Themeluesi - Lidershipi i Ismail Qemalit

This is the stable version, checked on 3 nëntor 2024. 12 pending changes await review.

Evarist Beqiri u lind më 25 shtator 1982, në Vlorë. Në vitin 2007 diplomohet “Jurist” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Po aty në vitin 2011, kreu studimet Master i Nivelit të Dytë. Në vitin 2010, përfundon Shkollën e Studimeve Politike të Këshillit të Evropës. Në vitin 2017, fiton gradën shkencore “Doktor” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë.

Prej më tepër se 15 vitesh ka shërbyer në administratën publike shqiptare në fushën e sigurisë kombëtare (11 vite në pozicione drejtuese). Në vitet 2018-2024, ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Institutit të SHISH. Në vitet 2013-2018, ka mbajtur pozicionin e kryetarit të degës juridike të SHISH. Në vitin 2021, ka kryer Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, kurs në të cilin është edhe lektor prej vitit 2021.

Ka kontribuar si lektor në një sërë trajnimesh për sigurinë kombëtare, organizuar nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht është konsulent ndërkombëtar i UNODC dhe OSBE-së.

Njëkohësisht prej vitesh Evarist Beqiri është lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në lëndën: E Drejta Kushtetuese. Për 9 vite ka qenë lektor në Universitetin “Luarasi”, Fakulteti i Ekonomisë, në lëndën: Lidershipi. Ka botuar gjithashtu një parathënie origjinale në librin e përkthyer prej tij “Lidershipi i John F. Kennedy” (2013).

Në vitin 2022, ka botuar librin “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”. Me këtë botim është vlerësuar nga platforma “Bukinist.al” dhe blogu “Leximtari”, si libri më i mirë i vitit 2022, në kategorinë e librit non-fiction dhe studimor. Njëkohësisht, libri “Themeluesi” është shpallur finalist i çmimit “Lumo Skëndo”.

Mbi librin

Libri Themeluesi - Lidershipi i Ismail Qemalit' me autor Evarist Beqiri, është botuar në Tiranë nga "MediaPrint". Viti i botimit 2022. Libri ka 420 faqe. ISBN: 9789928086013. Libri është përditësuar në botimin e dytë të vitit 2023. Botimi i dytë ka 440 faqe. ISBN: 9789928086655.

Kjo është biografia e munguar e Ismail Qemalit. Për herë të parë një botim i plotë për Ismail Qemalin si LIDERSHIP! Një libër që duhet ta ketë çdo shqiptar në bibliotekën e tij!

                                                          - MediaPrint

Veç mitit të krijuar, pak dihet dhe pak flitet për aftësitë e vërteta dhe të jashtëzakonshme të lidershipit të Ismail Qemal Vlorës. Lidershipi është një rrugëtim e jo një destinacion. Ismail Qemal Vlora përgjatë gjithë jetës u shqua si një lider i shkëlqyer. Një njeri i drejtë dhe i ndershëm, i cili besonte në atë që predikonte dhe në atë që bënte. Ai ishte i duruar, këmbëngulës dhe i qëndrueshëm. Ai kërkonte që t’i bindte dhe motivonte të tjerët dhe jo t’i detyronte ata drejt realizimit të synimeve të përbashkëta. Ai veproi në kohën e duhur dhe me stilin e tij të lidershipit arriti të themelonte një shtet. Ismail Qemali pati përballë pengesa thuajse të pakapërcyeshme, por me gjeninë e tij ai shpalli Pavarësinë, pa një ushtri dhe pa zhvilluar luftë. Është fati ynë që kemi pikërisht atë themeluesin e shtetit shqiptar dhe modelin par excellence ku mund të mësojmë e të frymëzohemi, për të tejkaluar sfidat e së ardhmes. Lidershipi është një proces i ndërlikuar, por në thelb ai ka të bëjë me aftësinë e liderit për të formësuar mendimet dhe veprimet e atyre që ai udhëheq. Një lider është i aftë të realizojë ndikimin nëse arrin të kuptojë se, përse njerëzit me të cilët ai punon, mendojnë, ndihen dhe sillen ashtu siç bëjnë. Ismail Qemali i kishte të qarta synimet që donte të arrinte. Ai ishte i aftë të kontrollonte, organizonte, mbikëqyrte dhe analizonte. Lidershipi është një kombinim midis fuqisë së karakterit dhe strategjisë. Karakteri është thelbi i lidershipit. Edhe zgjuarsia, edhe strategjia luajnë rolin e tyre, por pa karakterin e fortë ato nuk shërbejnë shumë.

