Ndoc Nikaj

jezuit dhe shkrimtar shqiptar

Ndoc Nikaj (Shkodër, 9 mars 1864 ose 15 qershor 1865 - Burgu i Shkodrës, 16 janar 1951) ka qenë klerik katolik, prozator dhe botues, babai i prozës gege, i quajtur edhe babai i romanit shqip.[2] Vepra e tij Historia e Shcypniis ch’ me fillesë e deri më kohë kur ra në dorë të turkut mbahet e para sprovë e historiografisë shqiptare në gjuhën shqipe.[3][4] Bashkëpunoi me "Albania"-n e Faik Konicës, botoi të përkohshmen Koha që më pas ndërroi emrin dhe u bë Bashkimi;[2] ku përveç publicistikës, botoi 28-30 vëllime veprash origjinale ose të përkthyera me përmbajtje të ndryshme.[5][6]

Ndoc Nikaj
U lind më15 qershor 1865
Shkodër, Perandoria Osmane
Vdiq më16 janar 1951
Burgu i Shkodrës, Republika Popullore e Shqipërisë
Emri i letraveN.D.N, Nagdo Monici[1]
Kombësiashqiptar
Gjinitë letrareprozë, poezi, etj.

Poeti dhe frati Gjergj Fishta duke u mbështetur te pseudonimi më i përdorur i kolegut, i kushtoi poezinë Nakdominicipedia në hyrjen e vëllimit të tij me satira, Anzat e Parnasit.[6]

Biografia

Redakto

U lind në Shkodër i treti ndër tetë fëmijët e Gjokës të Shtjefën Jak Nikajt dhe Ages së Gjon Gulit.[7] I ati ishte tabak, zanat që merrej me ngjyrosje penjsh e shajaku malësorësh.[5] I ati kishte marrë pjesë në luftën ruso-turke. Sipas regjistrit të pagëzimit shënohet se Nikaj leu më 9 mars 1864.[7]

Nikaj i vogël mësimet fillestare i kreu te françeskanët, kurse në moshë 13 vjeç hyri te jezuitët në Kolegjin Papnor në Shkodër të cilat i përfundoi më sukses duke u bërë meshtar më 1888, kur edhe shkruen Vakinat e scêites kisc.[8] Pas shugurimit si ndihmës-famullitar, për 2 vjet shërbeu në Shkodër, mandej në famullinë e Shkrelit, Dajçit, Bregut të Bunës, Pentarit, Sheldisë, etj. Në bashkëpunim me abatin e Mirditës Preng Doçin, qe pjesë e nismës së themelimit të Lidhjes së mshehtë më 1892 me qëllim përhapjen e idesë kombëtare.[5] Më 1899 u bë një nga anëtarët themelues të shoqërisë "Bashkimi", të abatit Doçi dhe përdori ndër botimet e veta alfabetin e kësaj shoqërie. Vetë si botues, Nikaj e nisi karierën duke themeluar më 1 janar 1910 gazetën e përjavshme Koha, ndër të parat gazeta politike në Shqipëni.[5] Vitin pasues e ndali botimin e gazetës sepse filloi të merrej me shfrytëzimin e pyjeve.[9] Në ditarin e Dodajt gjendet e shkruar:[10]

«Dom Ndoc Nikaj, famullitar i Obotit, ka përfitue 600 napolona prej kontrabandës s'armëve

Kjo gazetë me katër faqe në shqip botonte artikuj për politikën, çështjet shoqërore, kulturën, letërsinë dhe ekonominë, dhe vazhdoi kështu deri afër vitit 1912. Në pranverën e vitit 1913 Nikaj themeloi një gazetë tjetër, Besa Shqyptare, që dilte dy deri katër herë në javë gjer më 1921. Aty botohej edhe ndonjë artikull gjermanisht e italisht. Pas një periudhe të shkurtër, nga 29 korriku 1915 po kjo gazetë pati emrin Zani i Shkodërs. Përveç punës për nxjerrje gazetash, Nikaj kishte edhe firmën e vet të vogël botuese Shtypshkroja Nikaj,[11] të themeluar më 1909, ku u botuan shumë nga veprat e tij dhe të të tjerëve. Këtu ai shtypi libra këndimi në gjuhën shqipe, revista periodike si Hylli i Dritës dhe dhjetëra vepra të tjera. Ndonëse firma botuese nuk i dilte me fitim financiar, biznesmeni Nikaj dinte si të kompensonte humbjen me fitime në fusha të tjera më të leverdisshme si ato të tregtisë së lëndës së drurit apo të armëve.[12] Pas Luftës së Parë Botërore, pasi kishte dhënë një ndihmë të madhe në themelimin e shumë gazetave shqiptare, Nikaj iu kthye më fort shkrimeve dhe botoi libra shkollorë, libra fetarë për kishat, si dhe ndonjë prozë letrare. Ishte drejtues i dy shtypshkronjave. Më 1921 u arrestua dhe bëri dyzetegjashtë ditë burg në Tiranë, për arsye që nuk dihen.[13] Mbas shpalljes së Pavarësisë dhe të vendosjes së qeverisë shqiptare, Nikaj nuk desh të mirrej me veprimtari politike, prandaj qortonte gjithë klerikët që mirreshin me atë punë.[5]

