Wikipedia:Artikulli i javës/2023/4
Japonia (japonisht: Nihon ose Nippon, zyrtarisht 日本国 koku ose Nihon-koku) është një shtet ishullor në Azinë Lindore. Ndodhet në Oqeanin Paqësor e shtrihet në lindje të Detit të Japonisë, Republikës Popullore të Kinës, Koresë së Veriut, Koresë së Jugut dhe Rusisë, nga Deti Ohotsk në veri tek Deti i Kinës Lindore dhe Taivani në jug. Shkronjat japoneze (kanji), që përbëjnë emrin e Japonisë, nënkuptojnë “shteti i origjinës së diellit”, që është arsyeja pse Japonia shpesh identifikohet si “Toka e Lindjes së Diellit”.
Ajo përbëhet prej më shumë se 3.000 ishuj, duke e bërë arkipelag. Pesë ishujt më të mëdhenj janë Honshū, Hokaido, Kyūshū, Shikoku dhe Okinava dhe së bashku përbëjnë 97% të sipërfaqes tokësore të Japonisë. Shumica e ishujve janë malorë dhe vullkanikë; për shembull, pika më e lartë e Japonisë, Mali Fuxhi, është vullkanik. Japonia renditet e 11-ta në botë sipas popullsisë, me rreth 125 milion banorë. Japonia administrativisht ndahet në 47 prefektura dhe ndahet tradicionalisht në tetë rajone.