Thomas Hobbes (shqipërimi: Tomas Hobsi) u lind më 5 prill 1588; ai ishte biri i një prifti dhe një vajze fshati të vogël pranë Malmesurit, në jugperëndim të Anglisë. Pasi frekuentoi shkollën e fshatit, ndoqi një institucion privat të Malmesburit për formimin në gjuhët klasike. Mbështetja financiare e një të afërmi e lejoi të ndiqte studimet në Oksford, që i përfundoi më 1607. Vitin pasardhës, Hobsi u bë mësues në banesën e baron Kavendishit, konti i ardhshëm i Devonshirit, dhe bashkë me të birin e këtij të fundit ndërmori udhëtimet e studimit jashtë Anglisë. Me përjashtim të disa ndërprerjeve të shkurtra, qëndroi për shumë kohë në shërbim të kësaj familjeje, duke punuar paralelisht dhe me raste si sekretar i Frensis Bekonit.

Thomas Hobbes

Më 1629, Hobsi botoi një perkthim të ri të Historia e luftës së Peloponezit, të historianit athinas Tuqididit. Nga viti 1629 deri më 1634, udhëtimet e gjata e lidhën me personalitetet më të mëdha europiane të shkencës dhe të filozofisë, që patën një ndikim vendimtar në zhvillimin e mendimit të tij. Kështu ai takoi në Itali Galileun, në Francë Dekartin, matematikanin Marsen dhe filozofin e natyralistin Gasendi. Në atë kohë lexoi gjithashtu Pëbërbërësit të Euklidit të Aleksandrisë, që datonin nga shekulli III para Jezu Krishtit.

Më 1640, ithtar i sovranitetit mbretëror, Hobsi tërhoqi mbi vete rrufetë e Parlamentit dhe pëlqeu t'u vidhej trazirave të luftës civile që po fillonte; ai u strehua në Paris, ku qëndroi njëmbëdhjetë vjet. Aty i dha mësim për dv vjet për matematikën Çarlit II të ardhshëm të Anglisë, strehuar si ai, dhe botoi më 1642 veprën Për qytetarin, pjesa e tretë e një projekti në tri vëllime mbi Përbërësit e filozofisë. Pak kohë para kthimit në Angli u botua vepra e tij e famshme Leviathan (1651), që mbetet vepra më e rëndësishme e filozofisë politike në gjuhën angleze.

Në vitet që pasuan, Hobsi përpiloi dhe botoi dy vëllimet e tjera të veprës Përbërësit efilozofisë - Për trupin (1655) dhe Për njeriun (1658). Më 1668, nuk iu pranua leja për të botuar Betemoth, një studim historik dhe analitik i epokës së tij; ky tekst do ta shihte dritën e botimit vetëm më 1889.Pak para se të vdiste,Hobsi po punonte mbi një përkthim të ri në anglisht të Iliadës dhe të Odisesë. Vdiq në Harduik, më 4 dhjetor 1679.

Në mes të shekullit XVII, mendimet e ajkës së shoqërisë europiane ishin pushtuar kryesisht nga dy përvoja historike. Nga njëra anë bëhej fjalë për tmerrin e luftërave të fesë, që kishin shkatërruar vendet si pasojë e Reformës, nga viti 1562 deri më 1598 për Francën, nga viti 1642 deri më 1646 për Anglinë dhe nga viti 1618 deri më 1648 për mbarë Europën Qendrore me luftën e llahtarshme të Tridhjetë Viteve. Nga ana tjetër, ishin zhvillimet shumë të mëdha që shkencat e natyrës arritën kudo, falë metodave matematikore me të cilat punojnë tashmë. Këto dy përvoja erdhën dhe u bashkuan në veprën e Tomas Hobsit, në gjirin e një sistemi mekanist, që përfshinte sa njohjen e natyrës aq edhe atë të njeriut, dhe para së gjithash tërë shtetin.

Ka mundësi që entuziazmi i Hobsit për mënyrën e re të trajtimit të shkencave të natyrës të jetë nxitur nga Frensis Bekoni, të cilit i shërbeu si sekretar në vitet e rinisë. Por mënyra e tij e të menduarit u ndikua jashtëzakonisht shumë nga takimi i tij me Galileun, në Itali, si dhe nga diskutimet filozofike që pati në Paris, ku kaloi njëmbëdhjetë vite të jetës. Bashkëbiseduesit e tij kryesorë qenë aty filozofi libertin Gasendi (1592-1655), që rizbulonte në atë kohë materializmin e qetë të Epikurit, por edhe murgu franceskan Marin Marsena (1588-1648), përmes të cilit Hobsi ra në kontakt me idetë e Rëne Dekartit (1596-1650), më i ri se ai, por që ishte bërë i famshëm shumë shpejt.

