Shtëpia e Isak Pozharanit
Shtëpia e Isak Pozharanit është një monument i trashëgimisë kulturore në Gjilan, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër.
Shtëpia e Isak Pozharanit | |
---|---|
Lloji | Arkitekturore |
Vendndodhja | Gjilan, Kosovë |
Ndërtuar | 1908 |
Emri zyrtar: Monument /Ansambël | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Nr. i referencës | 63 |
Historiku
RedaktoNë qytetin e Gjilanit në rrugën “Abdulla Tahiri” gjendet shtëpia dykatëshe e Isak Pozharanit. Kjo shtëpi ka filluar të ndërtohet në vitin 1908 nga Kurtesh Pozharani dhe ka përfunduar në vitin 1913.
Vlerat që e shoqërojnë këtë objekt janë historike, të vjetërsisë dhe reprezentative. Shtëpinë e shoqëron edhe një historik shumë interesant, pasi është ndërtuar nga një figurë historike e shekullit XIX, Kurtesh Kurteshi nga Pozherani, i njohur si Kurtesh Aga. Ky objekt ndërlidhet me ngjarje të shumta historike, të periudhave të ndryshme, siç është historia e pronarit dhe ndërtuesit të objektit, Kurtesh Agës, i cili i është kundërvënë pushtetit osman. Më pas gjatë periudhës së komunizmit, banorët e shtëpisë janë kërcënuar disa herë për t’u shpronësuar nga prona e tyre.
Krahas vlerës historike, objekti shquhet edhe për vlerat arkitektonike si banesë qytetare me karakter masiv të ndërtimit, me planimetri katërkëndëshe. Është e ndërtuar me tulla të pjekura, i mbuluar me kulm dy ujor. Instalimi i ngrohjes qendrore, edhe pse i papërfunduar për shkaqe të rrethanave politike të kohës, është i një rëndësie të veçantë për studim. Shtëpia është e ndërtuar në përdhese dhe kat. Ka tetë kthina, katër në përdhese dhe katër në kat. Lidhja në mes kateve realizohet nëpërmjet shkallëve të brendshme nga druri. Në kat kah fasada ballore nga perimetri i mureve del në formë konzolle çardaku.
Fasada ballore ka trajtim linear, ku hapjet e dritareve në formë drejtkëndëshe, janë të renditura në grupe nga tri dhe krijojnë një ritëm përsëritës. Enterieri është i pasur me dollapët e vjetër të vendosur në mure, ku dallohen kapakët nga druri. Duke marrë parasysh të gjitha elementet e lartcekura, ky objekt është reprezentativ për historinë e Gjilanit para më shumë se 100 viteve.
Referime
Redakto- ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
Lidhje të jashtme
Redakto- Databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës Arkivuar 26 mars 2016 tek Wayback Machine
Ky artikull për historinë e Kosovës është i cunguar. Ju mund të ndihmoni Wikipedian duke e zgjeruar atë. |