Trungu ilir është libri i katërt poetik i autorit Sabri Hamiti, botuar në Prishtinë në vitin 1979.

Trungu ilir

Përmbajtja

Redakto

Në pjesën e parë të librit të titulluar Trungu dominon një metaforikë e zbërthyer kuptimore me gjithë ngrohtësinë e hapësirës së fjalës poetike me aluzione të subjektit poetik ndaj ekzistencës nacionale historike. Ne të vërtetë me më shumë aluzione dhe parabolizime ndaj përvojës së asaj ekzistence me disa esenca shpirtërore të saj që janë të pranishme në vetëdijen e rikrijuar. Pos kësaj në këtë pjesë ndihet edhe prania e një ironie tragjike me përvojën e ekzistencës në relacionin subjekti–antika–e tashmja, jo si deklamim po si përjetim dhe si depërtim.

Në pjesën tjetër të librit të titulluar Koha, ndeshemi me një tip tjetër krejt të ri në poezinë e Sabri Hamitit, që do të mund ta quanim poezi e ironisë konkrete.

Në fakt, thënë ndryshe këtu kemi të bëjmë me dy libra të pavarur të poezisë që në kontekstin e librit që i përmbledh ndërlidhen mjaft ngusht ndërmjetveti. Po ashtu kjo ndarje, ky klasim të imponon edhe kuptimin e dyfishtë të kohës, Trungu: kohën ekzistenciale të metaforifikuar dhe Koha momentin e kohës aktive të realitetësuar. Përmes cikleve: Gjuha, Ideali, Fjalët, Shtëpia dhe Katarza shfaqet një hapësirë e gjërë e metaforikuar e ekzistencës së vrullshme e "të zhurmëshme", që i themi histori, e që këtu e përfaqëson mjaft mirë Trungu, si kuptim i një papërkulshmërie, vitaliteti, thënë me një indiferencë kreative poetike e artistike, pra pa patetikë që të imponojmë kuptimet e shkuara, si poetësim i mbetjes në kohë. Njëherësh këtu derdhet një tërësi e gjërë temash e idesh të asociacionit poetik të gërshetuara me momentin e tashëm të perceptimit që dalin nga fokusi i çliruar i subjektit të formuar e të menduar poetik. Pra gjendemi në botën e fiksionit poetik që hapet dhe bëhet i pranishëm përmes metaforikës si riaktualizim dhe si ripërjetim objektiv brenda hapësirës së vetëdijes.

Në pikëpamje të prosedeut poetik, me librin e fundit, Trungu ilir, e sidomos me pjesën e tij të dytë Koha, poeti e shpërqendron formulën e tij mjaft të formuar dhe funksionale poetike, pra e ndryshon mënyrën e ndërtimit të saj, e hap dhe e bën më funksionale në një plan tjetër, në planin receptiv. I jep një komunikativitet më të madh, po duke mos e rrezikuar asnjëherë poetikën e saj. Kjo flet se ky poet ka hyrë me koncepcione të caktuara në poezi, e jo në mënyrë spontane, së paku me koncepcione të caktuara poetike: prej një formalizimi që është rezultat i simbolizmit e që del si kusht i rëndësishëm në formimin poetik vjen te një konkretësi, te një realitetësim i botës semantike të poezisë

Referime

Redakto