Vermoshi
Vermoshi është një fshat në Komunën e Kelmendit të Rrethit të Malësisë së Madhe në Shqipëri.
Vermoshi | |
---|---|
Popullsia | |
• Gjithsej | 800 |
Ai ndodhet në skajin më verior të Republikës së Shqipërisë. Vermoshi gjendet në një distancë prej 95 km nga qyteti i Shkodrës. E gjithë kjo zonë quhet krahina e Kelmendit. Këtë emër mban edhe komuna në fjalë. Ky emërtim vjen nga fjala latine “climens”, që do të thotë i urtë, i thjeshtë, i mirë. Mbasi udhëtohet në një rrugë dramatike dhe spektakolare malore nga Shkodra për në Vermosh, duke kaluar objekte të tilla si qafën e Rrapshit dhe urën e Tamarës mbi lumin e Cemit, udhëtari mbërrin në fshat, i cili është ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Vermoshit, apo siç quhet ndryshe lumi i Limit. Gjendemi në një luginë me origjinë akullnajore, të vendosur në lartesinë 1.100 metra mbi nivelin e detit. Në të dy anët e luginës, ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe halorët. Vermoshi shquhet për panoramën e tij si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit.Një ndër aktivitetet, të cilat zhvillohen për çdo vit në Vermosh është “Logu i Bjeshkëve”, ku kryhet kompeticioni në të cilin zgjidhet “Miss Bjeshka”. Vajzat konkuruese ekspozojnë kostume kombëtare tradicionale të zonës së Kelmendit dhe M. s'Madhe. Në këtë aktivitet marrin pjesë shumë kelmendas të emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Angli.
Deri ne vitin 1992, fshati kishte 1.300 banorë, ndërsa aktualisht 530 prej tyre kanë emigruar sidomos në Shtetet e Bshkuara të Amerikës, ku janë vendosur kryesisht në Detroit. Aktivitetet kryesore të cilat mund të zhvillohen në Vermosh janë ngjitjet malore në malësinë e Marlulës, shëtitjet në luginat e thella alpine, (të Lëpushës dhe Cemit), skitë në shpatet natyrore me dëborë, peshkimi sportiv i troftës, etj. Një aktivitet tjetër janë turet e biçikletave malore. Hartat e rrugëve të tyre janë përgatitur nga ana e studentëve të universitetit të Shkodrës dhe Podgoricës me mbështetjen e projektit Gjerman, GTZ. Këtë tur e përfshijnë të dy vendet, Shqipëria dhe Mali i Zi. Zona e Vermoshit është e përmendur për cilësinë lartë të bulmetrave. Shquhen më së shumti kullotat në stanet e Seferçës, i cili është edhe skaji më ekstrem verior i Republikës së Shqipërisë. Vermoshi është i njohur edhe për kultivimin e patates. Njeriu i sotëm, me përformancën e një dordoleci - trembës i shpendëve - ka shpirt shkatërrues dhe bën të lotojnë në dhimbje edhe malet. Por ende ekziston një “ishull” i kristianizmit, ku “barbari” s’ka mbërritur ende. Shfaqet madhështor një amfiteatër natyror, që të fal mrekullinë e qytetërimit tremijëvjeçar, që gjendet ende në një gjumë magjik! Ky është Vermoshi. Të mbërrish deri aty, nga Malësia e Madhe duhen ca orë rrugë nëpër male e leqe, ku të shumtën e kohës mbyll sytë të mos shohësh thellësinë, për të cilën vendasit të tregojnë se ka ende fantazma legjendash. E, nëse i referohesh ndonjë ndalese në rrëfim, prej tyre mëson se në vitin 1890, një familje dimëroi aty për arsye shëndetësore, porse nuk u largua më. Pesë vite më vonë këtu u ngritën 12 shtëpi dhe më 1909-n Vermoshi bëhet kryeqendra e Bajrakut të Selcës. Kështu shpjegohet fillesa e këtij vendi... Me firmosjen e Protokolli më 1925, katër vjet pas diskutimeve në Konferencën e Parisit, Vermoshi i mbeti plotësisht Shqipërisë, duke larguar pretendimet e malazezëve, përherë në tentacion për ta cilësuar si tokë brenda kufirit sllav. Nga ajo kohë, gjelbërimi dhe pasuria e specieve dhe e bimësisë zgjohet lehtë, sa herë këtu mbërrin ndonjë i detroitizuar apo i milanizuar, për të lënë apo hedhur në lëndinë kockat e ndonjë kafshëze të pjekur në hell. Apo, edhe kur, në emër të traditës, çdo muaj gusht, nga “Shtatë Bjeshkët” zbresin në LOG vajzat hipur mbi kuaj, që sfilojnë dhe konkurrojnë për “Mis Bjeshka”. Deri diku, kjo festë me veshjen, me xhubletën karakteristike, krehja e flokëve të grave, të afron me traditën dhe natyra t’i dhuron ylberet njësh me notat e Bethovenit. Lartësohesh në ndjenjë, tek sheh kuajt të zbresin me bukuritë femërore e, prej së largu, dëgjon zërat e historisë për bjeshkët e frikshme... Pjesa tjetër, sa qesharake aq edhe e mjerueshme, kur njerëzit e metropoleve zbresin në këtë mrekulli. “Vajzat e miss-it vijnë nga Italia, nga Amerika, nga Belgjika”, - thotë Mrija, gruaja që për shumë kohë do të jetonte në këtë vend, ku shpirti merr jetë. Dëshira e saj është t’i shohë vajzat e fshatrave përreth bjeshkëve: vajzat e Veriut. Por kjo nuk ndodh dhe ndoshta s`do të ndodhë më kurrë. Shumë prej imazheve të “gruas së Bjeshkës”, ende në pubertitet, janë fejuar a martuar, ose ikur me shpejtësi prej mrekullive, për t’u kthyer ditën kur harrojnë të heqin takat e të vendosin këmbët në barin e lagësht e të freskët!
