Sistemi urban
Sistemi i qyteteve si pjesë e fokusit studimor të gjeografisë urbane
RedaktoPërcaktimi “sistem urban” ndeshet më së shumti në kontekstin gjeografik urban por edhe atë rregjional[1], në përkufizimin që i bëhet objektit të studimit të gjeografisë urbane ku në mënyrë shumë të sintetizuar objekti i studimit të gjeografisë urbane si degë e gjeografisë humane përcaktohet si “studimi i qytetit si sistem brenda një sistemi qytetesh”[2]. Qytetet, pavarësisht përmasave, janë pjesë e një sistemi urban në nivel rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar duke u përfshirë në një rrjet kompleks ndërvarësish[3]. Rrjedhimisht, cdo ndryshim madhor në popullsi, ekonomi, vitalitet, punësim apo shërbime tek njëri prej tyre reflektohet edhe tek të tjerët[4]. Ndërkohë që zhvillimi dhe karakteristikat bashkëkohore të sistemeve urbane kombëtare mbeten në qendër të kërkimeve, një pjesë e mirë e studimeve i referohen sistemit urban global duke u përpjekur të kuptojnë se si një rrjet qytetesh i shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në tërë globin, organizon hapësirat e ekonomisë globale.[5]
Sistemi urban dhe kontributet studimore
RedaktoPër herë të parë termi “sistem urban” është shfaqur në një enciklopedi franceze i shkruar nga Jean Reynaud, i cili shpalli parimet kryesore të teorisë vendqendrore që në vitin 1841. Por, konceptimi përfundimtar i kësaj teorie i përket gjeografit gjerman Walter Christaller. Veçanërisht, kontributi i shkencëtarëve Walter Christaller (1933) dhe August Losch (1937) konsistoi në organizimin interurban që u pasua nga përgjithësime për shpërndarjen e popullsisë apo specializimin funksional, të kryera nga gjeografi amerikan Brian Berry e studjues të tjerë . Puna e tyre ushtroi ndikim të ndjeshëm ekonomistët dhe gjeografët urbanë e rajonalë në nivel europian.
- Kontributi i Walter Christaller.
RedaktoTeza e Christaller-it, u frymëzua nga një ide e kohës për rolin e qyteteve si qendra tregtare në rajone rurale duke ofruar spjegime për dy fenomene urbane:
- ekzistencën e hierarkisë urbane që nënkupton renditjen e qyteteve nga ai me më shumë tek ai me më pak, funksione dhe rëndësi,
- strukturën hapsinore të sistemit urban ose thënë më thjesht marrëdhënien midis qyteteve të përmasave të ndryshme në një rajon.
Duke qenë se u bazua në realitetin e Gjermanisë Jugore (kryesisht rurale në atë kohë), me gjithë rëndësinë e saj për kohën, kjo teori nuk mund të funksionojë si bazë për të spjeguar ekzistencën e hierarkisë urbane në ekonomitë e industrializuara. Kjo pasi, vendimi për lokalizim bazohet jo vetëm në sjelljen e konsumatorit por edhe në koston e investimeve lokale dhe ekonomitë e aglomerimit. Këta faktorë të lokalizimit, teoria vendqendrore nuk i merr parasysh duke gjetur zbatim vetëm pjesërisht në ekonominë urbane[6].
- Kontributi i August Lösch
RedaktoAugust Lösch (1906–1945) njihet si një ndër krijuesit e parë të teorisë ekonomike hapësinore së bashku me Johann Heinrich von Thünen (1780–1850), Wilhelm Launhardt (1832–1918), and Alfred Weber (1868–1958). Vepra e tij më e rëndësishme “Die räumliche Ordnung der Wirtschaft” (Rregulli hapësinor i ekonomisë) që në gjuhën angleze u përkthye në 1954 si “Ekonomia e lokalizimit” u njoh në nivele ndërkombëtare, si një bazë e rëndësishme ekonomike për shkencat rajonale në formim e sipër[7].
- Kontribute pasuese
RedaktoPuna studimore e këtyre shkencëtarëve u pasua nga shumë kërkime të tjera midis të cilave dhe kërkimet e teoricienëve francezë të cilët hodhën një hap përpara me konceptin dinamik të “poleve rajonale të zhvillimit” dhe strategjive të zhvillimit, të bazuar në këtë koncept. Teoria e poleve të rritjes/zhvillimit reflekton dinamikën e ndryshimeve përgjatë kohërave, ndryshe nga teoria vendqendrore që shqyrton ekuilibrin hapësinor në një moment të caktuar[8].
Parimet në bazë të krijimit sistemeve urbane
RedaktoHierarkitë e rregullta urbane që lindin nga bashkëpunimi midis qyteteve nuk lindin në mënyrë të qëllimshme. Struktura e tyre kushtëzohet nga procesi konkurrues i rritjes[9]. Shumëfishimi i mundësive të bashkëpunimit produktiv, vlerësohet si një pjesë e rëndësishme e motorrit të brendshëm që sjell zhvillim urban[10]. Ky bashkëpunim realizohet si rrjedhojë e ndërveprimit hapësinor, në bazë të të cilit janë dy parime që lidhen me afërsinë dhe me arritshmërinë. Parimi territorial, i bazuar në afërsinë e zonave (i matur në km) dhe parimi i rrjetëzimit që e përcakton afërsinë në varësi të kapacitetit për të aksesuar komunikimin në rrjet (matet me indeksin e ndërlidhjes). Këto dy parime funksionojnë gjithmonë të shoqëruar më njëri-tjetrin, sa herë që bëhet fjalë për afërsi.[11]
[1] Simmons.J., L’espace Geographique, n ͦ 2, 1981, 135-142. Doin, 8, Place de l”odeon, Paris- VI
[2] Paccione.M., Urban geography, a global perspective”, Routledge,2009
[3] Knox.P.L., Marston.S. A., Human geography, places and regions in the global context, Pearson, 2007
[4] Paccione.M., Urban geography, a global perspective”, Routledge,2009
[5] Gregory.D., Johnston.R., Pratt.G., Watss.M., Whatmore.S., The dictionary of human geography, Wiley-Blackwell 2009
[6] O’Sullivan.A., Urban economics, Mc Graw Hill, 2009
[7] Hutchison. R., Encyclopedia of urban studies, Sage, 2010
[8] Gootdiener.M.,Budd.L., Key concepts in urban studies, SAGE Publications, 2005
[9] Hutchison. R., Encyclopedia of urban studies, Sage, 2010
[10] Pumain.D, From networks of cities to systems of cities. Rozenblat C., Neal Z. Handbook of Cities and Networks.,
Edward Elgar Publisher, pp.16-40, 2021, Handbook of Cities and Networks, 978-178811-470-7. Ffhalshs-03326154
[11] Pumain.D, From networks of cities to systems of cities. Rozenblat C., Neal Z. Handbook of Cities and Networks.,
Edward Elgar Publisher, pp.16-40, 2021, Handbook of Cities and Networks, 978-178811-470-7. ffhalshs-03326154