Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Skanderbeg, Princi i Epirit libër me autor Bernardino De Bindoni, shqipëruar nga Albert Gjoka, Frida Vokopola. Botuar nga Shtëpia botuese "Turdiu" në vitin 2020. Libri ka 186 faqe. ISBN 978-9928-4392-6-0

Për heroin tone kombëtar, Gjergj' Kastn'oti' Skënderbeun, kanë shkruar shkrimtarë dhe historianë në të gjitha kohët dhe gjuhët e botës. Dhe ky libër ndoshta nuk do të shtonte asgjë më tepër nga çfarë kanë përshkruar të tjerët si për figurën e tij, ashtu edhe për betejat e zhvilluara. Por përkthimi i këtij libri kishte për qëllim të sillte dokumente të kohës që gjenden në të, siç janë letërkëmbimet midis Sulltanit dhe Skënderbeut, si dhe përshkrime të tjera me vlera historike.

Libri është botuar në vitin 1544 dhe është bazuar plotësisht në shkrimet e para të dala nga autorët e kohës. Autori kishte lindur në territorin e Milanos dhe më pas qenë transferuar në Venecia dhe duhet të ketë qënë pasardhës i albanëve të vendosur në Itali, mbasi në hyrjen e librit shprehet: "duke ndjekur gjurmët e stërgjyshërve të mi", po ashtu nga dokumentat e Kuria-s Romane në Venecia (Sant'Uffizio di Venezia) del që mbante si pseudonim (sopranome) emrin Pachiucho, emër që duket të korrespondojë me emrin Pashuk në shqip. Së bashku me vëllezërit e tij, Bernardino de Bindoni ka publikuar një numër të konsiderueshëm librash, disa prej të cilëve janë përkthime nga latinishtja në italishten vulgare (gjuha popuilore). Ky libër, i marrë nga Biblioteka Kombëtare e Vjenës, mbart mbi të edhe vulën e Bibliotekës Perandorake dhe Mbretërore të Austrisë, duke dëshmuar kështu vërtetësinë e dokumentit.

Madje, një kopje të librit autori ia pati dërguar edhe vetë Papës, si edhe Sulltanit, në kohën kur ai jetoi. Libri u përkthye nga italishtja e vjetër dhe, duke qenë dokument i vitit 1544, kemi dashur t'i ruajmë origjinalitetin e tij, edhe pse në disa pjesë, veçanërisht në hyrjen e librit, ndihet e fortë fryma e kohës dhe e besimit fetar, sa e sinqertë, ndoshta, aq edhe e pakonceptueshme për kohën tonë, por vlera e dokumentit qëndron pikërisht në origjinalitetin e tij dhe sot ky dokument duhet të konceptohet sipas mentalitetit, besimit dhe traditave të asaj kohe, pa pasur të drejtë as ta paragjykojmë apo të japim gjykime mbi atë periudhë të largët të historisë.