Zef Serembe
Zef Serembe (it.: Giuseppe Serembe) lindi më 6 mars të vitit 1844 në Strigari (it.: San Cosmo Albanese) të krahinës së Kozencës, ishte poet lirik arbëresh. Studioi në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitrin ku pati mësues De Radën, me të cilin më vonë u bë mik. Varfëria dhe shëndeti i keq e detyruan Seremben të ndërpresë shkollën dhe të kthehet në fshatin e lindjes.[1]
Zef Serembe | |
---|---|
U lind më | mars 1844 Strigari |
Kombësia | Shqiptar, arbëresh |
Gjinitë letrare | poet, shkrimtar |
Ra në dashuri në moshë të re me një bashkëfshatare të tij, e cila më vonë u shpërngul familjarisht në Brazil dhe vdiq pak kohë pasi kishte arritur aty. I pushtuar nga kjo humbje ai mori detin për në Brazil në vitin 1874 në kërkim të një jete të re si dhe me mendimin të gjente të paktën atje varrin e saj. Me ndihmën e një letre-porosi nga Dora d`Istria, ai u prit në oborrin perandorak të Dom Pedro II. Pas një dashuriçke këtu, ai u kthye në Evropë, i zhgënjyer e i pikëlluar nga jeta e oborrit. Me kthimin e tij më 1875 ai pësoi edhe një kthesë tjetër fati edhe më të keqe. Atij iu vodhën te gjitha paratë që kishte, me sa duket në portin e Marsejës. Iu desh të kthehej në këmbë për në Itali dhe thuhet se gjatë rrugës humbi shumë dorëshkrime. Në Livorno Dhimitër Kamarda e pajisi me një biletë treni për pjesën e mbetur të rrugës për në Kozencë. Hidhërimi dhe depresioni kohor ose forma të tjera të çrregullimit mendor apo shpirtëror e shoqëruan atë gjithnjë dhe e kthyen atë në një vetmitar dhe njeri të pasigurt. Në vetminë e tij ndjenjësore, Italia u bë për të gjithnjë e më tepër dheu i huaj. Në vitin 1866 ai shikoi ngulimet arbëreshe në Sicili, te Hora e Arbëreshëve, duke u lidhur më tepër me zakonet, me folklorin, me të folmet e ndryshme të arbëreshëve, me ndjenjat dhe ëndërrimet e tyre, me ndjenjën e madhe të çlirimit të atdheut të të parëve. Po nuk gjeti asgjëkundi qetësinë e shpresuar. Gjatë këtyre shtegtimeve ai improvizonte poezi dhe i recitonte ato kudo që shkonte, si një poet popullor. Disa prej këtyre vjershave qarkulluan si poezi popullore. Në vitin 1893 udhëtoi për në Amerikë, ku jetoi për dy vite.
Një vëllim i vargjeve të tija në italishte u botuan në vitin 1895 në Nju Jork. Në vitin 1897 ai emigroi nga Kalabria për në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u përpoq të rifillonte një jetë të re në Buenos Aires Argjentinë. Në vitet që pasuan u sëmur dhe vdiq në vitin 1901 në Shën Pali, Brazili.
Veprat letrare
RedaktoShumë prej veprave (punëve) të Serembes (poezi, drama dhe një përkthim i Psalmeve të Davidit) që ai shpesh i rishikonte e i ndryshonte, humbën gjatë jetës së tij endacake. Sa qe gjalle ai botoi vetëm: "Poesie italiane e canti originali tradotti dall`àlbanese" (Poezi italiane e këngë origjinale të përkthyera nga shqipja), Kozencë 1883 në italisht dhe shqip, "Il reduce soldato, ballata lirica", 1895 Nju Jork (Kthimi i ushtarit, baladë lirike); vargje vetëm në italisht, dhe "Sonetti vari" (Sonete të ndryshme) Napoli 1891, një përmbledhje shumë të rrallë prej 42 sonetesh me një parathënie (hyrje), me një shkrim të imtë të ndrydhur në vetëm 4 faqe. Ja këtu një copë e parathënies : “ E ky është motivi për të cilin, o Rini e shkëlqyeshme Italiane, vendosa me zemër të thyer të jap për botim këtë vëllimth ku, së bashku me përkthimin fjalë për fjalë të disa këngëve të mia origjinale shqipe, kam futurë edhe disa poezi të miat italisht, të diktuara pothuaj në mënyrë të improvizuar, sipas kërkesës së miqve, me shpresë që me të hollat nga shitja e këtyre të mund t’i grumbulloj mjetet që më janë të nevojshme për t’ia arritur qëllimit që i kam caktuar vetes.”
