Vajtimi i Ajkunës është pjesë lirike e ciklit të kreshnikëve, një ndër më të bukurat dhe një kryevepër artistike e epikës së popullit shqiptar. Ajkuna është gruaja e Gjeto Basho Mujit, një kreshnik shqiptar. Ngjarja zhvillohet kështu: Omeri, djali i Mujit rrethohet në bjeshkë e pas një lufte të rreptë vritet. Kur arrin aty Muji, beteja ka përfunduar. Nga armiqtë e vrarë kupton se i biri megjithëse ishte vetëm shtatë vjeç, kishte luftuar si kreshnik. Këto tregohen në këngën “Vdekja e Omerit”. Vajtimin e nënës e paraprin një tablo dramatike tronditëse. Muji varros me duart e veta të birin ne Lugjet e Verdha dhe kthehet në kullë. Ajkuna merr vesh lajmin e zi. Pas këtyre shpërthen dhembja e nënës, vajtimi i saj. Në këtë vaj kemi diçka krejt të veçantë, që e bën këtë krijim poetik lirik të qëndrojë midis këngëve epike heroike të kreshnikevë. Vetë Omeri është një fëmijë i parritur, një luftëtar trim që la pas bëma kreshnikësh. Ajkuna, një nënë e dhembshur që vuan thellë vdekjen e djalit. Figurat artistike që përdoren janë të një lloji me ato të të gjithe ciklit. Këtu marrin pjesë yjet, hëna, zogjtë e bimët. Yjet ndalen të dëgjojne vajin e Ajkunës, kjo mallkon hënën pse nuk e lajmëroi më parë, ahu shtrin degën më të bukur që ajo të mbështetet dhe zogjtë e malit rreshtin këngën. Ajkuna ka në zemër lajmin e zi dhe kuja shpërthen. Në fund të vajtimit shprehja e dhëmbjes merr formë tjetër. Nëna kujton çaste nga jeta e djalit, e sa më të bukura janë ato, aq më e thellë është vuajtja në zemrën e nënës.

Vajtimi i Ajkunës Redakto

Drita a dalë e dritë s’po ban,
ka le dielli e nuk po nxeh:
ça ka ba Gjeto Basho Muji;
Djalin n’dhe Muji e ka shti…
A dredhe Muji e në shpi ka shkue,
nana e djalit po e pyet;
-Mujo, djalin ç’ma ka gjetë?
N’Lugjet t’Verdha, a thue ka mbetë?…
Qyqe vetëm rrugën ma paska marrë,
kan nxan vend hyjt vajin për me ndie,
kur ka dalë ndër Lugje t'Verdha,
atëhere hanën nana ka mallkue:
- T'u shkimtë drita ty,o mori hanë -
qi s'ma çove at natë nji fjalë,
n'lugje t'Verdha shpejt me dalë,
bashkë me hi n'nji vorr me djalë!
Ndoshta vorri t'dyve s'na kish xanë,
ndoshta djali ngat nuk m'kishte lanë,
nji vorr t'ri - por kishte ë për bri.
Ahit t'malit rixha i kishte ba,
gurit t'malit rixha i kishte ba,
për mue gropën me ma lanë -
se aq i vend ma kishte lanë.
Mallkue kjosh,o miri hanë,
qysh me e lanë nanën t'pa djalë!
Kur ka shkue te vorri i djalit,
ka pa ahin treqind vjeç.
Ahi ishte rrema - rrema,
nja ma t'bukrin mbi vorr qi p'e shtri,
mirë po pshtetet për degë t'ahit,
pikon lodja mbi vorr t'djalit.
Kan lan kangën zogjt e malit,
kan lan kangën me vështrue!
- Po a s'din de kush ka ardhë,
qi nuk çohesh për me u falë,
more i miri i nanës - ooo!
Amanet,o more bir,
Del nji herë ksi burgut t'errët,
fol me nanën qi t'ka rritë,
s'm'ke lan kurr kaq shum me pritë!
Ka lshue hana rrezet n'pyllë,
kan shkrepë hyjzit nëpër qiellë,
pvesin djalin - a e ke pa?
Rrahit t'zi ndër kambë i kishe re:
- Ka qillue bjeshka e gjanë,
gjith ku t'dueni vend me xanë.
- Nuk po m'len nji ah m'e pa.
Amanet pse e lae m'u djerrë?
Thuej m'kan mblue me dhe t'zi,
drita e juej mbrendë mos me hi,
vaji i nanës o mos me u ndi,
lodja e nanës o veç me m'rri,
mor Homeri i nanës-ooo:
- A thue gjogun me ta prue,
del ndo' i herë për me lodrue,
bjen dër gurra me u freskue,
kërkon majet bashk me zana,
se ty vorrin ta rue nana,
more i miri i nanës - ooo!
Orët e bjeshkës ma s'und p'e ndiejnë,
fjalën n'gojë po ja kthejnë dalë,
zemrën s'rrahni ja kanë ndalë,
lot ndër sy mirë po ja krijnë,
fytyrën lotsh mirë po ja shijnë,
vetë e bajnë e e çojnë n'Jutbinë.

Shiko edhe Redakto

Burimi i të dhënave Redakto

https://web.archive.org/web/20060819194212/http://www.tirana-online.de/folklori.html