Veshka
Veshka, organ me disa funksione, luan rol themelor rregullues në shumicën e kafshëve, duke përfshirë vertebrorët dhe disa jovertebrorë. Veshkat janë të domosdoshme për funksionimin e sistemit urinar dhe kryejnë edhe funksione homeostatike të tilla si rregullimin e elektroliteve, dhe rregullimin e trysnisë së gjakut (përmes ruajtjes së drejtpeshimit kripë-ujë). Ato i shërbejnë trupit si një kullues natyror i gjakut, dhe heqjen e mbeturinave të cilat shmangen në fshikëzën e urinës. Në prodhimin e urinës, veshkat nxjerrin mbeturina të tilla si ure dhe amoniak. Veshkat gjithashtu janë përgjegjëse për rithithjen e ujit, glukozës, dhe aminoacideve. Ato gjithashtu prodhojnë hormone, duke përfshirë kalçitriol, reninë, dhe eritropoetinë.

Anatomia Redakto
Vendndodhja Redakto
Tek njerëzit veshkat janë të vendosura në zgavrën abdominale. Ka dy veshka, një në çdo anë të shtyllës kurrizore. Asimetria në zgavrën e barkut e shkaktuar nga pozicioni i mëlçisë zakonisht bën që veshka e djathtë të jetë pak më e poshtë se sa veshka e majtë. Sipër secilës veshkë gjendent gjëndra mbiveshkore përkatëse, majtas dhe djathtas. Pjesët e sipërme të veshkave janë të mbrojtura pjesërisht nga brinjët e njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta; në totalitetin e saj veshka dhe gjëndra mbiveshkore janë të rrethuara nga dy shtresa dhjami (rrethveshkore dhe paraveshkore). Veshka e çdo të rrituri peshon midis 125 dhe 170 gram te meshkujt dhe midis 115 dhe 155 gram te femrat. Veshka e majtë zakonisht është pak më e madhe se e djathta.
Struktura Redakto
Veshka ka një strukturë në trajtën e një bathe. Çdo veshkë ka sipërfaqe të lugët dhe të mysët. Sipërfaqja e lugët, gjiri është pika në të cilën hyn në veshkë arteria veshkore dhe dalin vena veshore dhe ureteri. Veshka është e rrethuar nga inde të forta fibroze, kapsula veshkore, e cila në vetvete është e rrethuar nga një shtresë dhjami.
Veshka është përafërsisht 11-14 cm e gjatë, 6 cm e gjerë dhe 4 cm e trashë.