Disa nga cilësitë e lidershipit të tij i shohim natyrale, disa ai i zhvillon me vetëdije përgjatë jetës së tij. Studimet mbi lidershipin evidentojnë si element thelbësor të këtij procesi liderin dhe kontekstin ku ai bashkëvepron me ndjekësit. Rrethanat shoqërore, historike, politike dhe mjedisi ku lideri vepron kanë rëndësi dhe nxjerrin në pah cilësitë e veçanta të tij.

Ismail Qemal Vlora nuk ishte një njeri perfekt dhe për më tepër ai nuk udhëhiqte njerëz perfekt. Por, ai i donte pa kushte njerëzit e tij dhe synonte përsosmërinë. Ai ishte kurdoherë një mbrojtës i flaktë i interesit publik, si në periudhën kur shërbeu si funksionar i lartë i Perandorisë, ashtu edhe kur i shërbeu shtetit shqiptar.

Lidershipi, më tepër se një disiplinë shkencore është arti i udhëheqjes së njerëzve nga vetë njerëzit. Kthimi pas në kohë për të ravijëzuar dhe karakterin e personazheve që kanë bërë krenare historinë tonë është një mënyrë jo vetëm për t’i kujtuar, por edhe për të ndërtuar veti dhe elemente që posedon një lider i vërtetë.

Ismail Qemali është lideri transformues, i cili afron diçka për t’u përvetësuar nga brezat e rinj të liderëve dhe te biznesit. Stili i lidershipit dhe filozofia e udhëheqjes së Ismail Qemalit paraqet interes për liderët e tanishëm.

                                                                      - Evarist Beqiri

Vlerësime për librin:

“Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpasherëshme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrij këtë gjë padyshim.”

                                                   - ISMAIL KADARE

"Rast i shkëlqyeshëm leximi i këtij libri shumë inspirativ, mbi lidershipin e "Atit Themelues" të Shqipërisë. Evarist Beqiri është një djalë i mbarë, një burrë i vërtetë shqiptar. Figura e Themeluesit duhet e freskët dhe frymëzuese në çdo ditë të jetës sonë si shqiptar. Kush nuk di sa duhet për Ismail Qemal Vlorën, nuk di mjaftueshëm për shtetin shqiptar. Ky libër duhet të jetë në çdo bibliotekë familjare shqiptare. Ismail Qemal Vlora është Themeluesi i Shqipërisë, gjeniu shqiptar i diplomacisë.”

                                                   - MILAZIM KRASNIQI

"Për stilin e të shkruarit të Evarist Beqirit, unë do t'i referohesha eseve memorialistike dhe profileve të Stefan Cvajg, për zhdërvjelltësinë e stilit dhe karakterizimet."

                                                           -Aleksandër Çipa

"Evarist Beqiri ka shkruar një libër të shkëlqyer. Libri është shkruar me një stil tërheqës dhe elegant, me të dhëna të shumta, të rralla e të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare."

                                                            - Ethem Ruka 

“Libri me titullin kuptimplotë “Themeluesi”, i shkruar me shumë dashuri nga studiuesi i ri, Evarist Beqiri, më shtyu të thërras edhe njëherë së brendshmi se Ismail Qemal Vlora është figura më e ndritur politike e Shqipërisë moderne dhe bashkëkohore. Ky është modeli i liderit që ne duam sot! Autori e ka analizuar figurën e “Atit të Kombit” tonë nga këndvështrimi i lidershipit, një metodë e re studimi që realizohet për herë të parë në lidhje me figurën e Ismail Qemalit. Metodologjia e këtij libri i ka mundësuar autorit të thellohet në analizën e tipareve dhe arritjeve të Ismail Qemal Vlorës si lider, përmes shtjellimit të fakteve historike dhe krahasimit me liderë të tjerë në Shqipëri e në botë. Duket si një analizë më së shumti tredimensionale, e cila e ndihmon autorin ta shohë heroin e tij në një hapësirë të gjerë, duke nxjerrë në pah tiparet e tij si lidership, jo vetëm në dritën e kohës në të cilën punoi, por edhe në këndvështrimin e sotëm.”

                                                     - AURELA ANASTASI

“Studiuesi Evarist Beqiri befason dashamirët e librit me këtë prurje tejet interesante. Autori ka zgjedhur të trajtojë një ndër figurat qendrore të historisë sonë kombëtare, atë të Ismail Qemal Vlorës, Babait të Pavarësisë, në rolin e tij si Lider ose thënë ndryshe si Prijës i Kombit. Edhe pse një zgjedhje aspak e lehtë, pasi askush më parë nuk ishte marrë me studimin në këtë aspekt të ndonjë prej figurave të njohura të historisë tonë, Evaristi guxoi dhe ia ka dalë mbanë më së miri. Me të vërtetë libri është një risi tejet e këndshme e njëkohësisht edhe e veçantë, që lexuesi ka fatin ta ketë në dorë. Falë një pune të mundimshme autori ka mbledhur të dhëna të shumta, të rralla e shumë të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare. Ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj. Po kështu na përcjell me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si Prijës i ardhshëm i Kombit, si dhe ka analizuar edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.”

