Janis Ricos
Janis Ricos (gr. Γιάννης Ρίτσος; Monemvasia, 1 maj 1909 - Athinë, 11 nëntor 1990) ka qenë poet dhe komunist grek, veprimtar aktiv i qëndresës greke gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse nuk donte të cilësohej si poet politik, është cilësuar "poeti i madh i së majtës greke."
Biografia
RedaktoU lind në Monemvasia, në krahinën e Lakonisë në Peloponez, ishte i katërti dhe më i vogli nga fëmijët e një familjeje pronarësh toke. Në moshën tetë-vjeçare nis të pikturojë, të shkruajë poezi dhe të luajë në piano. “Nëntë dritare kish në shtëpinë tonë dhe të gjitha hapeshin nga ana e universit”, do të ndërmendë ai më vonë vitet e fëmijërisë. Por, parajsa fëmijënore nuk vazhdon gjatë. Nga viti 1921, poeti i ardhshëm nis të njohë një mori fatkeqësish: familja rrënohet ekonomikisht, nëna dhe vëllai i madh vdesin para kohe, babai, që vuante nga trazime mendore, shtrohet në një spital psikiatrik. Vetë poeti do të kalojë tre vjet (1927-1930) në sanatorium për t’u kuruar nga tuberkulozi, sëmundje që e shoqëroi gjithë jetën. Këto ngjarje tragjike do të mbeten të pashqitshme nga vepra e tij poetike.
Një prirje vetjake dhe sidomos leximet e ndryshme të kësaj kohe e nxitin Ricosin të bëhet poet dhe revolucionar. Në vitin 1934, ai boton librin e tij të parë Traktori, i frymëzuar kryesisht nga futurizmi i Majakovskit dhe, një vit më vonë, librin Piramidat, dy vepra këto që realizojnë një ekuilibër të brishtë midis besimit tek e ardhmja, që bazohet mbi idealin komunist, dhe dëshpërimit vetjak. Në vitin 1936, poema e gjatë Epitafi shfrytëzon formën e poezisë popullore tradicionale dhe jep, nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë, një mesazh prekës vëllazërimi. Muzika e Miki Theodhoraqisit më 1960-n, do ta bëjë këtë poemë ndezësin e revolucionit kulturor në Greqi.
Në vitet 1937–1940, Ricos boton librin Kënga e motrës sime. Me këtë rast, patriarku i letrave greke, Kostis Palamas, i shkruan Ricosit: “... Po mënjanohemi, Poet, që të kalosh.” Librat Simfoni pranverore dhe Marshi i Oqeanit përbëjnë bazën e Simfonisë së Shtatë të Theodhoraqisit, e njohur ndryshe si “Simfonia pranverore”. Te libri Mazurka e vjetër me ritmin e shiut (1942), Ricosi artikulon për të parën herë lidhjen e tij me hapësirën greke – mbartëse e kujtesës historike, që do të lejë gjurmë të pashlyeshme në krejt veprën e tij të ardhme.
Gjatë luftës civile, Ricosi angazhohet në luftën kundër të djathtës fashiste, çka i kushton katër vjet qëndrim nëpër kampe të ndryshëm “riedukimi”: Limnos, Ajos Efstratios, Makronisos. Megjithatë, ai vazhdon në kushte nga më të vështirat, të shkruajë vepra të rëndësishme në këtë kohë, që do të përmblidhen në librin Zgjim. Nga ferri i këtyre kampeve do të shpëtojë përkohësisht duke rigjetur Athinën, falë solidaritetit ndërkombëtar të nxitur prej poetëve dhe artistëve si Eluard, Aragon, Neruda, Picasso-s, etj.
Në vitin 1956, Ricosi boton veprën e madhe të pjekurisë së tij, Sonatë në dritën e hënës, që e vlerëson me Çmimin Kombëtar të Poezisë e, më pas, në vitet 1958 – 1966, vijnë me radhë përmbledhjet Kur vjen i huaji, Plakat dhe deti, Shtëpia e vdekur, ku nis seria e monologëve të gjatë të frymëzuar nga mitologjia dhe tragjedia antike, pastaj Filokteti, pastaj Oresti. Në vitet 1967 – 1971, junta ushtarake e ardhur në pushtet me grusht shteti, e internon përsëri poetin në Jaros dhe Leros e më pas në Samos, çka nuk e pengon ta pasurojë më tej veprën e tij të gjerë dhe ta zgjerojë frymëzimin në antikitetin grek: Persefoni, Agamemnoni, Izmini, Ajaksi, Helena, Kthimi i Ifigjenisë, Fedra janë poemat e shkruara në vitet 1965 – 1975. Përmbledhja madhore Përmasa e katërt do të grupojë të gjitha këto tekste që kanë formën e monologut “teatral” e që janë frymëzuar, siç thamë, prej mitit antik. Heronjtë e këtyre veprave gjenden shpesh para një konflikti ose në zgrip të vdekjes, në çastin kur duhet të bëjnë bilancin e jetës së tyre. Të gjitha këto poema janë një meditim i thellë për pleqërinë, vdekjen, kohën, historinë dhe copëtimin e një ekzistence të kapur midis ekzigjencave vetjake dhe imperativëve kolektivë, për vetminë dhe krizën e lëvizjeve revolucionare. Paralelisht me këtë kulm të krijimtarisë së tij, Ricosi shkruan edhe një numër të madh poezish të shkurtra që pasqyrojnë, në mënyrë therrëse, makthin e zgjuar të popullit të tij, të cilat i mblodhi në vëllimet Muri në pasqyrë, 18 këngë të atdheut të hidhur, Korridor dhe shkallë, Gjeste, letra, etj.
