Tiparet e problematikës ”Amiant” në Shqipëri
Këto tipare të problematikës “Amiant” në Shqipëri janë evidentuar nga një grup pune i drejtuar nga Prof. Dr. Romeo Hanxhari, në kuadër të një projekti të zbatuar në vitin 2007, të mbështetur nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve, dhe Administrimit të Ujërave, me fonde nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri.
Mungesa e njohjes së problematikës Amiant, ose tejthjeshtëzimi i saj
RedaktoProblematika Amiant ka qenë e njohur në Shqipëri vetëm në nivel të një numri mjaft të kufizuar specialistësh kryesisht të Shëndetit publik. Por, përveç disa veprimeve administrative mjaft të pa-koordinuara, nuk ka patur asnjë kujdes për të ndërtuar një proces formimi për punonjësit e specializuar të sistemit (të Mjedisit, të Shëndetit Publik, të Kontrollit të territorit, etj). Gabimisht, problematika e Amiantit trajtohet thjesht si problem mbetjesh të rrezikshme. Problemi është shumë më kompleks se kaq. Procedura teknike e ndërhyrjeve në rastet e pranisë produkteve me amiant, parashikon në disa raste edhe bashkëjetesën me këto materjale. I tillë është rasti i mbulesave me eternit (çimento-amiant) të cilat, kur maten që nuk lëshojnë fije amianti, shpesh është më mirë të mos hiqen fare: ose nuk ngacmohen fare ose përdoret metoda e inkapsulimit (forcimi i kompaktësisë me anë të lyerjes me bojë të posaçme). Pra, trajtimi kompleks duhet kuptuar në rradhë të parë nga strukturat e specializuara.
Përhapja e Amiantit në krejt territorin kombëtar
RedaktoËshtë evidentuar një fakt fatkeq: Amianti është i përhapur absolutisht në të gjithë territorin e vendit. Kjo vlen sidomos për rastin e përdorimit të eternitit: mbulesat me eternit hasen në çdo zonë të banuar apo në çdo zonë me aktivitet ekonomik. Për fat të keq edhe Amianti në formën e vet të shkrifëtueshme haset në shumë site të vendit tonë.
Prania e gjerë sidomos në mjedise jetësore në zona të varfra
RedaktoPër shkak të ndryshimit të destinacionit të mjaft zonave ish-industriale në qytetet kryesore të vendit, këto janë ”çliruar” nga prania e dukshme e Amiantit (në fakt Amianti i shpërngulur ka hyrë në përbërje të mbetjeve inerte, por nuk zhduket kurrë, duke mbetur rrezik potencial). Por nga ana tjetër, në të gjitha zonat më të prapambetura të vendit prania e Amiantit të trashëguar ka mbetur pothuajse e paprekur dhe e patjetërsuar. Këto janë zonat më të varfra të vendit dhe kanë të bëjnë me fashat më problematike ekonomikisht të shoqërisë. Në mjaft nga këto zona, ka edhe banesa me prani amianti të dukshme dhe në degradim e sipër: për shkak të pamundësisë ekonomike, këto komunitete të varfra do të vazhdojnë të kenë prani të tillë në mjediset e brendshme (indoor) dhe të jashtme (outdoor) jetësore. Këto komunitete mund të konsiderohen edhe si ato më të rrezikuarat.
Ekspozimi potencial i të gjithë popullatës ndaj këtij materjali kancerogjen
RedaktoPër shkak të përhapjes në të gjithë territorin e vendit, dhe për shkak të karakteristikave të veçanta të Amiantit askush nuk mund të përjashtohet nga ekspozimi ndaj Amiantit. Pavarësisht se ku është i pranishëm Amianti, nëse prej tij shkëputen fije, faktorët atmosferikë dhe humanë mund t’i transportojnë ato kudo, duke ekspozuar këdo ndaj këtij rreziku. Është i njohur shkencërisht në botë se në prani sado të largët të materjaleve me Amiant probabiliteti i kontaktit me fije amianti në ajër nuk mund të përllogaritet. Konkluzioni: në një mjedis me materjale Amianti të gjithë jemi të rrezikuar.
Mungesa e plotë e informacionit për publikun dhe grupet më të rrezikuara
RedaktoMënyra më e parë e parandalimit të rrezikut Amiant është informimi i publikut. Cdo pjesëtar i komunitetit duhet të njohë elementët bazë të asaj që quhet „problematika Amiant”. Në këtë mënyrë, seicili mund të shmangë kontaktin e drejtpërdrejtë me Amiantin, dhe mund të ndikojë në uljen e rrezikut. Nga ana tjetër, mungesa e informimit rrit probabilitetin e ekspozimit ndaj këtij rreziku. Është ky rasti i vendit tonë. Kjo përfaqëson një handikap që duhet korrigjuar urgjentisht duke përdorur të gjitha mjetet e informacionit dhe të edukimit, dhe duke aktivizuar të gjithë aktorët që operojnë në fushën mjedisore dhe të shendetit publik.
