Stebleva

fshat në Shqipëri, në Qarkun e Elbasanit
(Përcjellë nga Steblevë)


Stebleva është një fshat që bën pjesë në zonën e Dibrës me tradita Dibrane, por si ndarje e re territoriale mbas viteve 1990 e administron rrethin e Librazhdit.

Stebleva shtrihet në një lartësi rreth 1200 m mbi nivelin e detit. Ka klime shumë të mirë me ajër të pastër dhe me ujë të kulluar, që del nga burime të shumta natyrore. Pyjet dhe livadhet shumëngjyrëshe mbulojnë territorin e Steblevës që kufizohet me shumë fshatra të tjerë brenda dhe jashtë kufirit.

Stebleva është perlë e vërtete për bukuritë e rralla natyrore që ka. Ajo është shumë e përshtatshme për turizëm, pasi verës ka lulëzim të plotë, ndërsa dimrit mbulohet me borë, pra është e përshtatshme për turizmin e bardhe dhe sportin e skive. Shumë steblevas, tashme biznesmen kanë ndërtuar shtëpi ku qëndrojnë për pushime.

Historiku i shkurtër

Redakto

Fshati fillimisht ishte në Orvenike ose Uraniku që përmendet në histori si bazë e luftës për ushtrinë e Skënderbeut. Fshati ka qenë shumë i vjetër dhe nuk dihet së kur është krijuar. Fshati ishte në pozicion shumë të mirë, por kishte një burim uji. Gradualisht njerëzit filluan të largohen në një vend tjetër jo shumë larg, por që kishte ujë të bollshëm si për njerëzit ashtu edhe për bagetite.

Fshati ka pasur tradita te forta shqiptare (tradita Dibrane, këtë e tregon mënyra se si jetonin steblevasit). Te gjithë banoret e këtij fshati e mbajnë mend shumë mirë se si i organizonin dasmat, ku në krye të dasmës qëndronte flamuri shqiptar, njerëzit kanë pasur virtyte të larta.

Steblevasit kanë pasur shumë unitet midis tyre, ndaj kanë arritur të mos lejojnë cenimin e tokave të shumta, që nga sipërfaqja ia kalojnë te gjitha fshatrave të tjera përreth. Steblevasit janë shquar për tregti në çdo kohë. Qe para vitit 1900, siç tregonin pleqtë e vjetër.

Steblevasit kanë pasur dyqane

  • Elbasan : Kormakajt, Gjinajt, Lamajt, Amdiajt, etj.
  • Kavaja : Murat Lama nga Stebleva ka qenë më i miri për prodhimin e byreqeve dhe ka këngën "O usta Murat" që këndohet edhe sot.
  • Tiranë : Kucukajt, Kurtajt, etj.
  • Durrës : Dan Agushi, Ibrahim Avda, etj.
  • Strugë si dhe në Oher, Shkup e ne disa qytete te tjera : më të dëgjuarit janë në Stamboll që janë edhe sot e kësaj ditë tregtare të mëdhenj.

Tani në Tiranë janë të dëgjuar shumë tregtare nga Stebleva. Steblevasit janë marrë e merën edhe me ndërtim si dhe janë të interesuar për dije. Gati çdo familje ka nga një ose më shumë pjesëtar me arsim të lartë. Disa prej tyre janë pedagoge në Tiranë. Fshati ku tradita kulturore e artistike që janë trashëguar brez pas brezi.

Natyra, njerëzit e bëjnë Steblevën shumë të dashur për vizitorët.

STEBLEVA, VENDBANIM I LASHTË nga Shoqata Stebleva (Studim toponimastik)

Redakto

Për të nxjerrë një përfundim shkencor për lashtësinë e një vendi apo vendbanimi duhen shumë fakte dhe argumenta, nga 2-3 burime të ndryshme, të shkruara apo të transmetuara gojarisht brez pas brezi.

Këto fakte dhe argumenta janë :

1. Gjuha e folur dhe e shkruar.
2. Veprimtaria ekonomike në të gjitha periudhat e ekzistencë së këtij vendi.
3. Etnografia, të gjitha materialet e trashëguara.
4. Mbetjet arkeologjike, materialet e gjetura dhe të ruajtura, të skeduara.
5. Ritet dhe zakonet që përdor zona.
6. Religjionet, besimet fetare, kultet, institucionet fetare, vendet e shenjta etj.