                                                            - NEVILA NIKA

“Ky tekst është më shumë se një libër, jo thjesht nga ndershmëria profesionale që ka treguar autori ndaj heroit të tij, as vetëm nga gjuha tërheqëse, e bukur, e dëlirë, apo nga stili i thjeshtë e i rrjedhshëm. Ky tekst i kalon përmasat funksionale të një libri dhe bëhet magnet i atdhedashurisë së vërtetë dhe të motivuar, sepse autori ravijëzon veten si ndriçimtar i ri i figurës së Ismail Qemal Vlorës në një këndvështrim të pashfaqshëm deri më sot në studimet shqiptare apo albanologjike.”

                                                                                                                                   - ALBERT HABAZAJ

“Autori është mbështetur në një literaturë të gjerë e të pasur me studiues shqiptarë këtej e andej kufirit, studiues të huaj, burime arkivore duke shfrytëzuar variante shkrimore origjinale, si dhe në multimedian. Gjuha e përdorur është e kuptueshme për të gjitha shtresat, si rrjedhim ka qasje që lexuesi të jetë i gjerë. Si talent i fushës, veçanërisht i lidershipit, Evaristi sjell të vërteta historike të zhveshura nga paragjykimet duke ndihmuar të ardhmen.”

                                               - MONIKA HASANI

“Evarist Beqiri na sjell modelin më të mirë të lidershipit, atë të Ismail Qemalit. Në studimet tona jemi mësuar ta shohim ndryshe të trajtuar figurën e Ismail Qemalit. Bie në sy marrja në konsideratë e të dhënave të shumta, të rralla e shumë të vyera që studiuesi ka vendosur në fokus të punimit të tij. Një punë tejet e mundimshme , kur bëhet fjalë për analizimin e një figure të jashtëzakonshme si Ismail Qemali, e cila këndvështrohet në disa drejtime. Në librin “Themeluesi-Lidershipi i Ismail Qemalit”, autori jo thjesht e lartëson figurën e Ismail Qemalit, por e analizon gjatë përmes një strukture që nxit mendimin kritik. Përmes një analize të thellë autori e përshkruan Ismail Qemalin si një lider që “udhëheq me shembullin e vet”.

Ky libër është biografia e munguar e Ismail Qemalit, parë nga një vështrim tridimensional i Evarist Beqirit, i cili na ndihmon ta shohim ndryshe themeluesin e shtetit shqiptar. Autori i nxjerr tiparet e tij si lidership në dritën e kohës. Libri i përket zhanrit biznes lidership dhe ofron një qasje që nuk është sjellë më parë në Shqipëri.”

                                            - EDLIRA ÇERKEZI

“Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, është libri i vetëm që është shkruar për një figurë historike nga pikëpamja e lidershipit. Miku im, Evaristi, ka shkruar një libër brilant.”

                                            - ENVER HOXHAJ

“Libri “Themeluesi”-Lidershipi i Ismail Qemalit”, vlerësohet për origjinalitetin e qasjes në trajtimin modern me karakter publicistik që i bën figurës historike të Ismail Qemalit, parë nga këndi i teorive të reja dhe studimeve bashkëkohore të lidershipit.”

  - JURIA E ÇMIMIT “LUMO SKËNDO”

Referenca

https://mediaprint.al/te-njohim-autoret-tane-evarist-beqiri/ https://mediaprint.al/product/themeluesi-lidershipi-i-ismail-qemalit/ https://m.youtube.com/watch?v=xp7pLg0VSEE https://m.youtube.com/watch?v=ZUKRCj5VxJ4 https://m.youtube.com/watch?v=NbldQtzVGwM https://m.youtube.com/watch?v=S4o_DpBfF1E https://www.balkanweb.com/dita-nderkombetare-e-muzeut-hapet-ne-vlore-ekspozite-per-ismail-qemalin/#gsc.tab=0 https://univlora.edu.al/2022/11/23/promovim-i-librit-themeluesi-lidershipi-i-ismail-qemalit-i-autorit-evarist-beqiri/ https://bukinist.al/sq/5268_evarist-beqiri https://euronews.al/biografia-e-munguar-e-ismail-qemal-vlores-nga-evarist-beqiri/