Trashëgimia e Amiantit të përhapur gjatë periudhës 1930-1990
RedaktoGjatë periudhës 1930-1990 Amianti është përdorur në një sasi që është vlerësuar të ketë qenë të paktën rreth 190.000 ton. Përdorimi është vlerësuar të jetë intensifikuar gjatë periudhës 1960-1990. Kjo korrespondon me periudhën kur në vend u ndërtuan disa impiante të ndryshme të pëpunimit apo përdorimit të Amiantit (Vlorë, Lushnjë, Korçë, Tiranë, Durrës, etj). Pra, Amianti ka hyrë në Shqipëri si në përbërje të produkteve të gatshme industriale, ashtu edhe në formën e lëndës së parë. Produkti më i përhapur në Shqipëri është ai i eternitit i cili ka në përbërje të tij 30-35% Amiant dhe pjesa tjetër çimento. Kjo përfaqëson një trashëgimi ekstremisht problematike, që tenton të vështirësohet vazhdimisht me kalimin e kohës. Pra, kjo trashëgimi duhet përballuar sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse koha e rrit koston si në shëndetin publik ashtu edhe në terma financiare.
Vazhdimi i futjes së amiantit në Shqipëri në trajta të ndryshme
RedaktoPër fat të keq Amianti vazhdon të futet në Shqipëri. Nga vendet europiane vazhdojnë të futen automjete (sidomos bëhet fjalë për automjete frigoriferike dhe transportuese të prodhuara përpara 1994). Gjithashtu autobusë, vagona treni, mjete lundruese, por edhe elektroshtëpiakë të vjetër të përdorur kanë potencialisht përmbajtje Amianti shpeshherë në formën e vet më të rrezikshme: Amiant i shkifëtueshëm. Ndërsa nga vende të tilla si Turqi, Kinë, Indi, dhe vendet e rajonit (jo anëtare të BE) NË Shqipëri futen produkte që nga litar amianti, elektroshtëpiakë apo soba, e deri tek ferrota me përmbajtje amianti. Është emergjente që ky fluks Amianti të ndërpritet. Kjo ka nevojë për një legjislacion gjithëpërfshirës. Po ashtu, strukturat e kontrollit të kufijve (Dogana, Policia Kufitare) duhet t’i njohin produktet me përmbajtje Amianti dhe të jenë aktivë në këtë veprim.
Mungesa e evidentimit të sëmundshmërisë së lidhur me Amiantin
RedaktoPse vendet e zhvilluara e kanë ndaluar absolutisht përdorimin e Amiantit? Për një arsye të thjeshtë: sepse shkenca ka provuar që aty ku ka Amiant ka në mënyrë të padiskutueshme edhe sëmundshmëri që shfaqet në një hark kohor 10-30 vjet që prej momentit të ekspozimit. Pra, përdorimi i Amiantit në Shqipëri e bën apriori të sigurtë efektin mbi shëndetin publik. Veçse kjo lidhje e provuar shkak-pasojë ka nevojë për vrojtime profesionale të shtrira në kohë. Në Shqipëri këto vrojtime mungojnë plotësisht. Prandaj e kemi praktikisht të pamundur të vlerësojmë efektet e deritanishme të lidhura me ekspozimi ndaj Amiantit. Ky është një boshllëk që duhet të kujdesemi që të fillojë të plotësohet menjëherë.
Mungesa e një legjislacioni të posaçëm dhe të detajuar
RedaktoVendet e BE-së kanë instaluar gradualisht një legjislacion anti-Amiant gjatë periudhës 1992-2005. Direktiva 1999/77/CE “ndalon perdorimin e çdo forme te amiantit qe prej 1 Janarit 2005 ne vendet e BE”. Pra, edhe Shqipërisë do t’i duhet të adoptojë një legjislacion të tillë. Por arsyeja e adoptimit të këtij legjislacioni shkon përtej një detyrimi institucional të integrimit evropian: ka të bëjë me jetën e të gjithë qytetarëve shqiptarë pa përjashtim. Vetëm një legjislacion i posaçëm për Amiantin, dhe i detajuar në të gjitha komponentët e zbatimit të tij, mund të vendosë mbi baza të sigurta veprimin anti-amiant. Legjislacioni duhet të përfshijë dy fusha: atë të parandalimit dhe të përmirësimit të situatës, si edhe atë të problematikës së tregut të punës dhe të sëmundjeve profesionale të lidhura me ekspozimin ndaj Amiantit.
Mungesa e një strategjie kombëtare dhe Planeve të Veprimit Lokal “anti-amiant”
RedaktoProblematika Amiant është mjaft komplekse sepse ngërthen në një të vetme shumë sektorë të aktivitetit social-ekonomik të vendit. Pikërisht për këtë qëllim ajo ka nevojë për një strategji të veçantë të thjeshtë dhe të implementueshme. Strategjia duhet të marrë parasysh gjendjen aktuale dhe veçantitë e problematikës së Amiantit në Shqipëri. Ajo duhet të marrë parasysh kostot e ndërhyrjes dhe efiçensën e tyre. Zbatimi i saj pastaj ka nevojë për një nivel operativiteti që duhet të jetë kapilar, duke e zbritur në nivel lokal inventarizimin e vazhdueshëm të vatrave, si edhe nivelin e vendosjes së reagimit. Për këtë qëllim duhen hartuar “planet e veprimit lokal anti-Amiant”.