Xhamia e Shtimes

monument kulture në Kosovë

Xhamia e Shtimes është një monument i trashëgimisë kulturore në Shtime, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër.

Xhamia e Shtimes
LlojiArkitekturore
VendndodhjaShtime, Kosovë
NdërtuarShek. XVII
Emri zyrtar: Monument /Ansambël
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës3420

Përshkrimi Redakto

Xhamia e Vjetër e Shtimes është ndërtuar në vitin 1824. Xhamia ndodhet afër lumit Shtimjanja, më saktë në rrugën "Ahmet Shtimja", nr.1. Objekti ka pësuar nga intervenimet e realizuara, e sidomos pas ndërtimit të aneksit, i cili i ka dhënë xhamisë një pamje tjetër nga ajo origjinalja. Aneksi është ndërtuar me material betonarme dhe është nga ato objektet masive, ngjitur me hyrjen e objektit të vitit 1824. Tashmë nuk ekziston hajati i hapur i xhamisë, ndërsa objekti i saj është ndërtuar me material të vjetër, gurë, llaç balte dhe breza drurësh a hatulla si element konstruktiv. Nga jashtë të krijohet përshtypja për një xhami krejtësisht të re, por nga brenda, ka një ndarje si me thikë të objektit të vjetër të aneksit. Një rast i tillë ka ndodhur edhe me Atik Xhaminë në Gjilan. Në të vërtetë, salla e lutjeve ka pësuar ndonjë ndryshim të vogël, që nuk ndikon në zhbërjen e vjetërsisë së saj. Kështu mund të thuhet për dritaret e plastikës, të cilat kanë zëvendësuar ato të vjetrat prej druri. Megjithatë, janë ruajtur kornizat prej druri të dritareve të vjetra, të cilat duken sikur t'u kesh bëre ndonjë sondë.

Salla e lutjeve dritësohet nga 9 dritare, duke mos marrë parasysh dritaret e shumta të aneksit. Muret janë suvatuar në vitin 2004, ndërsa nga dyshemeja deri te parmaku i dritareve muri është dekoruar me dërrasa dekorative. Mihrabi është i dekoruar me stalaktite të nxjerra në reliev, vetëm në pjesën konike të tij, ndërsa minberi prej druri ka pozicionin, sikundër e hasim në xhamitë e vjetra: diku në mes të mihrabit dhe murit anësor. Ai është i dekoruar me hapje konike dhe drugdhendjesh me motive gjeometrike. Në një trekëndësh dekorues të minberit ndodhet një yll 7 cepash. Të tillë yll hasim për herë të parë, ndërsa imami i xhamisë, thotë se nuk kanë rëndësi cepat e yllit, - yjësia flet për dashurinë ndaj perëndisë.

Salla ka kube të verbër, ndërtuar mbi tamburanë tetëkëndëshe. Kubeja është e dekoruar me dërrasa të përpunuara, - si formë halash peshku. Në pjesën më të lartë të kubesë është një pllakë druri rrethore e dekoruar e dekoruar me motive gjeometrike, të cilën e rrethojnë tre rrathë koncentrikë. Një tip frizi që ndodhet në pjesën e sipërme të murit perimetral, kalon edhe nëpër bazën e tamburesë tetëkëndëshe. Nga aty, ku shihet kompozimi i objektit të vjetër me aneksin e ri(viti 2006) fillon mahfili masiv me një kube me bazë rrethore. Mahfili dhe kubeja kanë dritare të veçanta. Minarja e xhamisë është ndërtuar në vitin 1996. Trungpiramida e saj është punuar me material të ri (betonarme), ndërsa shtati i saj me tulla. Trungpiramida është dekoruar me gurë fasade, ndërsa shtati me tulla fasade. Ka dy sherife, ndërsa kazanët e sherifeve janë dekoruar me stalaktite të nxjerra në reliev. Peteku si zakonisht është më i ngushtë se shtati i minares, i cili përfundon me qylahun, në maje të të cilit ndodhet gjysmëhëna, a më drejtë thënë - hëna drapër.[2]

Referime Redakto

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ Kadriu, Sherafedin. Trashëgimia Kulturore e Rajonit të Gjilanit. Biblioteka Kombëtare e Kosovës "Pjetër Bodgani". fq. 85–86. ISBN 978-9951-8760-3-2.

Lidhje të jashtme Redakto