Të gjitha këto fakte dhe argumenta trajtohen sipas pozicionit gjeografik të vendit.

E kanë thënë edhe studiues të tjerë dhe është fakt i pamohueshëm se Stebleva ka qenë dhe është edhe sot një nyjë e rëndësishme kalimi për zonën e Strugës, Dibrës, Librazhdit, Elbasanit dhe më tej drejt Manastirit e Selanikut, drejt Shkupit dhe Evropës Qendrore, drejt Tiranës, Durrësit dhe Italisë.

Dhe nyje të tilla historikisht kanë njohur dhe njohin zhvillime të papara.

Do të përqendrohemi tek studimi mbi toponomastikën e Steblevës, pra për shpjegimet e emrave të vendeve të këtij fshati të madh me rëndësi strategjike.

Vetë emri Steblevë vjen nga tog fjalëshi s’të + bleva, pra nuk të bleva dhe lidhet me përpjekjet e dështuara të disa pasanikëve dhe ofiqarëve të Dibrës së Madhe për të ble pyjet dhe kullotat e bukura dhe të begata të Steblevës. Por steblevasit kishin bërë një itifak për të mos shit asnjë pëllëmbë tokë të huajve (jo steblevas).

Togfjalëshi dolo-ec emërton një lumë, përrua që ndan fshatin e Steblevës në dy lagje, që quhen Soskamalla dhe Leskamalla. Kuptimi i fjalës dolo-ec është po dole, ec, po kalove ec, sepse lumi është i vrullshëm dhe të merr me vehte, kaloje lumin sa pa u bë, i pakalueshëm.

Edhe togfjalëshi kap-ec, ka kuptimin po e kape, po e arrite, ec se nuk ke më vështirësi sepse ka të bëjë me relievin e lagjes së tretë të Steblevës Upra. Është një e përpjetë 300-400 metra deri në rrafshnaltën e Vërnicës.

Fjala murin do të thotë mbërrijnë (qiraxhinjtë, tregtarët). Arritën tregtarët. Stebleva historikisht është marrë me tregti dhe ka pritur dhe përcjellur qiraxhinj e tregtarë. Pra siç e shpjeguam edhe në fillim ka qenë nyje dhe qendër, kryqëzim kulturash dhe tregtarësh.

Murin quhet rruga në krye të fshatit, ku çdo gjë duket si në pëllëmbë të dorës.

Ka edhe toponime ilire si p.sh Dragan, Ongjer etj. Dragan është emërtuar mali dhe liqeni që i rri si kurorë fshatit. Me figurën mitologjike të Dragoit është personifikuar gjëja më e çmuar dhe më e bukur e fshatit, mali dhe liqeni i Draganit.

Ongjer quhet kodra karakteristike e fshatit e cila ka marrë emrin e engjëllit, dhuratë perëndie. Nga maja e kësaj kodre të bukur mbi 400 metra të lartë, nga një sofër e bukur natyrore shihet Elbasani, Dibra, Ohri, lugina e Llakaicës dhe të gjitha bukuritë e zonës.

Po kështu me origjinë ilire është edhe emri i malit të Stratorit, që ka të bëjë edhe me bukuritë e natyrës.

Toponimet që përmendëm më sipër janë të hershme, janë fjalë ilire që i përkasin kohës së para Krishtit dhe janë në dialektin verior të ilirishtes së vjetër.

Tani do të sjellim edhe argumenta të tjera në fusha të ndryshme.

Do të merremi me argumentat e botëkuptimit dhe të shpjegimit të dukurive njerëzore që e kanë fillesën e tyre që në epokën para Krishtit. Komuniteti i Steblevës përfshihet në zonën e fiseve ilire që jetonin në trojet e qarkut të sotëm të Elbasanit dhe të Dibrës. Dita e manifestimeve të riteve pagane ka qenë 14 marsi, me veprimtari të të gjitha moshave dhe sekseve. Elbasani, Dibra dhe Stebleva e kanë të çmuar veçanërisht këtë festë, që tashmë është bërë edhe festë zyrtare. Ardhja e sllavëve në Ballkan në shek e VI të Erës së Re përbën një ndryshim të madh në jetën dhe veprimtarinë jetësore të fiseve ilire, veçanërisht të atyre që banonin në pjesën veriore dhe lindore të Ballkanit.

Komuniteti i Steblevës i ndodhur në pjesën lindore të gadishullit u ndodh para një situate të vështirë ekonomike, sociale dhe shpirtërore. Banorët e Steblevës në ato vite ishin katolikë, të krishterë dhe manifestonin konservatorizëm për ruajtjen e kësaj feje, këtij religjioni. Ndikimi nga Vatikani ka qenë i pranishëm. Ndarja e Perandorisë Romake në atë të Perëndimit dhe në atë të Lindjes që përcaktoi edhe lindjen e dy rrymave fetare : atë katolik dhe atë ortodoks që ishte më liberal. Kjo ndarje fetare çoi edhe në ndarje faktike tokësore dhe demografike. Besimi ortodoks, më liberal se katolicizmi lejonte një bashkëjetesë më të lirë me religjionet e tjera.

Steblevasit që e kishin tregtinë veprimtarinë e tyre kryesore për jetesë u përshtatën shpejt edhe me realitetin e ri pas dyndjeve sllave. Vetë pozicioni i saj gjeografik si nyjë e madhe rrugore dhe kryqëzim njerëzish, kulturash e tregu, gjerësia e madhe e rajonit të saj, u bënë shkaku kryesor i lakmive të të huajve, gjë që ua shtoi edhe më shumë vuajtjet steblevasve.

Komuniteti steblevas pësoi ndryshim themelor në fushën e konvertimit të gjuhës. Dikujt i jep përshtypjen se steblevasit janë sllavë, pasi nisen vetëm nga gjuha e folur. Të dhënat historike, arkeologjike dhe etnografike vërtetojnë të kundërtën. Gjuha e folur është përdorur për të mbijetuar. Dygjuhësia e ka ndihmuar komunitetin të mbijetojë, por nga ana tjetër të dy gjuhët janë bërë pjesë e ndërgjegjes dhe formimit të komunitetit.

Ruajtja me fanatizëm e territorit dhe e kufijve kaloi nëpër periudha të vështira historike si ato të luftimeve kundër serbëve dhe bullgarëve, por edhe gjatë periudhës diktatoriale duke çuar në tapinë e vitit 1937 që e trashëguam deri më sot.

Stebleva sot ka një territor të gjerë të paparë që nuk e ka asnjë fshat në Shqipëri si përsa i përket fushave, pyjeve, kullotave, maleve, rrafshnaltave, liqeneve etj që fatmirësisht po mbrohen edhe sot nga banorët e Steblevës

Destinacioni turistik i Steblevës nga Shoqata Stebleva

Redakto

Si pjesë e Dibrës dhe e gjithë Shqipërisë ajo ka përfaqësuesit e vet legjitim në organet e pushtetit vendor dhe qendror. Stebleva ka traditat më të mira të trashëguara brez pas brezi. Ajo nuk njeh fenomene negative si, vjedhje, hasmëri, drama familjare etj. Në këto vitet e fundit përfaqësuesit e pushtetit lokal, drejtuesit e shoqatës “Stebleva” bënë që Stebleva të shpallet me vendim Qeverie Park Kombëtar. Ka filluar rikonstruksioni i rrugës automobilistike Librazhd-Steblevë, që ka vajtur deri në afërsi të Lunikut. Nga ana tjetër me porosi të Kryeministrit Berisha do të fillojë degëzimi i rrugës së Arberit Shupenzë-Gollobordë-Steblevë.

Duke analizuar potencialin natyror dhe trashëgiminë kulturore të zonës së Steblevës mund të themi se kjo zonë ka destinacion turistik që mundëson zhvillimin e disa tipeve të turizmit, kryesisht të brendshëm. Zona e Steblevës përbën një vend pritës polifunksional ku ekzistojnë disa faktorë që i tërheqin vizitorët të lëvizin drejt saj. Nga pikëpamja kohore e shpërndarjes së flukseve të turistëve brenda harkut kohor të një viti, kjo zonë është dysezonale, pasi fluksi turistik mund të përqendrohet në dy stinë.

Ajo mund të shërbejë si qendër turistike për zhvillimin e turizmit për sportet dimërore, dhe si qendër turistike për turizmin klimaterik veror. Oferta turistike e ndërtuar mbi bazën e të mirave natyrore dhe shoqërore që ka zona, i përgjigjet kërkesave turistike të motivuara : nga malli për vendlindjen, nga nevoja për ajër të pastër e klimë të shëndetshme, nga dëshira për të ruajtur traditat kulturore, folklorike dhe religjioze si dhe nga aspektet e agroturizmit dhe ekoturizmit.

Qendra e turizmit klimaterik malor ngrihen në vende ku kushtet klimaterike janë më të mira se ato të vendbanimit të përhershëm. Klima është motivi kryesor tërheqës, që i shndërron këto vende në destinacione turistike. Kjo zonë karakterizohet nga një klimë me ajër të pastër dhe të shëndetshëm që shkarkohet nga lartësia mbi nivelin e detit mbi 1000 metra, nga prania e pyjeve, nga ujerat e ftohtë si dhe nga fakti që kjo zonë është tërësisht me orientim bujqësor dhe blegtoral, faktorë këta që i motivojnë turistët potencialë në përzgjedhjene destinacionit turistik në kërkim të kushteve më të mira. Të ardhur në këto zona për turizëm klimaterik janë ish banorët e kësaj zone dhe të përdorin për struktura akomoduese shtëpitë e tyre, por mund të jenë edhe persona të tjerë që udhëtojnë të shtyrë nga kurioziteti për këto vise të bukura dhe për të kaluar disa ditë në ajrin e pastër dhe klimën e mrekullueshme të zonës sonë. Këta vizitorë mund të sistemohen në shtëpitë e fshatarëve si miq por dhe me gjera. Tani së fundi disa biznesmenë dhe investitorë vendas kanë ndërtuar edhe shtëpi të vogla turistike.

Do të ishte me interes që të bëhen organizime në disa vende të spikatura si pranë burimeve të Mllaçes, Visharica, Mali i Mirakës, Dragan, Kallkan, etj., të ngrihen edhe kampingje me struktura modeste akomoduese për të tërhequr grupe të organizuar, kryesisht fëmijë dhe pushues të brezit të tretë, pensionistë nga qytetet rreth zonës. Ky do të ishte një apel për të gjithë banorët e zonës, për pushtetin lokal, si dhe për fondacione të ndryshme që veprojnë në zonë, për të ndihmuar banorët rezidentë në rinovimin e shtëpive të tyre ekzistuese sipas të gjitha standardeve për jetesë normale, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës, kryesisht rrjetit rrugor të fshatrave, fuqizimin e rrjetit elektrik, funizimin me ujë të pishëm etj.

Rritja e madhe e sporteve dimërore ka bërë që shumë vende me kushte klimaterike të përshtatshme, të afirmohen si qendra të pajisura për këto veprimtari. Stebleva dhe Klenja me malet e saj ofron mundësi për zhvillimin e sportit të skive. Ky sport ka qënë traditë, duke u përfaqësuar e vlerësuar dhe në aktivitete kombëtare. Sporti i skive mund të organizohet në qendra të caktuara për të pritur turistët që vijnë për pushime apo enkas për të ushtruar sportin e skive. Këto qendra do të jenë të pajisura me struktura pritëse dhe lokale për depozitimin e skive. Gjithashtu ekzistojnë dhe qendra ku grumbullohen njëkohësisht dhe ata që pushojnë, edhe ekskursionistët, të cilat edhe këto do të jenë të pajisura me struktura pritëse dhe parapritëse si restorante, parkinge etj. Karakteristikë e përgjithshme e qendrave të skive është pajisa e tyre me pista, me impiantet e ngjitjes, shkollën e skive, shërbimet tregtare, lokale argëtimi etj.

Zona jonë do të ishte shumë tërheqëse nëqoftëse do të mendohej për ngritjen e qendrave të tilla të kompletuara edhe me shkollën e trajnimit të skiatorëve, me qellim që tradita e nisur të vazhdoj edhe më tej, e këto sidomos në Raduç, Vetarnik, etj.

Prej shumë vitesh po zhvillohet një lloj turizmi që lidhet me mjedisin rural. Personat që spostohen nga vendbanimet e tyre të përhershëm dhe që duan të kalojnë një periudhë kohe larg vendbanimeve me mjedise të ndotura urbane, kërkojnë sisteme të tjera pushimi në vende rurale. Pritja e turistëve këtu mund të bëhet në hotele, pensione, kampingje, apartamente të lëna me gjera, në shtypi të dyta të fshatarëve etj.

