Sabri Hamiti (Dumnicë, 10 maj 1950) është shkrimtar, studiues, profesor letërsie dhe akademik shqiptar nga Kosova.

Sabri Hamiti
U lind më (1950-05-10) 10 maj 1950 (74 vjeç)
Dumnicë, Podujevë Kosova
Kombësiashqiptar
Punët e shquara

Jetëshkrimi

Redakto

Sabri Hamiti lindi më 10 maj 1950Dumnicë, Podujevë, nga baba Hamit Hamiti dhe nana Mehreme Duriqi. U rrit në familje bashkë me tri motra e dy vëllezër.
1957 Hyri në shkollën fillore në vendlindje.
1968 Mbaroi gjimnazin në Podujevë dhe u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nisi botimet letrare në Bota e re e në gazeta e revista të tjera. Mori pjesë në demonstratat e studentëve në Prishtinë. I ndjekur nga policia, disa muaj jetoi duke u fshehur te të dashurit e tij.
1972 U diplomua shkëlqyeshëm në Universitetin e Prishtinës, në gjuhë e në letërsi shqipe. Botoi veprën e parë letrare te Rilindja e Prishtinës. Regjistroi studimet pasuniversitare me temë “Poetika e re shqipe” në Universitetin e Sorbonës në Paris, mirëpo për mungesë parash u kthye në Prishtinë.
1973 U martua me Kumrije Rugovën, moshatare dhe mike e studimeve. Hyri në punë në shtëpinë botuese Rilindja të Prishtinës. Nisi studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, të cilat i kreu pas dy vitesh.
1980 Për një vit akademik u specializua për teorinë e formave letrare në École des Hautes Études en Sciences Sociales, në Paris. Mori Diplomën e Shkallës së Lartë për letërsi frënge e qytetërim frëng në Universitetin e Sorbonës në Paris.
1987 U doktorua me temë nga letërsia bashkëkohore shqipe në Universitetin e Prishtinës.
1989 Hyri në lëvizjen për Pavarësinë e Kosovës, të prirë nga Ibrahim Rugova, mik i tij i studimeve. Më vonë, shtatë herë me radhë (1992, 1998, 2001, 2004, 2007, 2010, 2014) u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa nga viti 2006 është anëtar i Kryesisë së Kuvendit.
1993 U zgjodh profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu është ligjërues në studimet postdiplomike të letërsisë.
1995 Si anëtar i Komisionit Kombëtar punoi për njësimin e programeve shkollore të lëndëve nacionale dhe për hartimin e teksteve të përbashkëta për të gjitha shkollat shqipe.
24 shtator 1998 persona të panjohur të Sigurimit të fshehtë serb i bënë atentat në shkallët e banesës së tij në Dardani të Prishtinës. U shpëtua nga mjekët shqiptarë me ndihmën e Zotit.
2000 U zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës.
2008 U zgjodh anëtar i rregullt i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës.
2023 U zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Sabri Hamiti jeton dhe punon në Prishtinë.

Mbi veprën letrare

Redakto

Shqiptimi poetik si rebelim tematik e gjuhësor kundrejt letërsisë pararendëse shfaqet me figura të forta si Njeriu vdes i ri, madje në trajtë titulli. Më tutje kërkimi si vetënjohje, duke krijuar variantet e Narcisit modern, si figurë themelore e letërsisë në shkallën e parë të shkrimit. Edhe më tutje figurat e kujtimeve personale, të shtrira në kohë dhe në botën e të tjerëve, që presin me thikën e harrimit; dhe ritëm, rimë, muzikë.

"Trungu ilir", figurë kryesore e identitetit e sprovuar në Kohën moderne të rrethanave. Trungu ilir, një libër kult, i dramatizuar në teatër dhe shfaqje e ndaluar nga censura. "Leja e njohtimit", 1985, libër binjak me të parin, kërkim i identitetit të rrezikuar nga jashtë, duke përfshirë një referencë të largët me fantazinë apo utopinë negative të Oruelit në 1984. Kujtimet e të ndodhurave i mbledh poema dramatike "Kutia e zezë".

