Jeronim De Rada


Jeronim de Rada i njohur si mësues , poet , publicist e studiues i famshëm arbëresh dhe njëri prej figurave më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare . Lindi në Maki të Kalabrisë. Gjallërisht mori pjesë në jetën politike dhe kulturore të kohës . Viti 2014 është caktuar "Viti i De Radës" me bashkëfinancim të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve të Kosovës dhe realizimit të veprës nga studiues dhe autorët arbëreshë si dhe interesim të jashtëzakonshëm pati nga pjesa shqiptare e Malit të Zi dhe Maqedonisë në botimin dhe zhvillimin e aktiviteteve në nder të De Radës në këto troje . Vlerë pati dhe Konkursi Kombëtar për të rinj deri në moshën 18 vjeç me temën "Unë, Milosao". Anëtarët e Komitetit mbikëqyrës ishin Francesco Altimari, Matteo Mandala, Dhurata Shehri, Brikena Çabej dhe Shaban Sinani . De Rada botoi dy revista: "Arbëreshi i Italisë" (1848) dhe "Fjamuri i arbërit", me të cilat është themelues i gazetarisë shqiptare. Krijimtaria e De Radës është shumë e gjerë. Ka botuar shumë vepra të fushave të ndryshme të letërsisë. Më të njohura janë: "Këngët e Milosaos", "Këngët e Serafina Topisë", “Skënderbeu i pafan” Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Radës nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë të Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat lashtësia e kombit shqiptar ("Antichità della nazione albanase", 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe ("Rapsodie d'un poema albanese", 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën "Flamuri Arbrit", që botoi në vitet 1883-1885. Në "Testamentin politik" (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë atdheut të të parëve. Zhvilloi një veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore ; u kushtoi vemendje çështjeve të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke mbrojtur lashtësinë e tyre. De Rada është nga të parët studiues vendës të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dy veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine, të plotësuara me shenja blertdiakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të De Rada duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe)