Parku Arkeologjik i Bylisit në Mallakastër


Bylisi një nga ngulimet Ilire i Ballaitëve,është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në territorin e Shqipërisë. Për mungesë të infrastrukturës së rrugës, ai ka mbetur edhe jashtë vëmendjes së vizitorëve shqiptarë. Nëse e krahasojmë me Apolloninë, Butrintin ose Durrësin, Bylisi nga numri i monumenteve të gërmuara dhe nga gjendja e ruajtjes së tyre zë vendin e parë. Megjithatë, vizitorët që shkojnë në Bylis mrekullohen jo vetëm nga pamja, panorama por edhe nga monumentet dhe mënyra e restaurimit. Bylisi zotëron një hapësirë të madhe. Nga aty mund të shohësh gjysmën e territorit të Shqipërisë. Nga aty, syri ta kap Janinën, Tomorrin, Detin Adriatik dhe Fushën e Myzeqesë. Bylisi ka karakter epik. Është një qytet epik i Ilirisë. Ai ndryshon me qytetet e tjera të periudhës helenistike. Studiuesit seriozë sapo e shohin, e kuptojnë se aty nuk është një kopje e qyteteve helenistike greke, por një formë tjetër nga pikëpamja e vendosjes dhe jo në atë të ndërtimit urbanistik. Ai ruhet mirë si rrënojë, sepse nuk ka qenë i banuar në periudhat e vona.