"Kaosmos", shenjë a thirrje për frikën e torturën sistemore që prek individualitetin e universalitetin e njeriut. Dramatika e marshit barbar në ardhje e në shkuarje, ashtu dhe bukuria e jetës në rendin e përmbysur: parajsa, purgatori, ferri. Mandej "ABC" si katalog i dhembjeve etnike, me figurat që si shpërthyes të mprehtë prekin në kohë e në hapësirë. Melankolia, së fundi është gjendje e figurë për pasojat që ka bota e ndjesive e kaluar nëpër botën e egërsive.

Romani i rinisë "Njëqind vjet vetmi" shtreson psikologjinë e vetmitarit që rritet ndërmjet mungesave e pengesave. Aty është jeta e tre brezave që i ngjajnë kaq shumë njëri tjetrit. Vetmia është shekullore: njëqind vjet, por kjo është figurë e pambarimit. Referenca reale shkon nga Lidhja e Prizrenit e këndej. Po shkrimi ndjek logjikën e vet, që nga legjenda e përralla për të përfunduar në një epilog baladik të njohjes dhe të vetënjohjes shqiptare.

"Futa" e "Misioni", dy tekste dramatike që lidhen fort me ndodhjet në Kosovë në deceniet e fundit të shekullit XX. Një shkrim i rrezikshëm dhe i rrezikuar, që universalen don ta provojë me realen: situata për t’u identifikuar. Dy heronjtë tragjikë të dramave japin tipa të ndryshëm heronjsh shqiptarë: një herë hero i mashtruar, herën tjetër hero i flijuar. Dhe këtu mbetet të rindërtohet heroi veprues, si vizion apo si realitet i vendit, që do ta përmbyllë skemën e heronjve shqiptarë.

"Sprovat për një poetikë", një trajtim e kërkim teorik i letërsisë shqipe i të gjitha periudhave, shfaqet që nga libri i parë "Variante" deri te libri i fundit "Bioletra", për të krijuar një sistematikë të kërkimit e një sistem të të menduarit. Pra, letërsia a priori e kritika a posteriori. Nga poetika e autorëve te poetika e periudhave dhe tutje te poetika e letërsisë shqipe. Dhe në fund të fundit poetika personale në "Bioletra", e shfaqur si një teori e shkrimit dhe e leximit letrar.

Dy periudha të letërsisë shqipe: letërsia filobiblike dhe letërsia romantike rrokin katër shekujt e parë të kësaj letërsie. E para duke pasur karakteristikë zotëruese parashkrimin biblik, kurse e dyta duke e pasur për bazë temën e zgjimit nacional ashtu dhe shpërthimet individuale romantike. Të dyja të lexuara nëpërmjet autorëve më të mëdhenj. E para me Buzukun, Budin, Bogdanin e Varibobën, e dyta nëpërmjet De Radës, Naimit, Serembes, Pashko Vasës, Samiut, Mjedjes, Çajupit. Vetëdija për dy doktrina letrare.

Letërsia e gjysmës së parë të shekullit XX, e shfaqur më parë si letërsi e modelit kritik, përballë modelit himnizues romantik. E vijuar me letërsinë moderne që zbulon e shfaq poetika e individualitete të fuqishme letrare. Zhvillim i hovshëm i të gjitha gjinive letrare duke krijuar një ambient e një vetëdije ku krijohet dialogu i çuditshëm ndërmjet autorëve të mëdhenj, si Faik Konica, Gjergj Fishta e Fan S. Noli në një anë dhe Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli e Migjeni në anën tjetër.

Interpretimi i veprave të zgjedhura të autorëve të zgjedhur të letërsisë bashkëkohore. Shkrim i një dialogu të mbrendshëm letrar, në të cilin autorët e veprat e zgjedhin lexuesin-interpretuesin po aq sa ai i zgjedh këto. Kjo dëshmon më tepër një sistematikë të shkrimit e të leximit sesa një sistem. Pra, loja e përhershme e kërkimit është që autorët, krijuesi e interpretuesi, t’i shfaqen të hapur njëri-tjetrit, për të gjetur bashkërisht universalen letrare në trajtë të poetikës.

Katër monografi letrare për autorët e njohur të letërsisë bashkëkohore shqipe: dy të hullisë së shkrimit tradicional, një e nismës moderne e një e shkrimit modern. Njëri i futur në kodifikimin moral dhe i rebeluar fort (Hivzi Sylejmani), tjetri i bërë popullor nëpërmjet humanitetit e moralitetit të letërsisë (Nazmi Rrahmani); një poet i nemun e i ndjekur nga talenti i vet (Bilal Xhaferri) dhe autori emblematik i letërsisë moderne shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX (Anton Pashku).

