Teatri i Hapur i Tiranës ose Amfiteatri i Tiranës (rindërtuar maj 2018) është arena më e madhe e kryeqytetit me një kapacitet prej 1334 vendesh. I pajisur me një skenë të mbuluar e me ndriçim të përshtatshëm do mirëpresë publikun me koncerte, festivale, teatër, shfaqje të cirkut e kinema verore në të katër stinët, duke e shndërruar këtë pjesë të Tiranës në një pikë të rëndësishme kulturore e argëtimi për qytetarët.

Projekt-ideja si dhe vendndodhja e Amfiteatrit (Teatrit të Hapur) u hodh nga arkitektja Valentina Pistoli në 1957 dhe u ndoq nga një grup inxhinierësh bullgarë të kryesuar nga arkitekti Zheko Zhikov në vitin 1961. Gjithçka mbeti në letër pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe vetëm pas një boshllëku 13-vjeçar Byroja e Projektimit në Komitetin Ekzekutiv mori detyrën për realizimin e tij në Parkun e Madh të Liqenit Artificial. Projekti iu besua inxhinierit Temo Vito në 1973 dhe realizimi u mor përsipër nga Kantieri i Ndërtimit “21 dhjetori” duke iu përshtatur gjelbërimit të zonës, pjerrësisë natyrale të kodrinës dhe ruajtjes së gjithë strukturës së tokës. Objekti, i pajisur edhe me skenën, podiumin, dhomat e zhveshjes së artistëve, gjithashtu edhe me sallën teknike nga ku projektohet në skenë, u inaugurua në pranverën e vitit 1974, duke u kthyer në arenë aktivitetesh. Pas viteve ‘90 fama e tij erdhi duke u zbehur, jo vetëm në repertorin e aktiviteteve, por edhe në mirëmbajtjen fizike. Ulëset prej betoni u degraduan nga viti në vit duke shkuar drejt rrënimit. Bashkia e Tiranës, pasi testoi për dy vjet rresht interesin e publikut me aktivitete të shumëllojshme, nisi rehabilitimin rrënjësor të tij në vjeshtë të vitit 2017 për të përfunduar në maj të 2018.[1][2]

Referime

Redakto
  1. ^ Websajti Zyrtar (Bashkia e Tiranes). "Teatri i Hapur (Amfiteatri)". Marrë më 31 maj 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Top Channel (20 prill 2018). "Teatri i Hapur së shpejti gati, kjo është arena e re e artit". Marrë më 31 maj 2018. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)