Udhëtimi në kohë

ideja e lëvizjes ndërmjet pikave të ndryshme në kohë

Udhëtimi në kohë është ideja e lëvizjes ndërmjet pikave të ndryshme të kohës, në një mënyrë të ngjashme me lëvizjen ndërmjet pikave të ndryshme në hapësirë, zakonisht duke përdorur një pajisje të hamendësuar, të quajtur makina e kohës. Udhëtimi në kohë është një koncept i njohur në filizofi dhe fantashkencë, por udhëtimi në një pikë të çfarëdoshme në kohë ka mbështetje tepër të kufizuar në fizikën teorike, zakonisht vetëm së bashku me mekanikën kuantike ose vrimat e krimbit. Udhëtimi në të ardhmen, nëpërmjet bymimit të kohës, është një fenomen i provuar mjaft mirë në fizikë (relativiteti) dhe përjetohet gjithmonë nga astronautët, por vetëm me disa milisekonda. Për të mundësuar udhëtimin në të ardhmen për disa vite, do të duhej që lëvizja të kryhej me shpejtësi të krahasueshme me shpejtësinë e dritës, por kjo sot për sot është teknologjikisht e pamundur.[1]. Për shembull, nëse nga dy vëllezër binjakë nga 30 vjeç, njëri prej tyre do të udhëtonte drejt yllit Vega me shpejtësi të afërt me shpejtësinë e dritës, kur të kthehej në Tokë, ai do të ishte vetëm 37 vjeç, ndërsa vëllai i tij do të ishte plot 69 vjeç. Pra vëllai i parë do të udhëtonte 42 vite përpara në kohë.[2]

Teoria

Redakto

Disa teori, ku më të njohurat janë relativiteti special dhe relativiteti i përgjithshëm, sugjerojnë se gjeometri të përshtatashme të hapësirë-kohës ose lloje specifike të lëvizjes në hapësirë mund të lejojnë udhëtimin në kohë në të shkuarën dhe në të ardhmen nëse këto gjeometri ose lëvizje do të ishin të mundura.[3] Në pëgjithësi, fizikantët e shmangin përdormin e fjalëve të zakonshme "lëvizje" ose "udhëtim" në kohë ("lëvizja" i referohet një ndryshimi hapësinor, ndërkohë që koordinata e kohës ndryshon) dhe diskutojnë mundësinë e vijave të mbyllura të kohës, të cilat janë disa vija universi që formojnë rrathë të mbyllur në hapësirë-kohë, duke lejuar objektet të kthehen në të shkuarën e tyre.

Relativiteti parashikon se nëse një njeri largohet nga Toka me një shpejtësi të krahasueshme me shpejtësinë e dritës dhe rikthehet, do të ketë kaluar më shumë kohë në Tokë, se sa do të ketë kaluar për udhëtarin. Në këtë kuptim, pranohet se relativiteti e lejon "udhëtimin në të ardhmen". Nga ana tjetër, komuniteti i shkencëtarëve beson se udhëtimi prapa në kohë ka shumë pak gjasa të realizohet. Nëse ndonjë teori do ta lejonte udhëtimin prapa në kohë atëherë, do të lindnin probleme që kanë të bëjnë me shkak-pasojën. Problemi klasik është "paradoksi i gjyshit": çfarë do të ndodhte nëse një person do të kthehej prapa në kohë dhe të vriste gjyshin e tij përpara se babai i tij të kishte lindur? Por disa shkencëtarë besojnë se paradokset mund të shmangen, me anë të parimit të vetë-konsistencës të Nikovit ose me anë të universeve paralele.