Agroturizmi përfaqëson atë lloj turizmi që është i lidhur me fshatin, ku krahas veprimtarive argëtuese turistike zhvillohen edhe veprimtari të tjera karakteristike të zonës si korrje, vjelja e frutave, përgatitja e ushqimeve, ëmbëlsira të veçanta, punime artizanale etj.

Pushimi nëpërmjet agoturizmit nuk përfshin vetëm momentin e pushimit apo një argëtim të thjeshtë, por paraqet mundësi për t’ju përkushtuar veprimtarive që synojnë të pasurojnë personalitetin e turistit. Pra bëhet fjalë që të praktikohen pushime inteligjente, të stimuluara në mënyrë të kulturuar ku koha kalohet sipas dëshirave të turistit. Format e agroturizmit janë të shumta. Ato ndryshojnë sipas vendeve dhe brenda vendit, sipas rajoneve për nga karakteristikat e pritjes, shërbimeve te afruara, mjedisi, kushtet natyrore etj.

Agroturizmi ose turizmi rural është motivi më tërheqës për lëvizjet, kryesisht të ish-fshatarëv të kësaj zone, drejt saj. Këta turistë mund të sistemon në shtëpitë e tyre të dyta, në shtëpi të fshatarëve të dhëna me gjera apo si miq të tyre.

Gjatë qëndrimit turistik në kohë të ndryshme të vitit ato, krahas shfrytëzimit të të mirave turistike që afron destinacioni, mund të zhvillojnë një pushim aktiv duke duke u angazhuar në punë të ndryshme të fshatit sipas stinës si : kositje bari, të korra, vjelje frutash, punime të ndryshme artizanale.

Me interes do të ishte ripërtëritja e punishteve për përpunimin e kostumeve popullore të zonës, të cilat janë ndër më të bukurat.

Ekoturizmi mund të gjeneroj në të vërtetë të ardhura të larta për ekonominë lokale e rajonale ; të stimulojë qëndrimin publik dhe atë zyrtar në drejtim të ruajtjes së mjedisit. Ekoturizmi kombinon kënaqësinë e zbulimit e të përjetimit të florës e faunës me mundësitë për të kontribuar në ruajtjen e tyre. Ai mund të përkufizohet si udhëtim në zonat natyrore të qeta dhe të pa ndotura, si një veprimtari njerëzore që respekton dhe shfrytëzon pasuritë natyrore dhe harmonizon njeriun me mjedisin, ku si objektiv kryesor i tij është studimi, admirimi, përjetimi i pamjeve dhe botës së gjallë si dhe të çdo manifestimi kulturor të pranishëm në këto zona.

Ekoturizmi fillon me një shëtitje të zakonshme përmes një pylli të qetë deri në eksplorimin dhe studimin e karakteristikave natyrore origjinale të viseve të largëta. Parqet natyrore, rezervatet e gjuetisë, peizazhet e mbrojtura etj, janë rajone ekoturistike që tërheqin vëmendjen e turistëve për vlerat rekreative, edukuese dhe estetike të tyre.

Shërbimet bazë për zhvillimin ekoturizmit, për t’a bërë atë një faktor të rëndësishëm ekonomik të një rajoni, janë sigurimi i transportit dhe infrastruktura, ndërkohë që për kushtet e sistemimit dhe të ushqimit kërkesat mund të jenë shumë modeste.

Ndërtimet në këto qendra turistike janë të kontrolluara dhe në harmoni të plotë me mjedisin për rreth. Qendrat turistike të ekoturizmit janë mjedise të mbrojtura, të cilat janë të vendosura në relieve dhe kushte klimaterike të ndryshme.

Ata paraqesin ekosisteme të cilat nuk mund të transformohen nga veprimtaritë e njerëzve, qofshin këto rezidentë apo turistë.

Bota bimore dhe shtazore në këto mjedise ka interes të madh nga pikëpamja shkencore dhe ekoturistike. Pyjet e bukura, kullotët alpine në Raduç, Kallkan, Visharica, Dragan, Mali i Letmit, Steblevë, Moglicë,Okshtun, Prodan, etj, janë mjaft tërheqës për ngulmime turistike apo dhe ekskursione. Por ato duhet të zhvillohen si zona turistike të mbrojtura për të ruajtur bimësinë, lulet e rralla, duke kontrolluar grumbullimin e bimëve medicinave nga më të shumëllojshmet, gjuetinë etj.

