Gjon Buzuku
Gjon Buzuku ka qenë një prift katolik që vetëidentifikohej arbënesh që jetoi përgjatë shekullit të XVI. Zë vend themelor si përkthyes dhe përpilues i librit të parë të botuar si dhe përkthimit të parë në gjuhën shqipe, një libër liturgjik kishtar i titulluar Meshari sipas librit të meshëve që ka në përmbajtje.
Gjon Buzuku | |
---|---|
U lind në | 1499 |
Vdiq | 1577 (aged 77–78) |
Kombësia | Shqiptar |
Profesioni | Prift katolik |
Vepra të shquara | Meshari |
Prind/ër |
|
Familja | Buzuku |
Jeta dhe vepra
RedaktoU lind në fshatin Ljarje të Krajës në sundimin e Perandorisë Osmane, trevë shqiptare ende sot në Malin e Zi, i biri i Bdekut - siç e shkruan në pasthënien e përkthimit.[1] Me gjasë jetoi pranë ose afër Venedikut, asokohe në Republikën e Venedikut. Ka mëtime që ka qenë ipeshkëv i dy dioqezave në Shqipërinë Veriore ose që ka qenë murg.
Veprën "Meshari", Buzuku nisi ta shkruante më 20 mars 1554 dhe e mbaroi me 5 janar 1555, në një moshë kur ka qenë burrë i pjekur.[2] Nga kjo vepër njihet vetëm një kopje e cunguar që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit. Asaj i mungojnë fletët e para, titulli dhe vendi i botimit, por supozohet se u botua në Venedik. Gjuha e veprës është gegërishtja e shekullit XVI, e shkruar me alfabetin latin të tipit gjysmë gotik. "Kemi të bëjmë pikësëpari, pohon Çabej, me një gjuhë letrare, prodhim i një zhvillimi të mëparmë të shkrimit dhe të përpunimit nga ana e këtij shkrimtari".[3]
Meshari përbëhej nga 110 fletë (220 faqe). Kopja e librit që ka arritur është e cunguar, përbëhet nga 94 fletë (188 faqe), i mungojnë 16 faqet e para, ndër to edhe kopertina me faqen kryesore. Duke qenë se Meshari përmban tekste nga Dhiata e vjetër dhe Dhiata e re, ai nuk është shumë i vështirë për t’u interpretuar, me gjithë ortografinë e ndërlikuar, gjuhën arkaike, gabimet e shumta të shtypit e mungesat e fjalëve. Të 188 faqet e tekstit përmbajnë 154 000 fjalë me një tërësi fjalori prej rreth 1500 leksemash, me vlerë të posaçme për leksikografët dhe gjuhëtarët historikë. Kjo përmbajtje flet për përdorim të gjuhës shqipe në shërbesat fetare, lidhur siç duket me përpjekjet për përdorimin krahas latinishtes edhe të gjuhëve amtare.[4]
Meshari është botuar me alfabetin latin të tipit gjysmëgotik, i zakonshëm në atë kohë në Italinë veriore. Kryesisht për tingujt e gjuhës shqipe që nuk i ka latinishtja (g, gj, th, dh, z, x, i) ka edhe pesë shkronja të posaçme, që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Autori shihet se ndjek një traditë mjaftë të konsoliduar të shkrimit të shqipes, të cilën do ta vijojnë edhe autorët pasardhës të Shqipërisë veriore. Qenia e një tradite letrare të mëparshme shfaqet edhe në gjuhën relativisht të përpunuar të veprës. Në pasthënie shprehen shkoqur ndjenjat atdhedashëse që e kanë frymëzuar, dëshira e tij për të ndritur mendjen e bashkatdhetarëve. Në veprën e Buzukut gjejmë ndonjëherë edhe pjesë të një proze tregimtare me vlera letrare, të shkruara me gjuhë të qartë dhe të kuptueshme. Bie në sy puna e tij, ose e traditës së mëparshme, për pasurimin e shqipes me fjalë të reja, në mes të cilave ka mjaft fjalë të sferave të jetës mendore. Si vepër e parë shqipe e njohur, "Meshari" ka rëndësi të madhe për historinë e kulturës, në mënyrë të veçantë për historinë e shqipes së shkruar dhe të letërsisë shqiptare. Është dëshmi e shqipes në shek. XVI, në një fazë kur nuk ishin zhvilluar ende një pjesë e dallimeve dialektore të mëvonshme. Me gjuhën në një masë të mirë të standardizuar e të kodifikuar, si koine letrare që u ngjit e u zhvillua me veprat e autorëve të Veriut në shekujt XVI - XVIII, vepra e Gjon Buzukut hapi një etapë të re në lëvrimin e shqipes si gjuhë e shkruar kulture.
Gjurmët dokumentare
RedaktoPërveç të dhënave në kolofonin e Mesharit, Gjon Buzuku nuk është gjetur deri më tash në asnjë material arkivor të kohës. Rishtazi është zbuluar një fill që mund të shtojë ca informata në këtë drejtim, megjithëse nuk është vërtetuar ende nëse bëhet fjalë për të njëjtin Gjon Buzuk, apo për ndonjë tjetër. Në arkivat e Universitetit të Padovës, në vitin 1567, figuron të ketë doktoruar një Ioannes Busichio de Civitali Fori Iulii. Pra një Gjon Buzuk nga Friuli. Aty jepen detaje të doktorimit të suksesshëm, si dhe tema. Mbi të gjitha përmendet edhe emri i të atit, një Martin, që nuk shkon në përputhje me emrin e të atit të Buzukut (Bdek) që duhet të ketë qenë Dominik apo Benedict në Italisht. Sidoqoftë referimi si bdek për të atin e tij Buzukun nga vetë Gjoni nuk është e sigurt se i referohet emrit, prandaj dhe gjurma e Padovës mund të jetë e vetë përpiluesit të Mesharit.[5]
Përveç kësaj, studimet e fundit të inicialeve dhe tipshkronjave kanë vërtetuar se libri është shtypur në Venedik. Duke vërtetuar edhe vendin ku duhet të ketë banuar të paktën për një pjesë të jetës së tij ky autor.[6]
Lidhje të jashtme
RedaktoReferime
Redakto- ^ Rrota, Justin (2006) [1960]. Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 97. ISBN 99943-696-9-5.
- ^ Çabej, Eqrem (1977). "Gjon Buzuku dhe gjuha e tij". Studime gjuhësore. VI: 25.
- ^ Anamali, Skënder; Prifti, Kristaq (2002). Historia e popullit shqiptar. Vëll. 1. Tiranë: Toena. fq. 697. ISBN 9992716223.
- ^ Elsie, Robert (2005). Albanian Literature: A Short History (në anglisht). I.B.Taurus. fq. 9. ISBN 1-84511-031-5.
- ^ ExLibris (2022-11-09). "Yll Rugova: Një Gjon Buzuk nga Friuli, doktorant në Padovë në vitin 1567". ExLibris (në anglishte britanike). Marrë më 2023-12-11.
- ^ "Studiuesja Nadin: Buzuku, një frat françeskan në Venecia". 2023-12-11. Marrë më 2023-12-11.