Nga viti 1970, poezia e Ricosit merr formën e sintezave të gjata apo të thyerjeve onirike, ku ëndrra dhe mbirealja ndërfuten pa ndërprerje tek e përditshmja, sidomos me praninë e personazheve të çuditshëm dhe zhvendosjen e vazhduar në kohë dhe hapësirë. Një univers më vete krijohet te librat E ardhme dhe Këngë fitoreje, të cilët këndojnë bukurinë e jetës, teksa Erotiket përbëjnë një himn shndritës për dashurinë në të gjitha dimensionet e saj. Ndërkohë, në vitin 1975, Ricosit i jepet titulli doktor honoris causa i Universitetit të Selanikut, si dhe çmimi Alfred de Vigny i qytetit të Parisit. I diskutuar për çmimin Nobel, ai deklaron se nuk do të mund të pranonte një çmim që dy vjet më parë ia kishin dhënë Henri Kissinger-it. Në 1977, Ricosit i jepet çmimi Lenin për paqe. Me këtë rast, ai udhëton në Moskë në shoqërinë e Aragon-it.
Vitet tetëdhjetë e kthejnë Ricosin te proza. Nëntë libra përmblidhen nën titullin Ikonostas shenjtorësh anonimë, ku mbizotërojnë ngadhënjimet e poetit: liria e metaforave, alternimi i reales me oniriken, gjuha e guximshme, hapja e shqisave mbi një univers erotik ku bashkekzistojnë epokat dhe moshat. Poezitë e librit të tij të fundit Vonë, shumë vonë nëpër natë (1987-1989) janë të mbushura me trishtim dhe ndërgjegjësim për humbjet, por mënyra përvujtnisht poetike me të cilën poeti rimëkëmb jetën dhe botën rreth tij, u ruan atyre një dritë shprese në një hovje të fundme krijimi.
Disa Poezi
Redakto- NJË DIJE E HIDHUR
- Qëndron, me krahë të kryqëzuar, në gjysmëhijen mbrojtëse.
- Gardiani çalaman i natës s’ka më vend ku të ulet. Karriget
- i kanë shitur që para dy javësh. Përjashta, në oborr,
- po pastrojnë fuçi të mëdha. Në port lagen
- rimorkiatorë të rëndë. Te shtëpia përkarshi,
- dëgjohet zëri i spikerit të radios. Nuk dua të dëgjoj.
- Mbi tryezë unë mbledh fluturat e djegura të natës, duke ditur vetëm
- se gjithë pesha e tyre është tek lehtësia.
- DISFATË
- Gazeta të vjetra hedhur në oborr. Përherë të njëjtat avaze:
- vjedhje, krime, luftra. Ç’të lexosh?
- Bie një mbrëmje e ndryshkur. Drita të verdha.
- Dhe ata, që dikur kishin besuar tek e përjetshmja, janë plakur.
- Nga dhoma ngjitur çlirohet avulli i heshtjes. Kërmijtë
- i ngjiten murit. Buburrecat koloviten
- nëpër kutitë prej hekuri të biskotave.
- Dëgjohet zëzëllima e zbrazëtisë. Dhe një dorë e madhe e paformë
- i zë gojën e trishtë dhe fisnike Atij
- që bëri çmos të shqiptonte fjalën lule.
- NË SPITAL
- Mbrëmje e qetë. Një oxhak, çatitë, vija e kodrës,
- një re e vockël. Me sa dashuri
- vështron ti qiellin nga dritarja e hapur
- sikur të merrje leje prej tij. Edhe qielli të vështron. Në fakt,
- ç’ke marrë? Ç’ke dhënë? Tani është tepër vonë të bësh një bilanc.
- Fjalën tënde të parë dhe të fundit
- e ka thënë dashuria dhe revolucioni.
- Gjithë heshtjen tënde e ka thënë poezia. Sa shpejt thahen
- trëndafilat! Prandaj dhe ti do ikësh kur të të vijë ora
- i shoqëruar nga arushi që rri në këmbë
- me një trëndafil të madh artificial në putrat e parme.
- PAS TROJËS
- Fjalët tashmë të mbyllura për bujarinë e yjve.
- Fëmijët janë rritur. Të tjerët kanë ikur.
- Në dhomëz, një kukull e thyer.
