodrës, si Bushati, Melgushi, Kosmaçi, duke botuar afro 400 toponime që tërhoqën edhe vëmendjen e Joklit dhe Taliavinit.
Historia
RedaktoMë 1927 botoi artikujt e parë me interes për historikun e familjes dhe më 1930 nisi hartimin e monografisë Bushatlijtë e Shkodrës, të cilën e përfundoi më 1950 dhe e ripunoi sërish në vitet '70.[4] Mblodhi lëndë etnofolklorike të bollshme për trevën e Shkodrës, të cilën e mblodhi në një dorëshkrim prej më shumë se 1,000 faqesh që e titulloi Materiale ndihmëse etnografike, toponamistike, historike, folklorike e të tjera të ndryshme të qytetit të Shkodrës, të mbledhura gjatë viteve 1960-1968.[6]
Përkthime
RedaktoHapi i parë në këtë drejtim qe përkthimi i dokumentave zyrtare apo private, regjistra të ndryshëm, korrespondencë e çdo tipi, ditare, mbishkrime në objektet e kultit, etj. nga gjuha burimore osmane. Krhas këtyre, qëmtoi botime të karakterit historiografik me referencë ndaj Shqipërisë, duke përfshirë libra, enciklopedi, revista e gazeta, salname - vjetare. Përveç temës së parapëlqyer të Bushatlijve, përktheu pjesë nga çështje të gjerësishme rreth historisë shqiptare, si Jetëshkrimi i 30 vezirëve të mëdhenj shqiptarë në Turqi, Jetëshkrimi i veçantë i Abedin P. Dinos dhe ish-ministrit të Luftës, Rexhep P. Matja, materiale të panjohura për Pashko Vasën dhe Ismail Qemalin, Ngjarjet në Prizren, Shkaqet e ngjarjeve të Lumës, Kryengritja e malësorëve të Shkodrës, dokumente mbi luftën e Ulqinit, kapituj të librit Mbrojtja e Shkodrës, 1912-1913 të ushtarakëve Nazif e Kirametin, shkrime të Hasan Prishtinës e të Dervish Himës, etj. Të rrafshit të kulturës së përgjithshme përktheu nga veprimtaria e Sami Frashërit pjesët etnografike dhe gjeografike kushtuar Shqipërisë në fjalorin enciklopedik Kamus al-Alam; si dhe broshurat e divulgimit shkencore "Gratë", "Njeriu", "Qytetërimi Islam", "Mithet", "Qielli", "Toka". Materiale që kanë të bëjnë me jetëshkrimin e Hoxha Hasan Tahsinit dhe filozofit shqiptaro-turk Riza Teufik, si dhe veprën "Psikologjia" të Hasan Tahsinit. Në lëminë juridike, përktheu Kanunin e Xhibalit (Maleve) ashtu si zbatohej nga Komisioni i Xhibalit.
Materiali kushtuar vezirëve u botua në një rubrikë më të veçantë në të përditshmen "Tomorri", dhe u përfshi në një antologji të Ministrisë së Arsimit.[4]
Referime
Redakto- ^ Balcı, Mustafa; Dibra, Fatos (2020). "Arnavutluk'ta Türkoloji". academia.edu (në turqisht). fq. 94.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b c d Bushati, Hamdi (2003). Bushatllinjtë. Shkodër: Idromeno. fq. 339, 355–356. ISBN 99927-841-2-1.
- ^ a b Kazazi, Njazi; Quku, Mentor (1998). "Hamdi Bushati (1896-1983)". Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 7–18. OCLC 645720493.
- ^ a b c d Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi (1997). Në kujtim të brezave. Shkodër: Shtëpia botuese "Rozafat". fq. 481–503.
- ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 65. ISBN 9789928440358.
- ^ Podgorica, Fadil (2004). Fjalori etnofolklorik. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 50. ISBN 9992749970.