Trashëgimia Kulturore në krahinën e Oparit


Opari njihet si vendorigjina e Principatës dhe familjes Muzakajt dhe është krahinë malore në rrethin e Korçës. Opari është një zonë tepër malore dhe mjaft larg qendrave të zhvilluara qytetare – urbane por si dokumentohet me një kulturë dhe qytetërim edhe më të lartë se në qytet. Duke qënë e tillë edhe kontaktet e marrëdhëniet me këto qendra më të zhvilluara, kanë qënë të kufizuara. Kjo vërtet ka bërë që në tërësi në këtë krahinë zhvillimi ekonomiko – shoqëror të ishte më i ngadalshëm , po nga ana tjetër, duke qënë se ndikimi i huaj ishte më i pakët e vinte i vonuar, u ruajtën në mënyrë konservatore, më mirë se kudo, traditat, zakonet e doket e vjetra. Përsa i përket besimit fetar, oparakët e kanë përqafuar qysh herët krishtërimin. Për këtë ka të dhëna të shumta, ka tregime e legjenda, dhe ajo që e vërteton më tepër eshtë ekzistenca e objekteve të kultit qe ishin të pranishme në çdo fshat. Edhe sot dëgjojmë të thuhet shpesh "sheshi i vakëfit" , "lisat e kishës", "ara e kaurrit", "guri i dhespotit", për një vend që nuk ka asnjë shënjë vakëfi, po që dikur , herët, shumë herët, ka ekzistuar. Dhe objektet e kultit kanë qënë aq të shumtë sa që sot zor se gjen fshat të mos ketë emërtime të tilla, qoftë i banuar nga të krishterë apo myslimanë. Madje, megjithëse fshatra të vegjël, me 10 – 15 shtëpi, kishin jo vetëm nga një , po nga dy apo tri kisha e vakëfe. Ky numër i madh ndërtesash kulti natyrisht flet për një besim të tepruar fetar.