Hithra


Hithra njihet si mbretëresha e bimëve mjekësore për shkak të efekteve të saj pozitive në shërimin e disa sëmundjeve. Përdorimi i kësaj bime gjatë periudhës së pranverës dhe verës ndihmon në pastrimin e gjakut dhe tek të sëmurët me anemi. Këshillohet që gjatë kësaj kohe të konsumohet sa më shpesh bima e hithrës në formë sallate ose edhe e gatuar në supë ose byrek. Gjithashtu, mund të pihen 3 gota çaj në ditë nga kjo bimë. Kjo bimë ndihmon edhe në problemet që mund të shfaqen në mëlçi dhe për prodhimin e lëngut në tëmth. Për këtë qëllim mjekët rekomandojnë të pihet një gotë në ditë nga çaji i përgatitur i hithrës. Është mirë që ai të pihet herët në mëngjes për të dhënë dhe efektin e duhur. Një ndihmesë të madhe jep hithra edhe për një funksionim sa më të mirë të veshkave dhe sëmundjeve të tjera reumatike dhe artritin. Për të përgatitur çajin nevojitet një lugë nga bima e tharë dhe e grimcuar. Kjo masë hidhet në një gotë me ujë të nxehtë dhe lihet në qetësi për 15 minuta. Më pas kullohet dhe pihet 3 herë në ditë nga një gotë. Një tjetër mënyrë për të shëruar dhimbjet e reumatizmit është edhe vendosja e bimës së freskët në kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën. Vendi i dhimbjes rrihet me bimën e freskët derisa te dallohet një si pullë gjaku. Një efekt të menjëhershëm jep kjo bimë edhe në rastet e diarresë. Që ky problem të kalojë shpejt dhe lehtë, duhet të pihet çaj hithre. Marrja e tij duhet të konsiderohet si një masë e rëndësishme për qetësimin e gjendjes. Te nënat me fëmijë të vegjël, përdorimi i hithrës ndihmon në prodhimin e qumështit aq i rëndësishëm për shëndetin e fëmijës. Në kozmetikë ndihmon kundër rënies së flokut dhe zbokthit. Personat që kanë probleme me zbokthin u rekomandohet larja e kokës me lëngun që përftohet nga zierja e hithrës. Është mirë që larja të kryhet dy herë në javë dhe të vazhdojë deri në eliminimin përfundimtar të zbokthit. Larja e kokës me ujin e hithrës këshillohet edhe për ata, që kanë probleme me rritjen e ngadaltë të flokut. Për të pasur flokë të gjatë e të shëndetshëm rekomandohet larja e flokut me këtë bimë. Hithra është i njohur si një tonifikues shumë i mirë i organizmit, ai ndihmon edhe ata që kanë probleme me kolitin dhe sëmundje të tjera të zorrës së trashë. Përdoret në formën e çajit ashtu si me sipër. Konsumimi i përditshëm i çajit të hithrës ndihmon në rigjenerimin e qelizave të gjakut si dhe të lëkurës. Përdoret së tepërmi në Angli dhe ka dhënë rezultate mahnitëse në sistemin tretës, kardiovaskular Efektet anësore të hithrës janë ende të panjohura por, është thellësisht e dëmshme të përdoret te personat të cilët kanë akumulime ujore si pasojë e aktivitetit të kufizuar të zemrës dhe veshkave, pasi është një çaj që nxit largimin e ujërave nga trupi. Hithra është një ndër bimët më të njohura në vendin tonë. Bima mund të gjendet kudo në zonat me lagështi dhe vende grumbullimi, nëpër gardhet e shtëpive, qoshet e ferrave. Për bujqit, kjo bimë vlerësohet si një nga barërat e këqija, që i mundon në punën e tyre. Ndërsa në mjekësinë popullore hithra çmohet si më e rëndësishmja, që ndihmon në kurimin dhe parandalimin e sëmundjeve të ndryshme. Bima mund të përdoret në gatime për të zëvendësuar spinaqin, mund të përdoret si sallatë ose të zihet për supë. Hithra përmban sasi të konsiderueshme të vitaminës A dhe C, vitaminë K, amin si histamina, serotoninë dhe minerale siç është hekuri shumë i rëndësishëm për organizmin e njeriut. Pra, për shkak të vlerave të shumta që ajo përmban, edhe efektet e saj janë të menjëhershme. Gjatë përdorimit të hithrës duhet patur kujdes që të mblidhet në vende jo afër rrugës sepse kjo bimë mund të jetë e ngarkuar me materiale të dëmshme për shkak të pluhurave Nuk duhet të përdoret nëse keni probleme me sasinë e lëngjeve në trup, Çaji i hithrës nxit largimin e ujit nga organizmi, Për të pasur flokë të shëndetshëm e të gjatë, lajeni me lëngun e hithrës. Gjithashtu, hithra ndihmon në zhdukjen e zbokthit.