Së fundi, del se destinacioni turistik i Steblevës me ofertën e tij hyn në tregun turistik për atë segment të kërkesës të përbërë kryesisht nga banorë të saj të shpërngulur në qytetet më të mëdha të Shqipërisë, të motivuar kryesisht nga malli për vendlindjen, nga miqësitë e tyre etj.

Gjithashtu për këtë destinacion mund të ketë interes edhe nga vizitorë të brendshëm, të huaj, të motivuar nga kurioziteti, natyra e bukur apo dhe biznesi për të shfrytëzuar burimet natyrore si lëndë drusore, ujërat e kristalta, bimësinë etj.

Fondacioni Gjerman GTZ, Co-Plan në Tiranë dhe Banka Botërore kane hartuar projekte zhvillimi për Steblevën, të nxitur nga shoqata Stebleva dhe këshilli i kësaj komune. Çdo individ nga Stebleva duhet të behet aktor dhe veprimtar në këto veprimtari.


Vende me bukuri të veçantë në Steblevë nga Shoqata Stebleva

Redakto

• FUSHA E STEBLEVËS, E PËRSHKRUAR NGA UJËRA PA MBARIM • MALI I RADUÇIT, ME NJË LARTËSI 2082 METËR • MALI I DRAGANIT, (SHKËMBI I DRAGANIT) • LIQENI I DRAGANIT, KANIONET E LIQENIT • ÇAJRET E THATA, • LIVADHET E VISHARICËS, • KALLKANI, ME MAJËN E TIJ 2134 METRA • MALI I STRATORIT DHE BURIMET QË RRJEDHIN PREJ TIJ, • PYJET E MLLAÇËS, • PYJET E KUSARIT, • PËRROI I GOVATAVE, • ÇEZMA E ATATURKUT • VAKËFI I STEBLEVËS, FUSHA DHE PYJET RRETH TIJ etj

Të gjitha këto vende krijojnë një ansambël të pakrahasueshëm bukurish. Pemët e drurëve janë të shumëllojshëm, ahe, pisha të zeza, lisa, bredha të bardhë, panja, vidh, etj. Ka gjithashtu bimë mjekësore të shumta si boronica, qershi e egër (gjethe dhe kokërr), dëllinjë e zezë dhe e kuqe, lule balsami, aguliçe, rrënjë salepi, rrënjë sanzi, disa lloj tërfilesh, të cilat mblidhen nga banorë të zonës.

Në këto masive pyjesh jetojnë edhe shumë kafshë të egra si ariu, derri i egër, ujku, dhelpra, kaprolli, lepuri etj Jetojnë edhe shumë shpendë të egra si qyqja, harabelat, thëllëza e malit, pëllumbat e egër, grifsha, skifteri dhe dhjetëra lloj zogjsh.

Mbi të gjitha dhe ajo që lamë pa përmendur, por që nga rëndësia është e para është ana shëndetësore. Këto perla të natyrës ofrojnë ajër të pastër, ujë të ftohtë mineral me veti të rralla kuruese, ofrojnë qetësi shpirtërore. Të gjitha këto pasuri natyrore, këto bukuri mahnitëse, të lihen pa shfrytëzuar nga shqiptarët është një padrejtësi e madhe. Ky turizëm malor nuk kërkon shumë investim vetëm pak promocion dhe infrastrukturë. Shoqata „Stebleva“ po punon në këtë drejtim. Ajo ka nevojë për mbështetje nga strukturat e shtetit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, nga Ministria e Brendshme dhe Pushteti Vendor.

Para disa kohësh Stebleva u vizitua edhe nga një ekip i Bankës Botërore për mbështetjen e pyjeve që u njoh me këto resurse e bukuri natyrore dhe u befasua nga këto pasuri natyrore.

PERLË E NATYRËS SHQIPTARE

Në skaj të Shqipërisë verilindore ndodhet një vend i bukur, mrekulli e natyrës, që quhet Steblevë. Mijëra pushtues u turrën ta bënin të tyren dhe s’e bënë dot. Qindra tregtarë u turrën ta blenin dhe s’e blenë dot. Gojë më gojë ka ardhur emri dhe gojdhana : ”Moj e bukura Steblevë, me para s’të bleva dot. ”Mrekulli të tillë si Stebleva nuk mund të shiten dhe të blihen. Kush ka jetuar në Steblevë dhe nuk është dashuruar me të.