Pas çlirimit, Nikaj qe pjesë e presidiumit të mbledhjes që themeloi Lidhjen e Shkrimtarëve.[14] Pas një viti u arrestua nga autoritetet e regjimit më 9 shtator, në moshën tetëdhjetedyvjeçare, dhe vdiq në burgun e Shkodrës pesë vjet më vonë, në janar 1951.[2]

Sipas Hamdi Bushatit, Nikaj botoi 28 vëllime me përmbajtje të larmishme.[5] Sipas periodizimit të Pipës, bën pjesën ndër autorët klerikë të romanticizmit shkodran të viteve 1881-1924. Në vëllimin Historia e letërsisë shqipe (1959) përshkruhej «më i madhi autor i prozës tregimtare si dhe romanceri më pjellor i letërsisë shqipe para Luftës së Dytë Botërore»,[15] duke u mjaftuar me kaq dhe duke i ribotuar pakçka.[2] Nëpër botimet e tij, qofshin ato artikuj publicistik, përkthime apo vepra autoriale, ka përdorur edhe pseudonimet Nakdomonici, N. Monici, N. N., N. D. N.[16]

Si pararendës i prozës në gjuhën shqipe, qëndron kronologjikisht para prozatorëve si Grameno, Milto S. Gurra, Foqion Postolit, Filip Papajanit, Mid'hat Frashërit, dhe Koliqit.[17]

Prozë

Redakto

Kur ishte ende xhakon në seminar "qiti në giuhë shqyptare" Vakinat e scêites kisc, të cilën mundi ta botojë në shtypshkronjën e Propagandës Fide në Romë më 1888 me ndihmën e prelatit Pjetër Dodmasej,[6] të cilit edhe ia kishte kushtuar. Vëllim të cilin e ribotoi në Shkodër më 1914 me titullin T'nollmet e kishës: Ç'me kohë t'vjetra e deri m'tashmet. Më 1892 iu botua në Shkodër novela hagjiografike Marzia o ksctenimi n'filles t'vet të cilën e shkroi gjatë kohës që ishte famullitar në Shkrel, sipas titullit,[18] i cilësuar si përkthim i lirë nga italishtja.[17] Më 1902 i mbështetur nga Don Aladro Kastrioti,[19] botoi në Bruksel vëllimet Historija e Shqypnis si dhe,[2] i nxitur nga konsulli autro-hungarez Ippen,[20] përkthimin nga italishtja Historia e Turkís, që shërbeu si tekst shkollor.[2] U njoh si romancieri më i hershëm shqiptar por ai u hodh poshtë nga historia komuniste e letërsisë shqipe. I njohur edhe si Nagdo Monici kryesisht prej kontributit publicistik tek “Albania” e Konicës, njihet edhe për romanin historik Shkodra e rrethueme, botuar më 1913.

Nikaj ka lënë shtatë romane të pabotuara.[1]

Përktheu edhe romanin e parë të Hygoit Han Island,[17] por pas 1924 nuk botoi më gjë të shkruar prej tij.[13]

Publicistikë

Redakto

Bashkëpunoi shumë me revistën "Albania" të Konicës, ku më 1897 filluan t'i botoheshin shkrimet e tij.[6]

Botues

Redakto

Më 1 janar 1910 botoi numrin e parë të së përkohshmes "Koha", të cilën në numrin e saj të dytë e botoi me emrin e ndryshuar "Bashkimi" që u botua deri në fund të vitit 1911. Në pranverë të 1913 themeloi një gazetë tjetër, «Besa Shqyptare», që doli dy deri në katër herë në javë, gjer në vitin 1921. Për një periudhë të shkurtër, nga 29 korriku 1915, po kjo gazetë u botua me titullin «Zani i Shkodrës».[13]

