Soneti është një lloj i veprës së shkruar letrare. Fjala sonet rrjedh nga fjala italiane "sonetto", që do të thotë "këngë e vogël". Nga shekulli 13-të soneti shpjegohet si vjershë lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në katër strofa, dy të parat prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tre vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme; tingëllimë. Soneti në letërsinë evropiane është përhapur falë poezisë italiane, sidomos pas suksesit të madh të veprës së famshme Canzoniere të Françesko Petrarkës (Francesco Petrarca). Katrenat e sonetit petrarkian kanë rimë abba/abba ndërsa tercinat kanë rimë cdc/cdc.[1] Soneti më i famshëm i Petrarkës është soneti XC, që i është kushtuar të dashurës së tij Laurës.


SONETI XC

Paq nuk gjej, e s'kam luftë për të bâmun;
hem drue hem shpresoj; e digjem e jam akull;
e fluturoj nalt në qiell e gjindem i shtrîm për
dhé; e kurrgjâ nuk rroki e krejt botën e përqafi.

Dikush më ká në burg qi as nuk më lëshon
as nuk më ndryen; as nuk më mban për vete
as nuk m’a zgjidhë lakun; e nuk më vret Dashunija
as nuk më liron verigash e as nuk më don gjallë
as nuk më nxjerr prej këtij zori.

Shof pa pasun sý; s’kam gjuhë e vrras;
këndej deshiroj me sharrue andej lypi ndihmë;
vetveten e kam në mëní edhe due tjetërkend;

ushqehem me idhnim; qeshem tue qá; si deka
si jeta njinji më neveritën: në këtë gjendje,
zojë, jam për shkak të juej.


Në pozinë shqipe soneti është shfaqur gjatë Rilindjes. I pari që ka shkruar është L. De Martino, pastaj Ndre Mjeda, Zef Serembe, Ernest Koliqi, etj. Mirëpo, kulmin artistik e ka arritur Ndre Mjeda në poemat sonetike Lissus, Scodra, e Liria. Në këto sonete Mjeda ka përdorur vargun njëmbëdhjetërrokësh, një varg që është konsideruar tipik italian, por i cili i krijuar nga Mjeda tingëllon natyrshëm në shqip dhe ka bukuri të madhe:


LIRIJA

IV.

Tý të kjosha falë, o dritë, âma e mbrodhsimit,
Ti dave terrin e egersis’, e tine,
E lakmuemja e gjith dhènavet latine,
Ameriken e pshtove prei robnimit.

Porsi vegim u mbuze, e prei nalcimit
E puthe token me atò rreze, e shkrine
Akllin e vjeter qi kish mbet’ e fshine
Vàj e pádije e anëmiq të lirimit.

E ndjeu toka njatë shènd e u gëzue si fëmija
Qi i qeshet lokes kúr ja reshë krahnorit;
E shpirt e zêmër neper buz’i shpraze.

Me nji te njyeme mâ të bukur, pa tallaze
Shndriti deti njatë herë: prei katundorit
Nder fush’e male mungulloi L i r i j a .

References

Redakto
  1. ^ Sonnet, Encyclopaedia Britannica.