Shtriga e Kastratit
Shtriga e Kastratit quhet rasti i vrasjes së një gruaje na ana e burrit të saj që ka ndodhur në Kastrat të Shkodrës diku rreth vitit 1895. Shtriga e Kastratit është rasti i vetëm i njohur deri më tani i "gjuetisë së shtrigave" që ka ndodhur në Shqipëri.[1] Ky rast është dokumentuar nga konsulli francez i Shkodrës Alexandre Degrand (1844 - 1911) në librin e tij me titull, "Kujtime nga Shqipëria e Epërme" (Souvenirs de la Haute Albanie).[2]
Vështrim
RedaktoShekulli XIX ishte i mbushur plot besëtytni e supersticione në shoqërinë shqiptare, në jug e në veri. Në këtë botë besëtytnish por dhe ritesh të fuqishme pagane të lidhura me natyrën, diellin, hënën, gjarprin apo dhinë, etj., besohej dhe në xhindet e së keqes. Burrat besonin se gratë e tyre të vdekura mund të zgjoheshin dhe të vinin në shtratet e tyre, se njerëzit e vdekur mishëroheshin në shpendë, objekte, zogj, siç tregohej se gjatë një nate në shtëpinë e një malësori në rrethinat e Shkodrës, ku motra që priste të vëllanë ishte kthyer në një shpend që çdo natë zbriste në çatinë e shtëpisë pranë dhe klithte: “Gjok! Gjok!”, që ishte emri i tij… Ata i besonin “syrit të keq” dhe për t’i mbrojtur fëmijët, gratë i bënin me shenja në mes të vetullave, me të zezë apo të kuqe, që “syri i keq” të largohej. Në një kapitull për besëtytnitë dhe supersticionet, konsulli francez tregonte se shqiptarët mendojnë se një gjarpër fshihet në skutat e çdo shtëpie, se ai nuk duhet vrarë; se vezët e pulës, para se të hapen, u duhet bërë kryqi se ndryshe mund t’u dalë një përbindësh; se dhe lopët duhen bekuar me ujin e bekuar. Në shtëpitë katolike, nëse një i vdekur është përcjellë e qivuri ka dalë nga dera, nëse do të ndodhte të vdiste dikush tjetër nga familja, ai duhej të dilte për të shkuar në varreza nga dritarja dhe nëse do kishte vdekje të tjera dhe do të shfrytëzoheshin të gjitha dritaret e shtëpisë, atëherë thonë se njerëzit e pinjollët e tyre do të jetonin shumë gjatë. Por një nga supersticionet ishte edhe ajo kur një burri i vdiste gruaja. Atëherë, gratë që kishin vajza për të martuar, i merrnin me vete kur shkonin në ngushëllime te kjo familje dhe e para vajzë që i tërhiqte fort këmbën së vdekurës, pa e parë njeri, ajo kishte shanse të martohej me burrin që kishte mbetur i ve.
Kështu një ditë disa malësorë e akuzuan një grua për vdekjen e një malësori në mërgim (thoshin se dikush i kishte parë ato të shkonin buzë lumit dhe pastaj të hynin në pyll), fjalët u hapën se shkaku i kësaj vdekjeje ishte ajo. Thashethemnaja mori dhenë, mbuloi shtëpitë e fshatit, zhaurima pushtoi malet përreth dhe legjenda u krijua se mes tyre, në atë fshat jetonte një shtrigë me fytyrë engjëlli. Por ajo megjithatë, si gjithnjë ecte krenare në rrugët e fshatit… Madje thoshin se kjo “shtrigë” na kishte lidhje dhe shpesh takohej me të venë e mërgimtarit dhe se dikush i kishte parë bashkë duke bredhur natën… Ku shkonin vallë? Me siguri për magji! – kishte thënë dikush. Dhe përsëri thashethemnaja kishte pushtuar shtëpitë e Kastratit. Dhe njerëzit filluan të shihnin ëndrra dhe t’i tregojnë ato të nesërmen… dhe ata filluan t’u besojnë ëndrrat e tyre. Atë vit, jo pak gjëra kishin ndodhur në fshat: një fëmijë kishte vdekur që ditën e parë të vitit; lumi kishte ardhur me aq yrysh saqë e kishte shkatërruar urën e madhe e të drunjtë, fushat me misër ishin përmbytur nga ujët. Dy gjakmarrje kishin ndodhur, por këto ishin të zakonshme dhe nuk përbënin ndonjë çudi. Por ajo që e kishte tronditur ndërgjegjen e tyre ishte eklipsi apo “Hataja e Madhe”, siç e quajtën ata. Një natë ishte bërë eklips në mes të ditës. Qielli ishte errësuar papritur, zogjtë filluan të hallakateshin dhe të vinin rrotull duke klithur, disa prej tyre përplaseshin nëpër pemë; delet zunë të blegërinin pa kuptim dhe kuajt të hingëllinin dhe shkrofëtinin duke lëshuara piskama; njerëzit kishin vrapuar drejt kullave të tmerruar dhe një i ftohtë i madh kishte pushtuar gjithçka, por pesë minuta më vonë, dielli ishte shfaqur sërish, si për çudi… Cila dorë e kishte larguar “Hatanë e Madhe”, cili shpirt e largoi terrin e zi? Jo, për ata kjo nuk ishte dora e Zotit, as vullneti i tij. Ishte diçka tjetër, një magji, magji… dhe të gjithë vështrimet ishin drejtuar nga gruaja-shtrigë, që të nesërmen, me fytyrën e saj të ëmbël, kishte dalë përsëri për të shkuar në arë. Ky ishte kulmi! Që të nesërmen, në kuvendin e burrave, burrit të “shtrigës” nuk i afruan duhanin si gjithnjë dhe nuk i dhanë kafenë sipas zakonit. S’kishte turp më të madh.[3]
Dhe Frani kapërceu pragun dhe hyri në dhomë. E tërhoqi zvarrë engjëllin e tij e më pas e lidhi. Kërkonte të zbulonte të vërtetën për magjitë e saj. Burri që e donte aq shumë atë grua të bukur, kishte britur me ulërimë dhe e kishte lidhur gruan duke e quajtur shtrigë. Kështu i kishin thënë Franit të gjorë… kështu klithte tashmë dhe ai. Ajo e mjera ishte stepur dhe nuk kishte folur. Ishte një grua e re, me një fëmijë të vogël dhe gjithë nure. Shtatin e kishte të lartë, flokët i derdheshin gjer në mes, sytë i kishte formë bajame në ngjyrë jeshile dhe vithet që i ngriheshin ende përpjetë e bënin tepër sensuale dhe të dëshiruar. Të gjithë burrat e Kastratit e kishin ëndërr ta kishin në dorë atë grua. I hidhnin sytë tinëz kur ajo shkonte për të mbushur ujë në burim. Por Frani tani ishte bërë xhind. Dhe gruaja u habit që në furi e sipër, burri i saj bëri një zjarr në oborr duke hedhur trungje e shkarpa. Pastaj një heshtje e madhe ra mes njerëzve. Një ofshamë u dëgjua. Gruaja tashmë përpëlitej mes jetës e vdekjes. “Shtriga u dogj!” bërtiste njëri nga djemtë që iku të jepte lajmin derë më derë ndërkohë që ajo jepte grahmat e fundit. Gjithë atë natë fëmija qante dhe kërkonte nënën e vet.
Dy ditë më vonë, dy burra kishin marrë gruan e ve, pra magjistricën tjetër dhe mes shiut e kishin çuar në Shkodër, te guvernatori turk. Një udhëtim nëpër baltë, shi dhe erë të stuhishme. Kishin mbërritur në ag. Ja tek shfaqej tutje kalaja e moçme dhe në këmbët e tij qyteti i vjetër që ende flinte. Guvernatori i kishte dëgjuar, edhe pse gruaja e ve lutej për Zotin se s’kishte gisht në këtë histori. Më së fundi, guvernatori me çallmën në kokë, urdhëroi ta mërgonin atë grua “të keqe” në Mosul, Azinë e Vogël, dhe ashtu u bë. [4]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ https://www.voal.ch/shtrigat-e-kastratit-simotra-te-shtrigave-te-salemit-nga-luan-rama-paris/multimedia/dossier/
- ^ https://www.voal.ch/shtrigat-e-kastratit-simotra-te-shtrigave-te-salemit-nga-luan-rama-paris/multimedia/dossier/
- ^ https://gazeta-shqip.com/arti/shtrigat-e-kastratit-simotra-te-shtrigave-te-salemit/
- ^ http://www.arsalbanica.mk/shtrigat-e-kastratit/