"Sympathia: testamente për Urtakun" (2004), përmbledhje poetike me frymë personale e metafizike përnjëherësh, e lidhur pandërmjetshëm me "Melankolinë" (1999) e vitit të tmerrit e të mrekullisë për shkrimtarin e Kosovën, poezi e elementaritetit fizik e shpirtëror që dëfton frymë bashkëndjenje (sympathia e titullit). Librat sistematizues për fenomene letrare e kufitare me letërsinë: "Bioletra" (2000), "Tematologjia" (2005) dhe "Albanizma" (2009) bëjnë trininë "Poetika shqipe", siç është quajtur në një botim tërësor të triave në vitin 2010. Studimi i temave, shkollave, kodeve, ligjërimeve, formave, figurave e shkallëve të letërsisë evoluon në një poetikë historike të shqipes. "Utopia letrare" (2013) studion veprat përfaqësuese utopike dhe distopike shqiptare në përqasje me letërsinë e përgjithshme utopike dhe distopike, prej traktateve sociale te letërsia fiksionale, një vepër e re në ngrehinën poetiko-historiko-letrare shqipe në përthyerje me veten dhe me botën perëndimore, në gjirin e të cilës ka lindur dhe gjallon. Librat monografikë për dy figura të mëdha kombëtare, shkrimtarë e misionarë: "Presidenti Ibrahim Rugova: Memento për Rugovën" (2007) dhe "Zef Pllumi" (2013) për Rugovën shkrimtar, prijës politik e njeri dhe Pllumin, misionarin e besimit me rrnue për me tregue, që bëhet besim letrar.[1] "Ndre Mjedja" (2016) përvijon portretin letrar të shkrimtarit të madh në 150-vjetorin e lindjes, i cili kaloi nëpër tri formacione stilistike letrare për të mbetur përgjithmonë liriku klasik i shqipes.

Veprat letrare

Redakto

Poezia

Redakto
 
Ballina e librit Litota

Kritikë/Eseistikë/Studime

Redakto
 
Ballina e librit Lasgushi qindvjeçar

Tekste shkollore

Redakto
  • Letërsia e vjetër shqipe, 1995,
  • Letërsia moderne shqipe, 1998,
  • Letërsia romantike shqiptare, 2004

Vepra komplete, 2002

Redakto
 
Ballina e një vepre të kompletit
  • Vëllimi i parë: Poezi
  • Vëllimi i dytë: Poezi
  • Vëllimi i tretë: Poezi
  • Vëllimi i katërt: Roman
  • Vëllimi i pestë: Drama
  • Vëllimi i gjashtë: Kritika letrare
  • Vëllimi i shtatë: Letësia filobiblike, Letërsia romantike
  • Vëllimi i tetë: Letërsia moderne
  • Vëllimi i nëntë: Letërsia bashkëkohore
  • Vëllimi i dhjetë: Letërsia bashkëkohore

Studime për veprën e Sabri Hamitit

Redakto
  • Dr. Ibrahim Rugova "Sistemi poetik i Sabri Hamitit", Tiranë, 2013.
  • Dr. Nysret Krasniqi "Sabri Hamiti", Prishtinë, 2011.
  • Muhamed Çitaku "Strategjitë e rrëfimit: romani Njëqind vjet vetmi i Sabri Hamitit", Prishtinë, 2010.
  • Munish Hyseni "Sabri Hamiti - Bibliografi (1967-2015), Prishtinë, 2015.
  • "Libër Amicorum për Sabri Hamitin" - botuar në 70-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Prishtinë 2020.

Tekste të Sabri Hamitit

Redakto

Në gjuhën shqipe

Redakto

Në gjuhë të huaja

Redakto

Mirënjohjet

Redakto
 
Urdhri "Gjergj Kastrioti Skënderbeu"

Literatura

Redakto
  • Krasniqi, Nysret (2016). Letërsia e Kosovës 1953-2000. Prishtinë: AIKD.
  • Çitaku, Muhamet (2018). "Romani simbolist i Kosovës". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 24. Prishtinë: ASHAK.

Lidhje të jashtme

Redakto
  1. ^ Sipas tekstit "Një jetë dhe një vepër letrare: Sabri Hamiti" në Muhamet Hamiti BESIMI LETRAR, Parnas, Prishtinë, 2016, ff. 280-287