Turizmi në kohë

Redakto

Stephen Hawking ka sugjeruar se mungesa e turistëve nga e ardhmja është një argument kundër ekzistencës së udhëtimit në kohë. (Një variant i paradoksit Fermi). Sigurisht që kjo nuk do të vërtetonte se udhëtimi në kohë është fizikisht i pamundur, pasi mund të jetë fizikisht i mundur, por thjesht nuk është zhvilluar apo përdorur kurrë; dhe edhe po të ishte zhvilluar, Hawking thekson diku tjetër se udhëtimi në kohë mund të ishte i mundur vetëm në një zonë të hapësirë-kohës që është deformuar në mënyrën e duhur dhe nëse ne nuk mund ta krijojmë një zonë të tillë deri në të ardhmen, atëherë udhëtuesit e kohës nuk do të kishin mundësi të udhëtonin prapa përpara asaj date, pra "kjo pikturë do të shpjegonte se pse" kjo botë nuk është mbushur akoma me "turistë të së ardhmes".[4] Kjo thjesht nënkupton se derisa ne të krijojmë makinën e kohës, nuk do të jemi në gjendje të shohim "turistë nga e ardhmja". Carl Sagan ka sugjeruar se udhëtuesit e kohës mund të jenë këtu, por po e fshehin ekzistencën e tyre ose nuk njihen si udhëtues në kohë, sepse sjellja e ndryshimeve të paqëllimshme në madhësinë e vazhduar të hapësirë-kohës, mund të sjellë pasoja të padëshiruara tek ata udhëtues. Madje mund të sjellë edhe ndryshime të ngjarjeve të shkuara.[5] Ekziston gjithashtu një mundësi që nëse ngjarjet kanë ndryshuar, kurrë nuk do ta dallonim një gjë të tillë sepse të gjitha ngjarjet në vazhdim si dhe kujtimet tona do të ndryshonin menjëherë për të qenë në harmoni me ngjarjet e reja.

Udhëtimi në kohë në filozofi

Redakto

Koha është një nga konceptet më të pak të kuptuara në fizikë, në krahasim me konceptet e tjera themelore. Kjo ka bërë që koha të studiohet nga filozofë të shumtë, duke filluar që periudha e Greqisë së lashtë. Një sërë paradoksesh janë ngritur dhe një sërë zgjidhjesh janë sugjeruar që nga ajo kohë deri më sot.

Paradoksi i gjyshit

Redakto

Paradoksi i gjyshit është një situatë e hamendësuar ku një djalë kthehet prapa në kohë dhe vret gjyshin e tij, përpara se ai të njihej me gjyshen e tij. Në këtë mënyrë, babai i djalit nuk do të kishte lindur kurrë dhe rrjedhimisht as djali vetë. Nëse djali nuk do të kishte lindur kurrë, atëherë ai nuk do të ishte do të ishte kthyer prapa në kohë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një të rritur që kthehet prapa në kohë kur ishte fëmijë dhe vret veten. Nëse ai vret veten, ai kurrë nuk do të ishte rritur. Nëse nuk do të ishte rritur, nuk do të ishte kthyer prapa në kohë për të vrarë veten.

Ky diskutim është i rëndësishëm në filozofi, pasi filozofët diskutojnë nëse këta paradokse e bëjnë udhëtimin në kohë të pamundur. Disa filozofë, iu përgjigjen paradokseve duke theksuar se udhëtimi në kohë është i mundur, por e shkuara nuk mund të ndryshohet në çfarëdo lloj mënyre që të duam.[6]

Referime dhe shënime

Redakto
  1. ^ Hawking, Stephen (27 prill 2010). "STEPHEN HAWKING: How to build a time machine". Daily Mail. Marrë më 7 gusht 2015. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "A është i mundur udhëtimi në kohë?". Top Channel. 15 maj 2013. Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 24 janar 2016. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Thorne, Kip S. (1994). Black Holes and Time Warps. W. W. Norton. fq. 499. ISBN 0-393-31276-3. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Hawking, Stephen. "Space and Time Warps". Arkivuar nga origjinali më 10 shkurt 2012. Marrë më 2012-02-26. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ "NOVA Online – Sagan on Time Travel". Pbs.org. Marrë më 2010-05-25. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ shikoni këtë diskutim ndërmjet dy filozofëve për shembull (anglisht)