Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2021/49
Leonardo di ser Piero da Vinci (15 prill 1452 - 2 maj 1519) i njohur si Leonardo da Vinci ose thjesht Leonardo, ka qenë një polimat italian i Rilindjes, fushat në të cilat kishte interes ishin arkitektura, shpikja, inxhinieria, piktura, skulptura, shkenca, muzika, matematika, letërsia, anatomia, gjeologjia, astronomia, botanika, shkrimi, historia dhe hartografia. Është cilësuar shpesh si babai i paleontologjisë, iknologjisë dhe arkitekturës, i cilësuar gjithashtu si ndër piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ndonjëherë i vishet shpikja e parashutës, helikopterit dhe tankut; qe kryeshembull i idealit të humanizmit rilindas.
Si piktor, ishte nxënës i Verrocchio-s, në shitoren e të cilit njohu bashkënxënësin Lorenzo di Credi-n (Lorenco di Kredi), që shquhej për stilin e tij të hijshëm me vija të prera e të sakta. Këto mënyra të Di Credi-t ndikuan te Leonardoja, por më pas ishte radha e Lorencos të mësonte nga Leonardo. Ai është një ndër humanistët më të mëdhenj në kategorinë e artit. Da Vinçi mund të mendohet si një kryetip i njeriut të rilindjes dhe është përcaktuar shpesh si një gjeni, për shkak të shkëlqimit të tij në të gjitha fushat e artit, për zbulimet e tij shkencore dhe shpikjet teknike, që duken një përparim i madh në krahasim me kohën e tij.