Sistemimi i tokave në Shqipëri u bë kryesisht gjatë shekullit të 20-të.

Masat e ndërrmarra janë rregullimi i madhësisë, trajtës dhe relievit të blloqeve e ngastrave të tokave bujqësore. Qëllimet janë të bëhen sa më mirë kullimi, ujitja, punimet dhe shërbimet agroteknike, sikurse të mbrohet toka nga gërryerja (erozioni i dheut) e nga shpëlarja (erozioni ujor).

Pas vitit 1945, janë ndërmarrë punime të gjera për sistemimin e tokave, për të cilat u krijuan kushtet me kolektivizimin e bujqësisë, me organizimin e ekonomive të mëdha socialiste, me shndërrimet që kanë sjellë ndërtimet e veprave të kullimit dhe ujitjes, si dhe zgjerimi i madh i sipërfaqes nën kulturë mekanizimi i punimeve bujqësore.

Tokat fushore, nëpërmjet rrjetit të kanaleve kulluese dhe ujitëse, janë ndarë në blloqe dhe ngastra të rregullta, të lidhura me rrugë. Ndërsa tokat me përbërje të veçantë, si torfike, ranore dhe gurishtore sistemohen në përshtatje me veçoritë përkatëse. Për sistemimin e tokave të pjerrëta, në shumë krahina malore të vendit është zbatuar ndërtimi i brezareve. Sistemimi i tokave të pjerrëta është shtrirë në të gjitha zonat kodrinore e malore. Për tokat arë bëhet bashkimi dhe zgjerimi i ngastrave të vjetra; ndarja e rregullt e ngastrave të tokave të reja, rregullimi i rrjedhjes së ujërave me vija që hapen në gjurmën e brezareve të projektuara. Pas kësaj të gjitha plugimet dhe punimet kryhen vazhdimisht sipas këtyre gjurmëve derisa, me një proces disavjeçar, arrihet në formimin e brezareve të rregullta. Blloqet për pemëtari sistemohen me brezarim të menjëhershëm.

Krahas këtyre zgjidhjeve të përgjithshme, gërshetohen sipas kushteve zgjidhjet me mure, drenimet, vetulloret, vijat kundër gërryerjes, dhe bashkërendimi i arave me breza pemësh.

Shembuj të sistemimit të tokave janë blloqet e mëdha të bregdetit apo Kurora e Tiranës.

Shih edhe Redakto

Burimet Redakto

  • Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)