Titujt

Redakto
  • Vakinat e scêites kisc, Romë 1888. ribot. T'nollmet e kishës: Ç'me kohë t'vjetra e deri m'tashmet, Shkodër 1914;
  • Marzia o ksctenimi n'filles t'vet, Shkodër 1892;
  • Bleta nner lulé t'Parrixit, Shkodër 1899. ribot. Bléta e ree nner lulé t'Parrixit, Shkodër 1904;
  • Historia é Shcypniis ch' me fillése e déri me kohe ku ra ne dore te Turkut, Bruksel 1902. ribot. Historija e Shqypniës. ç'me kohë t'vjetra e deri m'tashmet, Shkodër 1917;
  • Historia e Turkiis é diftuemé Ghinnvé t'Shcypniis, Londër 1902;[18]
  • Dashunia e msheftë 1905
  • Tak-tuk: tak-tuk a se Shkodra e Rrethueme, Shkodër 1913. Ribotuar më 1961 dhe 1967 në Tiranë dhe 1996 në Prishtinë;
  • Zêmer nanet a Tivari i mârrun. E dyta dorë, Shkodër 1915;
  • Bukurusha. Diftim historiak i vietve 1478-79, Shkodër 1918. Ribot. në Tiranë, 1961;
  • Fejesa n'djep a se Ulqini i mârrun, Shkodër 1918.[18] Ribotuar më 2017 në Ulqin;[21]
  • Burbuqja. Diftim historian i vjetve 1815-17, Shkodër 1920;
  • Lulet në thes. Diftim historiak i vjetve 1830-33, Shkodër 1920;[18]
  • Lulja e veshkun, 1920;
  • Motra per vllàn. Shfaqtime teatrore per varza, Shkodër 1921;
  • Për mik (dorëshkrim);
  • Ç’pat thanë gjyshja (dsh);
  • Han Islandi (dsh);
  • Një testament (dsh);
  • Te shpella e murosun (dsh)

Referime

Redakto
  1. ^ a b Gjinaj, Mele, Elmazi 2010, fq. 212
  2. ^ a b c d e f Elsie, Robert (1997) [1995]. Histori e letërsisë shqiptare [History of Albanian Literature]. Përkthyer nga Myftiu, Abdurrahim. Pejë: Dukagjini. fq. 136–138.
  3. ^ Vozga, Ramazan (2010). Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare. fq. 140. ISBN 978-99927-731-7-8.
  4. ^ Gjinaj, Maksim; Elmazi, Myrvete; Mele, Margarita (2010). Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare, Sektori i Bibliografisë Kombëtare. fq. 185. ISBN 9992773189. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shtator 2021. Marrë më 16 dhjetor 2021.
  5. ^ a b c d e f Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 584–585. OCLC 645720493.
  6. ^ a b c d Kulli, Frano (16 shtator 2015). "Dom Ndoc Nikaj, 30 botime dhe shtypshkronjë". shekulli.com.al. Arkivuar nga origjinali më 19 dhjetor 2021. Marrë më 19 dhjetor 2021.
  7. ^ a b Nikaj, Ndoc (2003). Kujtimet e nji jetes se kalueme. Tiranë: Plejad. fq. 5. ISBN 9789992792452.
  8. ^ Resuli, Namik; Gurakuqi, Karl (2007). Shkrimtarët shqiptarë: Rilindja 2. Tiranë: Pakti. ISBN 9994382365.
  9. ^ Clayer 2012, fq. 616.
  10. ^ Hylli i Dritës Nr. 2-3, (221-222), Vjeti XXI/1993 Tiranë, 1993. fq. 98
  11. ^ Për një pasqyrë mbi veprimtarinë e kësaj shtypshkronje, kr. revista Leka, Shkodër, IX, 8-12 (1937), f. 680-684.
  12. ^ "Histori e letërsisë". Arkivuar nga origjinali më 16 tetor 2010. Marrë më 14 dhjetor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  13. ^ a b c Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist N-P (PDF). Vëll. IV. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2017. fq. 104. ISBN 978-9928-168-65-8.
  14. ^ Shuteriqi, Mynever. "Kur krijohej Lidhja e Shkrimtarëve". exlibris.al.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  15. ^ Pipa, Arshi (2017) [1978]. "Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore" [Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives]. Princi. fq. 153, 185. ISBN 978-9928-4090-9-6.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  16. ^ Gashi, Sinan (2009). Pseudonimet e shkrimtarëve shqiptarë 1453-1982. Prishtinë. fq. 184.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  17. ^ a b c Demiri-Frangu, Qibrije (2006). "Proza e Rilindjes Kombëtare (phd)". pdfkul.com. Prishtinë.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  18. ^ a b c d Elsie 1997, fq. 435.
  19. ^ Clayer 2012, fq. 380-381.
  20. ^ Clayer, Nathalie (2012) [2007]. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përkthyer nga Artan Puto (bot. 2). Tiranë: Botime "Përpjekja". fq. 377. ISBN 9789994302536.
  21. ^ "Botime të reja: "Fejesa n'djep a se Ulqini i marrun" dhe "Në kërkim të një drame ndryshe"". ul-info.com. 2017.