Takimi me Galileun nguliti tek ai bindjen se natyra përbëhet nga trupa që lëvizin nëpërmjet një këmbimi tërheqjeje dhe shtytjeje, në mënyrë të llogaritshme. Hobsi rimori nga atomizmi antik idenë se përfshirja njerëzore ishte gjithashtu me natyrë materiale. Nga kartezianizmi përshtati "metodën gjeometrike", që qëndronte te përfundimi logjik i të vërtetave të vërtetuara aty për aty, të cilave u jep një vlerë analoge me atë të aksiomave, përfundimeve logjike.

Hobsi e përgjithësoi sistemin e vet në tri shkrime të titulluara: Për trupin, Për njeriun dhe Për qytetarin.Ashtu si bota materiale lëviz sipas një mekanizmi të ndërlikuar ingranazhesh, si ajo e një ore të ndërlikuar, edhe njeriu është rrënjësisht ashtu si një makinë. Mjeku Uiliam Harvei, mik i vjetër i Hobsit, e kishte treguar në mënyrë të shkëlqyer këtë nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Prandaj, sipas Hobsit, pulsionet psikologjike dhe gjendjet si kënaqësia dhe dhimbja, dashuria dhe urrejtja, dëshira dhe frika, mund të çojnë te pulsioni fizik i dorës së parë, që është ruajtja e vetes. Një pulsion i tillë i bindet domosdoshmërisë, megjithëse këtu nuk bëhet fjalë për një vullnet të lirë.

Kjo doktrinë materialiste e njeriut - ose "antropologji", në kuptimin hobsian të fjalës - është pikënisja e teorisë së tij të shtetit, që është pjesa më e rëndësishme e filozofisë së tij (si dhe e asaj që ka mbetur). Para se të bëhet qytetar i një shteti, njeriu nga natyra është një qenie që priret të ruajë veten dhe të përfitojë sa më mirë nga ekzistenca e tij. Pra ai dëshiron të ketë sa më shumë që është e mundur për veten, pa marrë aspak parasysh të afërmin e tij. Duke mos kërkuar bashkësinë si fakt zoopolitikon ("kafshëpolitike") të Aristotelit, ai është një kapitalist "modern", gjithmonë në konkurrencë me të ngjashmin e tij, një lloj "protokapitalisti".

Ndodh që fuqia shtetërore të jetë në duart e një uzurpatori. I tillë ishte Oliver Kromuelli, "prijësi" i revolucionit anglez, nën tiraninë e të cilit u botua vepra e Hobsit, e titulluar Leviathan, që i referohet përbindëshit të Dhjatës së Vjetër dhe simbolit të gjithë pushtetit të shtetit. Ky pushtet mund të jetë i mishëruar gjithashtu nga një mbret trashëgimtar si Karli II, nxënës i Hobsit. Kjo nuk ka rëndësi. Por në të gjitha rastet, sovrani duhet të mbretërojë në mënyrë absolute, pa kontrollin e instancave të tjera, sepse çdo pakësim i pushtetit të tij do të sjellë rrezikun e marrëdhënieve të forcave antagoniste, pra një rrezik i afërt i luftës civile.

Me këtë doktrinë të shtetit, Hobsi përsoste sistemin që Nikola Makiaveli kishte formuluar në fillim të erës të luftërave civile dhe të luftërave fetare. Ai e përfshinte teorinë e shtetit modern te racionalizmi i ri dhe përuronte në këtë mënyrë rrugën e absolutizmit politik, domethënë të një epoke të historisë çuditërisht "të qetë", që do të bënte të lindte Filozofia e Dritave. Veprat kryesore: De corpore (1655); De Homine (1658); De cive (1642); (këto janë tri pjesë të Elementa philosophica të tij); De corpore (1640); Leviathan (1651). Botimi i të gjitha veprave të shkruara latinisht doli në Amsterdam, në vitin 1668, në 4 vëllme.