Një poemë u duk edhe në revistën e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro) Arbri i Ri me 31 mars 1887. 39 prej poemave te tij shqipe "Vjersha" u botuan pas vdekjes së tij në vitin 1926 në Milano nga nipi i tij Cosmo (Kozmo) Serembe. Punë të tjera tij u gjendën në arkiva të ndryshme dhe dorëshkrimet në vitet e fundit dhe disa prej poemave në të vërtetë mbijetuan në përcjellje gojore midis fshatarëve të San Cosmo Albanese. Kjo shenjë e popullaritetit te tij ne vendlindje është tepër për t’u habitur nga që ai pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi larg tij.
Vjershat e Serembes kanë karakter të trishtë e melankolik, por shpesh janë patriotike e idealistike në frymëzim. Njohës të letërsisë e radhisin midis poetëve më të mirë lirikë që letërsia shqipe ka pasur ndonjëherë, të paktën para kohëve moderne. Temat e tij shtrihen nga lirika melodioze në dashurinë e evlogisë (fjalëve të ëmbla) për vendlindjen e tij (qoftë Italia, vendlindja e tij apo Shqipëria, toka e ëndrrave të tija), poema elegante mbi miqësinë dhe bukuritë e natyrës (amtyrës), dhe vjersha me frymëzim fetar. Ndër poemat e tij romantike të mallit kombëtar, të cilat fuqizojnë lidhjen letrare me ngritjen e brezit të poetëve të Rilindjes në shekullin e 19-të në Shqipëri, janë lirikat e kushtuara atdheut të tij të humbur, Ali Pashë Tepelenës , Dora d`Istrias dhe Domeniko Mauros. Megjithëse ai mund të ketë qenë atdhetar, ai nuk ishte një poet intelektual që mund të na afrojë kronika poetike mbi të kaluarën e Shqipërisë. Ai qe një poet i ndjenjave, idealeve, vetmisë e zhgënjimit.
Ja një prej vjershave të tija emëruar "Vrull"
Vrull
Zogj të bukur këndojnë me hare, Po zëmra do më plasë mua në gji. I helmuar e shkoj jetën te ky dhe: Mërzitem në katund, në vetëmi. Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti, Që zgjon te trutë e mi mendime shumë, Zëmra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit, Aq sa vetëm pushoj kur bje në gjumë. Arbria matanë detit, na kujton Se ne të huaj jemi te ky dhe! Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron Që ne turku na la pa Mëmëdhe... Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon, Por fryn era dhe akulli me zë, Se ç'ka qenë Arbëreshi po harron: Dhe s'i vjen turp aspak, po rri e fle.
Në këtë vjershë këndohet vetmia në dimensionet e veta romantike: si vetmi personale dhe vetmi e kolektivitetit. Serembe del nga skema e romantikëve shqiptarë Naim Frashëri e Jeronim de Rada , sepse ai si lirik i kulluar, nuk predikon asgjë, ai vetëm shpreh dhe rikthehet në vetvete. Me këtë Serembe u afrohet dhe bëhet romantik i vërtetë evropian.
Tituj të veprave
Redakto- Poesie italiane e canti originali tradotti dall`àlbanese (Poezi italiane e këngë origjinale të përkthyera nga shqipja), Kozencë 1883 në italisht dhe shqip
- Il reduce soldato, ballata lirica, 1895 Nju Jork (Kthimi i ushtarit, baladë lirike); vargje vetëm në italisht
- Sonetti vari (Sonete të ndryshme) Napoli 1891
- Vjershe [2] – 1926 botuar në Milano nga nipi i tij Cosmo (Kozmo) Serembe
Përkthime
Redakto- Psalmet e Davidit
Referime
Redakto- ^ Hamiti, Sabri (11 dhjetor 2017). Letërsia Romantike Shqipëtare. MASHT.
- ^ Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut