Migjeni

poet dhe shkrimtar shqiptar
(Përcjellë nga Millosh Gjergj Nikolla)

Millosh Gjergj Nikolla i njohur më shumë përmes nofkës Migjeni (Shkodër, 13 tetor 1911 - Torre Pellice, 26 gusht 1938) ka qenë një poet dhe prozator i shquar shqiptar. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma. Ndikimi i tij mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.

Millosh Gjergj Nikolla
"Të lindet një njeri, i madh si madhni

dhe ndërgjegjet tona t'i ndezi në dashni, për një ide të re, ideal bujar

për një agim të lum e të drejtë kombtar"
U lind më13 tetor 1911
Shkodër, Vilajeti i Shkodrës, Perandoria Osmane
Vdiq më26 gusht 1938
Torre Pellice, Torino, Itali
Emri i letraveMigjeni
Kombësiashqiptar
Gjinitë letrareprozë, poezi

Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai trajtoi varfërinë e viteve kur jetoi, me krijime të tij si "Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni?", etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.

Një shtysë te posaçme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet '30 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.


Prejardhja

Redakto

Gjyshi, Nikolla (v. 1876) nga Reka e Dibrës shkoi në Podgoricë punonte në ndërtim dhe mbiquhej Nikollë Dibrani. Atje u njoh me Stanka Stanishtin, ortodokse malazeze, pasi u pëlqyen, e grabiti dhe u vendosën në Shkodër. U bënë me dy djem: Kriston/Kërston dhe Gjergjin/Gjokon (1872-1924).[1] Sipas vajzës së axhës, Lekosavës, familja e tyre kishte prejardhje shqiptare;[1] sipas Pipës, ishin me origjinë sllave.[2]

Gjergji më 17 shtator 1900 u martua me Sofinë e Anastas Kokoshit.[3] Më 1910 Gjergji zuri një ushqimore dhe dhjetë vjet më vonë, kur vdiq baxhanaku Ilia Trimçev, mori ëmbëltoren e tij, të cilën e mbajti gjersa vdiq, më 21 mars 1924, në moshën pesëdhjetë e dy vjeç. Qe përfaqësues i komunitetit ortodoks të Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922, ku u shpall Autoqefalia e Kishës Ortodokse.[4]

Në këtë dyqan e ndihmoi fëmija i parë i shtëpisë, Nikolla, që pati lindur më 30 tetor 1901 dhe vdiq një mot pas t'et nga pleuriti. E ëma vdiq që në 1916 duke lënë gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza). E ëma ish edukuar në seminarin katolik të Shkodrës, të drejtuar nga murgesha italiane. E dërrmuar nga këto fatkeqsira që e pllakosën njëra pas tjetrës, vdiq më 1926 edhe gjyshja tetëdhjetëvjeçare. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në shkollën fillore serbe në Shkodër.[5]

 
Shtëpia e Migjenit në Shkodër

Shtëpia ku lindi Migjeni ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçeve, shtëpi ku u bë Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.

Biografia

Redakto

Mirkoja - siç e thërritnin Milloshin të vogël[1] - u lind më 30 shtator 1911 sipas kalendarit julian, që i bie 13 tetor 1911 me kalendarin gregorian.[3] Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar ku ndoqi gjimnazin e ultë po në serbisht. Daja, Jovan Kokosheviqi, i nxorri bursë për në gjimnazin e Manastirit, ku kreu dy vitet e fundit të semimaturës më 1925/26 dhe 1926/27. Më pas fitoi të drejtën e studimit shkollim fetar dhe u regjistrua në seminarin ortodoks "Shën Gjon Teologu".[6] Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet "bir i Gjergjit, tregtar". Me atë "Dëftesë Pjekurie" e përcaktonte për detyra klerikale.[2]

Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka. Një vit qëndroi pa punë, më pas në vitet 1933-1935 punoi si mësues filloreje në Vrakë kur u sëmur ose iu përkeqësua tuberkulozi. Vitin arsimor 1935-36 kthehet dhe shërben në Shkodër;[7] vitin pasardhës kërkoi që ta transferonin në Pukë[2] - ku përfitoi edhe për shëndet, ndërsa dimrit kthente në Shkodër. Në Pukë i përkeqësohet shëndeti, e zë hemoftiza dhe më 22 dhjetor 1937 shkoi në Torino,[7] ku shpresonte të studionte për letërsi pasi të kurohej. Pas një operacioni të pasuksesshëm në spitalin Valdensian të Torre Peliçes, ndërroi jetë më 26 gusht 1938.[2]

Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si "Zgjimi", "Të birt' e shekullit të ri", "Shkëndija", "Shpirtënit shtegtarë", etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë ("kalbësinave që kërkojnë shejtnim"). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për "një agim të lum e të drejtë kombëtar", me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira ("Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni?", etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në "Poemën e mjerimit", veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si "Zoti të dhashtë" etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e tyre familjare ("Të çelen arkapijat", "Studenti në shtëpi"). Në "Studenti në shtëpi" vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e paaftë për të luftuar për ideale të larta. Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar ("Kanga skandaloze", "Programi i një reviste", "Novelë mbi krizën" etj.) Skamorët, të cilët i urrenin shtypësit, por ende nuk guxonin të ngriheshin kundër tyre, Migjeni i pasqyroi me simpati të thellë. Në skicat "Luli i vocërr" dhe sidomos te "Zeneli", shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore. Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre ndaj padrejtësisë shoqërore ("Mollë e ndalueme"). Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t'i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia - këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit. Shkrimet e tija lanë gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës.

Me mohimin e shoqërisë çifligaro-borgjeze dhe aspiratën e fortë për një të ardhme më të mirë për masat e popullit, Migjeni pati ndikim të ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare; me veprat e tij ndihmoi në formimin shpirtëror të saj. Këtë rol ato e luajtën edhe në vitet e qëndresës kundër pushtuesit fashist, kur qarkullonin dorë më dorë.

Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. ("Veprat" e plota të Migjenit janë botuar tre herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.

Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në 1956.[nevojitet citimi] Iu dha titulli "Mësues i Popullit" post-mortem në vitin 1957.[nevojitet citimi]

Film për Migjenin

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b c Ulqinaku, Hajro (2011). "Migjeni - si e mbajnë në mend". Migjeni në kujtimet e bashkëkohësve. Tiranë: Princi. fq. 35–36. ISBN 9789928404879.
  2. ^ a b c d Pipa, Arshi (2014) [1978]. "Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives" [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore]. Përkthyer nga Primo Shllaku. Princi. fq. 120. ISBN 978-9928-4090-9-6.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ a b Luarasi, Petro (25 prill 2018). "E vërteta mbi trillimet". Koha jonë vj. XXVII. 96 (8227): 16.
  4. ^ Idrizi 1992, pp. 36-37.
  5. ^ Shiko faqja 12 nga Teksti mbi orthodokset shqiptar Arkivuar 16 korrik 2011 tek Wayback Machine nën emrin Gjiko Nokoliq; 2) fq. 8-9. 3) fq. 3
  6. ^ Ulqinaku 2011, p. 37.
  7. ^ a b Ulqinaku 2011, pp. 38, 40-41.

Bibliografia

Redakto
  • Robert Elsie (Hrsg.): Migjeni - Freie Verse. Schulz-Kirchner Verlag, Idstein 1987 ISBN 3-925196-31-5
  • Idrizi, Rinush (1992). Migjeni. Tiranë: Shtëpia Botuese Enciklopedike.
  • Migjeni Der Selbstmord des Sperlings und andere Prosaskizzen / (Millosh Gjergj Nikolla). Aus dem Albanischen von Joachim Röhm. Karlsruhe 1989.