Vende të tilla si Fusha e Steblevës, Mali i Raduçit, Mali i Draganit, Liqeni i Draganit, Gështenjat e Egra, Lulet tek Fusha e 30-ës, Çajret e thata etj janë perla të natyrës shqiptare.

Ejani në Steblevë

Redakto

Resurset (burimet) natyrore të Steblevës janë të shumta e të pasura. Ato mund të kthehen në një zonë të pasur turistike të njohur për rajonin e më gjerë.

Cili është pozicioni fiziko-gjeografik i Steblevës ? Komuna e Steblevës shtrihet në pjesën më veriore të rrethit të Librazhdit dhe pjesën lindore të Shqipërisë në kufi me Maqedoninë. E vendosur mes bjeshkëve dhe pyjeve të shumtë, duke filluar nga Fushë-Studna me fshatin Llangë e duke përfunduar në Malin e Carit, përpjetë Përroit të Govatave tek Guri i Shqipes në kufi me Maqedoninë.

Ka një histori të lashtë por ka dhe një territor të shkëlqyer, sa piktoresk aq edhe mbresëlënës për vetë banorët e mysafirët, për çlodhje, natyrë të qetë, ajër të pastër, bukuri të rrallë dhe sigurisht për investime në funksion të shoqërisë.

Fusha e Studnës, Fusha e Kucovës, Fusha e Draganit, Fusha e Mllaces, Fusha e 30-tës (tek piramida) janë një perlë e vërtete dhe vënde që afrojnë mundësi të mëdha për turizëm veror dhe dimëror. Këto fusha shtrihen nga 1200 metra deri në 1800 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë që bukurinë ua shtojnë tej malet e kodrinat e bukura që shtrihen pranë tyre si Mali i Gurit, Mali i Zylit, Mali i Mirakës, Mali i Kallkanit, Mali i Raducit, Mali i Carit etj, që janë të lartë, të bukur, kreativë, shumë tërheqës për çdo vizitor autokton apo të ardhur.

Njëkohësisht, krahina dhe fshati i Steblevës janë të përmendur tradicionalisht për breza mjeshtrash ndërtimi që kanë ndërtuar kryevepra në gjithë Shqipërinë, në vende të ndryshme Evropiane e jashtë Evropës.

E krahas fisnikërisë, trimërisë, bujarisë, historia flet gjithashtu për marrëdhënie tepër të ngushta të banorëve të Steblevës me fqinjët e më gjerë.

Duart e arta dhe veprat cilësore të steblevasve do i shikosh edhe në vepra arti, kisha e xhami në Tiranë, Gjirokastër e rrethe të tjera të vendit. Këta banorë, të parët e të cilëve kanë lindur e janë rritur në këto troje, në këto mrekulli e resurse të rralla të natyrës, ndër dekada e shekuj, me këto resurse kanë mbijetuar.

Bukuritë mahnitëse të Fushë-Studnës, Kucovës e Draganit, gjatë verës e gjatë dimrit, mund të bëhen vende turistike ndjellëse për kategoritë e ndryshme të turizmit. Në këtë zonë janë në mbarështrim rreth 10.000 hektarë me pyje e afro 7000 hektarë me kullota dhe livadhe alpine. Mes këtyre bukurive të vendlindjes sonë duhet të përmendim dhe liqenin natyral të Draganit së bashku me dy kodrat e mermerta që janë monument i rrallë natyror, që mahnisin me bukuritë e tyre vendasit por dhe vizitorë të shumtë që kanë udhëtuar e udhëtojnë deri atje.

Lista e perlave të vendlindjes është e gjatë, ku duhet përmendur dhe Varri i Gjizaxhiut, Kodra e Borovës që për vetë vendodhjen pranë aksit të rrugës nacionale Librazhd-Dibër, afrojnë mundësi të mëdha infrastrukturore për shlodhje, argëtim dhe investime të qëndrueshme e dobiprurëse.

Gjithashtu, në këtë zonë ka një shumëllojshmëri bimësh medicinale si dëllinja e zezë, trëndafili i egër, hithra, luleshtrydhja, mjedra, salepi, njëmijëfletëshi, shtogu, boronica, dhjetëra lloje kërpudhash me shije të pa krahasueshme e me vlera të shumta mjedisore e potenciale ekonomike ende të pa shfrytëzuara.

Këto pasuri natyrore janë një ftesë ndaj atyre që duan të kthehen në vendlindje për të investuar.