Unë banoja në Tiranë
"Unë banoja në Tiranë" libër me tregime, me autor Arben Imeri. Shtëpia botuese "Toena", viti i botimit 2014. Faqet e librit 240.
Tiranës
Sa herë që bryma më ndalet mbi qerpikë
e mjegulla e veriut më vret shikimin,
kujtimet e mia, t'i radhis kam frikë,
e ndiej që në zemër do fus trishtimin.
Dhe, kur në mbrëmje i heshtur troket perëndimi
e hëna e zbehtë humbet ndër re,
tymit të cigares i bashkohet hidhërimi,
që përsëri bashkë, nuk jemi ne...
Fragment nga libri
Kërkonim jetën dikur
Ishim të vegjël dikur, ishim të lumtur.
Ëndërronim vitet 2000.
Ishim të rinj dikur, ishim të trishtuar.
Kërkonim më shumë, dikur.
Ikëm. Ikëm që të realizonim ëndrrat tona.
Udhëtimi ishte i gjatë.
Në det kishte dallgë, në qiell kish shkreptima.
Ne ikëm. Ikëm larg, pa kthyer kokën prapa.
Ishim të zemëruar, nuk kishim më lot.
Kërkonim dritë, kërkonim frymëmarrje, kërkonim bukurinë.
Kërkonim jetën. Gjetëm fabulën e saj...
Gjetëm lotët... harruam buzëqeshjen.
Mësuam gjuhët e botës... harruam atë të nënës.
Lamë sofrën... u ulëm në restorante.
Flakëm zinxhirët... blemë litarët.
Qethëm flokët... vumë parukat.
Hapëm sytë... vumë gjyzlykët.
Kërkuam cicërimën e zogjve... dëgjuam ulërimën e ujkut.
Sollëm dëshirat... morëm dëshpërimin.
Donim sorkadhen... takuam dhelprën.
Pritëm yjet... vëzhguam meteorët.
Deshëm detin... notuam oqeanin.
Shpresuam përkëdheljen... ndiejmë shuplakën.
Besuam në ditën me diell... zgjatëm netët e alkoolit.
Mbushëm gotat me verë... shtuam dhimbjen.
Sollëm shtyllën kurrizore... hoqëm pantallonat.
Kaluam Murin e Berlinit... hasëm në atë të indiferencës.
Kërkuam ngjyrat e ylberit... gjetëm ndryshkun.
Dhamë dëftesat... morëm pasaportat.
Harruam Çufon... hasëm Pokemonin.
Hoqëm atletet me brima... veshëm këpucët lustrafinë...
Harruam përrenjtë... notuam pishinat.
Shkundëm pluhurin... shkelëm asfaltin.
Deshëm kaltërsinë... njohëm mjegullën.
Harruam vallen... kërcyem rock-un.
Shkruam poezinë... fshimë lotët.
Kërkuam malet... arritëm te qiellgërvishtësit.
Lamë Kullën e Sahatit... gjetëm Babiloninë.
Kërkuam shokët... gërmuam fotografitë.
Luajtëm simfoninë... dëgjuam marshin e fundit.
Dëshiruam puthjen... provuam zhgënjimin.
Pritëm Krishtin... takuam Judën...
Ishim të vegjël dikur, ishim të lumtur.
Ëndërronim vitet 2000, dikur.
Kërkonim dritë, kërkonim frymëmarrje, kërkonim bukurinë.
Kërkonim jetën.
Gjetëm fabulën e saj...
... dhe humbëm Atdheun...
Ky artikull nga Letërsia është një faqe cung. Mund të ndihmoni Wikipedian duke e përmirësuar. |