Kureshti nga jeta e filozofit

Redakto
  • Tomas Hobsi ishte edukator dhe mësues i shtëpisë të kontit të mëvonshëm Erl Devonshajrit. Udhëtoi shpesh në Francë, ku kaloi afër 20 vjet. Ndonëse në planin teorik tregoi prirje të pikasura ndaj problematikës politike, refuzoi vendosmërisht të marrë pjesë në çfarëdo planesh dhe aksionesh konkrete politike. Në pleqëri kishte autoritet më të madh në botën e jashtme sesa në Angli.
  • Sipas Hobsit, filozofia, si njohje racionale e pasojave sipas shkaqeve të njohura ose shkaqeve sipas pasojave të njohura, ndahet së pari në filozofinë e natyrës dhe në filozofinë e shtetit. Pjesa e tretë përbërëse e filozofisë është mësimi mbi njeriun, si qenie e cila nuk është vetëm element i shtetit por edhe i natyrës. Në teorinë gnoseologjike të Hobsit gjejmë elemente të empirizmit dhe të materializmit mekanik (sipas tij, të gjitha fenomenet janë lëvizje mekanike të pjesëzave të materies dhe në ndijime - sensations - themelohet gjithë dituria jonë), por gjithashtu - sidomos nën ndikimin e kartezianizmit - edhe teza racionaliste të shprehura në mënyrë të qartë. Hobsi konsideronte se të menduarit në thelb është llogaritje me shenja artificiale arbitrare (fjalë), bashkimi dhe ndarja e tyre, mbledhja dhe zbritja.
  • Sipas Hobsit, edhe të gjitha veprimet e vullnetshme janë të domosdoshme, përkatësisht jo të lira sikurse të gjitha lëvizjet të cilat nga një domosdoshmëri mekanike rezultojnë nga lëvizjet e mëparshme. Ndijimet krijohen me anën e presionit që krijojnë objektet. Ngjyrat, tingujt e tjera nuk gjenden në objekte. Nominalist, që thotë se nuk ka asgjë të përgjithshme përveç emrit, Hobsi thekson veçanërisht se pa gjuhë nuk do të kishim as të vërtetën as gënjeshtrën, sepse «e vërteta» dhe «gënjeshtra» janë atribute të të folurit. Filozofia si njohje racionale e lidhjes kauzale dhe e pasojës ndërmjet trupave ka për qëllim parashikimet shkencore dhe shfrytëzimin e këtyre parashikimeve për nevojat e jetës praktike. Nga aspekti i kësaj njohjeje racionale, Hobsi me guxim do ta përjashtojë nga filozofia mësimin mbi perëndinë, ëngjëjt dhe mbi të gjitha qeniet joempirike të cilat nuk janë trupa. Frika nga forca e padukshme - konsideron Hobsi - nëse lejohet publikisht është religjioni, ndërsa në qoftë se nuk lejohet është bestytni. Andaj vendimi se ç'është religjioni dhe ç'është bestytnia varet nga ligjdhënësi. Shumë religjione janë krijuar gjithashtu për shkak se nuk bënë dallimin e ëndrrës dhe të zhgjëndërrës. Por Hobsi do të konsiderojë se edhe historia, në të cilën nuk mund të aplikohet llogaria, nuk është shkencë e vërtetë, kështu që as nuk meriton ndonjë vëmendje të filozofeve.
  • Pjesa më intresante dhe më origjinale e filozofisë së Hobsit është mësimi i tij mbi moralin dhe shtetin.Është cilësi e njerëzve që nga zanafillja që njeriu për njeriun është ujk (homo homini lupus), ndërsa gjendja parësore e njeriut është lufta e të gjithëve kundër të gjithëve (bellum omnium in omnes). Njerëzit, në realitet, janë të barabartë nga natyra, por në gjendjen natyrore, para ekzistimit të shtetit secili njeri dëshiron ta ruajë lirinë e vet dhe me këtë rast të sigurojë pushtetin mbi të tjerët. Në gjendjen natyrore që determinohet nga ligji mbi vetëruajtjen nuk ka pronë natyrore, nuk ka as drejtësi as padrejtësi; ekziston vetëm lufta, kurse «dy forca themelore në luftë janë forca dhe matshtrimi». Në një gjendje të tillë të lirë natyrore njeriu është egoist, «ujk i vetmuar», qenie joshoqërore. «Të shohësh fatkeqësinë e huaj është kënaqësi, mirëpo kjo fatkeqësi na pëlqen jo pse është fatkeqësi, por pse ajo është fatkeqësi e huaj. Njësoj është po kështu e pakënaqshme lumturia e huaj, pikërisht për shkak se është lumturi e huaj. Mirëpo, kjo gjendje e parë në realitet imorale nuk mund të qëndrojë, është e rrezikshme dhe i rrezikon të gjithë njësoj. Andaj njerëzit detyrohen (dhe ky ligj natyror është shprehje e mendjes së vërtetë) t'i japin fund gjendjes së luftës për interesin e paqes, e cila pa dyshim paraqet për secilin të mirën më të madhe ngase siguron rendin dhe rregullat e jetës së përbashkët, rojtar dhe garantues i së cilës bëhet shteti. Andaj sovrani, kushdo që të jetë, ka në duart e veta pushtetin absolut dhe të pandashëm, sepse qëndron në krye të shtetit, i cili është krijuar nëpërmjet kontratës shoqërore të individëve që heqin dorë nga një pjesë e të drejtave natyrore dhe i bartin te sovrani.
  • Tezat herëherë plotësisht absurde të Tomas Hobsit mbi faktin sesi sovranit i lejohet çdo gjë (madje të bëhet edhe despot) dhe sesi njëmend shumë më mirë është që pushtetin kryesor ta mbajë monarku dhe parlamenti, Hobsi, në të vërtetë dinte t'i mbrojë edhe me argumente spirituoze, mirëpo megjithkëtë kufizimi i doktrinës së tij shoqërore-politike tregohet karakteristike dhe për justifikimin e veprimeve të tij frikësuese nënshtetase jetësore të cilat, ndërkaq, nuk i ndihmuan të evitojë dyshime të ndryshme, madje edhe përsekutimet e herëpashershme.