Vesë tingulli poezi, Autore: Valdete Antoni. Botuesi: Toena. Faqet e librit 200.

Kur lexon poezitë e Valdetes lexuesi provon emocione për ato gjetje, shprehur me aq finesë befasuese; njoha sinqeritetin e gruas nën një vello të hollë, lehtas mbuluar, gati-gati me petale lulesh ku frymon fati i gruas me të gjithë abc-në e femrës. Ka në këtë poezi, psherëtima të lehta që s’duan ta nxjerrin dhimbjen nga buzët; ka këngë, ngjarje e elegji të shpirtit njerëzor, shprehur me një lirizëm të hollë artisteje; ka vargje, ritme e melodi të brendshme, ku fryn një fllad i lehtë që ngjall sythe të tharë e të fjetur. Çdo qenie femërore, "gjen veten në harkun burrëror... si një vesë tingulli dhe... nga habia le të ngrijë dhe le të bëhet femër...". Lexuesi e përjeton poezinë e Valdete Antonit me emocion gjallërues, me një dridhmë të lehtë si frymë, ku vibron tej e tej një ajër i kulluar, e duket se një dorë e bardhë fshin të keqen rënë si pluhur mbi sendet e ngrira e të ndjek pas një buzëqeshje e çiltër e bota të bëhet më e bukur, më harmonike. Poetja komunikon thjesht, por figurshëm, e poezia e saj na vjen si zbulim paqeje e mirëkuptimi. Ajo është e dashuruar me të gjitha sendet, objektet, ngjarjet, njerëzit e kësaj bote. Të gjithë mbushin jetën e saj të përditshme dhe poetja si nga një frymë e sipërme, i mbush ata me dritë. E, nëse ata janë tingujt e jetës, ajo është vesa përmbi ta. Në këto poezi vezullon fisnikërisht një diell i brendshëm e unë do dëshiroja, që lexuesi ta përjetonte si akt dashurie.