Vermoshi gjendet 1 200 metra mbi nivelin e detit. Sot aty numërohen 350 shtëpi, 200 prej të cilave janë të braktisura, pasi njerëzit kanë emigruar.
Lugina e Vermoshit, në Veri të Shqipërisë, rrethohet nga dy faqe mali të mëdha alpine, të cilat mbulohen nga pyje ahu e bredhi: në Veri kurrizi malor i Marlules dhe në Jug Kurrizi malor i Vilës. Lugina, e cila përshkohet nga një lumë me të njëjtin emër, të shpie në Lugun e Gucinjës, prej së cilës ndahet nga qafa e Vjedernikut. E tëra, si në pjesën shqiptare edhe malazeze, është natyralisht çlodhëse. Rrafshnalta horizontale perëndim-lindje e luginës së Vermoshit, deri në afërsi të Plavës, ka një gjatësi rreth 24 km. Nga qafa e Bordolecit, vështrimi njeh Bjeshkët e Namuna, kurse nga Pedana e Vermoshit njeriu prezantohet me kurorën dhe tragjedinë e bjeshkëve. Thellësia e gjelbërimit të virgjër kurorëzon ndërtimet alpine dhe fetare, të cilat janë vepër arti. Këtu ka jetuar njeriu kelmendas, ky arkitekt i rrallë i marrëdhënies së jetës me natyrën, që të afron me ndjenjën universale të kënaqësisë.
Vermoshi është fshati më i populluar në Kelmend. Nga këtej e prej këtij vendi njohëm (sa mundëm) Norën, Norën e Kelmendit, personazhin simbol të qëndresës heroike, që thuhet se vrau në çadrën e tij pashain turk, ndërsa Mem Smajli, më 1860-n u bë tmerri i sllavëve që pretendonin Vermoshin. Varri i këtij personazhi legjendar gjendet dhe nderohet edhe sot në Bjeshkët e Pojanicës.
Shtëpia muze, ndërtuar më 1993, ende pret vizitorë. Aty tregohet për Prek Calin, që luftoi për të mbrojtur Vermoshin dhe Kelmendin në vitet 1913, por që u pushkatua nga komunistët në vitin 1945. Para se të hysh në Vermosh ndodhet ura me histori 500-vjeçare, Ura e Tamarës. Aty është ngritur memoriali për gjithë emrat e atyre që u përballën me diktaturën. Në Selcë (bri rruge), në vendin e quajtur Suka e Mkushit, është një tjetër memorial, ku janë skalitur emrat e atyre që u vranë në fushëbetejën me turqit, më 25 prill 1911.
Në Vermosh ka edhe lumë, madje me shumë degë e burime, gjatësia dhe shtrirja e të cilit të mahnitin me sinkronizimin që thuajse duket i përjetshëm.
Vermoshi rrethohet nga Lugu “i varur” i Skropatushës, Lugu pa dalje i Dolit dhe Cirku i Smutirogës, shkëmbinjtë e rrudhosur gjatë rrugës për në Lepush, shpella karstike e Jacicës, Lugu i Lerthit, i Vilës, Lugu i Nilës. Burimet e panumërta kanë ardhur deri në ditët e sotme si homonime, me emra njerëzish apo fisesh. Ka burim për gruan dhe burrin; kështu janë trashëguar, kohë pas kohe. Gurra e Smutirogës thuhet se ka ujë të shëndetshëm për Femrën dhe Gurra e Sefercës ka ujin e duhur për Burra …
Në vendin e quajtur “Qafa e Përdelecit”, zhvillohen festimet garuese të “Logut të Bjeshkës”, trashëguar prej shekujsh këtyre anëve nga kelmendasit. Dikur, ky log shërbente si vend për kuvendim burrash, ndërsa tani luhet “Mis Bjeshka”!
Komuna Kelmend |
---|
Broja · Kozhnja · Lëpusha · Nikçi · Selca · Tamara · Vermoshi · Vukli |
redaktoni kutinë |