- Kali i vogël prej druri i Neoptolemit ka mbetur
- në korridorin e errët me pllaka bardh-e-zi. Askush
- nuk i hipën më. Sa për atë tjetrin, kalin e madh të zgavërt,
- aty strehohen buburrecat dhe merimangat. Ai nuk mashtron
- as miq, as armiq. Çarçafët e dikurshëm, në sënduk,
- me veshjet e ditës së fundit të karnavaleve, pa naftalinë.
- Gjithçka e kanë ngrënë mola. Me çfarë rasti
- ai filozof i marrë këlthiti një natë të egër:
- “Hirin tim e çova lart në mal”. Pastaj heshti përgjithmonë.
- POST-SCRIPTUM
- Duke u përsëritur e përsëritur, gjërat humbasin kuptim dhe ngjyrë –
- gurë, ujëra, dritare, dhe ai burrë me valixhe të shformuar
- që pret para doganës teksa sahati i madh
- thërret orën tetë dhe anija nuk do të vijë më
- ndonëse është dëgjuar sirena. Mbi mol,
- ka mbetur vetëm vinçi i kryqëzuar dhe koshat e zbrazët.
- Pastaj yjet u ngritën mbi maunat e përgjumura
- dhe atje, në sheshin e shkretuar, në këmbë të përmendores për të vdekurit,
- katër marinarë vunë trupin e palombarit të mbytur.
- STATUJAT DHE NE
- Statujat gjakftohta s’e vrasin mendjen që roniten;
- u presin krahët, këmbët a kokën
- dhe ato prap rrinë drejt, në të njëjtin qëndrim,
- apo, të shtrira përmbys, buzëqeshin,
- apo, me hundën përtokë, na kthejnë shpinën, i kthejnë shpinën kohës
- a thua se çiftëzohen, a thua se i dorëzohen
- një dashurie të pafund, teksa ne i vëzhgojmë
- me një lodhje dhe një brengë të pashpjegueshme. Më vonë
- hyjmë në një hotel të lirë, hapim perdet
- që të futet drita e mesditës dhe nisim,
- të zhveshur krejt edhe ne, të shtrirë në shtratin e parehatshëm,
- të imitojmë shtangien e qetë të statujave.
- IDEM
- Shtëpitë dhe pemët janë zbrazur. Zogjtë nuk kanë më
- ku të ulen. Gjatë gjithë ditës
- parakalojnë tregtarët shëtitës. Me këtë jemi mësuar.
- Petka të rreme, stoli të rreme.
- Kur bie mbrëmja, ata ikin. Pa shitur asgjë. Megjithatë
- në rrugën bregdetare, kur ndizen dritat,
- një lukuni e madhe qensh të egër endacakë
- zihen akoma për një kockë.
- KJO “NDOSHTA”
- Ndoshta kanë njëfarë vlere
- gjërat që kemi lënë pas,
- ndoshta shkëlqejnë dymbëdhjetë gotat
- mbi tryezën e gostisë zyrtare,
- ndoshta do t’i japin një ditë emrin tonë
- një fshati, një mali, një rruge.
- Ndoshta. Ndoshta. Por ja sesi tani
- kjo “ndoshta” në buzët e tua
- ka humbur shkëlqimin dhe freskinë.
- SHPËRNGULJE
- Shtëpitë po zbrazen pak nga pak. Fjalët po zbrazen.
- Deri dje, kishte dy mollë tek ajo shportë.
- Zejtari, në rrugë, mprihte thikat e vjetra. Tani
- ti nxjerr dorën nga dritarja
- jo për t’i bërë shenjë ndonjë reje apo anijeje
- por thjesht për të ndier prekjen e ajrit, dhe në dorë
- ti mbart erën e akullt e gërryese të zbrazëtisë.
- MË KOT
- Fytyra të lodhura, duar të lodhura.
- Kujtesa e lodhur. Dhe ky shurdhim
- i pikëlluar. Ka rënë mbrëmja.
- Fëmijët janë rritur. Kanë ikur.
- Ti nuk pret përgjigje. Se mos
- kishe për çfarë të pyesje! Më kot
- je përpjekur kaq vjet të ngjitësh
- mbi këtë maskë prej kartoni
- një buzëqeshje miratuese. Mbylli sytë.
- NDRYSHIME
- Ata që ikën ishin nga tanët. Na ka marrë malli.
- Ata që u kthyen janë krejt të panjohur për ne.
- Dikur nuk kishin syze. Tani mbajnë.
- Vështirë të thuash që ka sy pas xhamave.
- Vetëm nëse ua sheh në befasi teksa flejnë,
- kur valixhet e tyre të hapura në korridor
- çlirojnë erën e pazakontë të ndërresave të reja,
- kur feneri i madh ndizet në rrugë
- duke ndriçuar dyert e dyqaneve të mbyllur
- dhe kur e pamundura bëhet e mundur sepse ti
- nuk ke më asgjë për të blerë a për të shitur.
- NË NJË ORË SHIU
- Balona të vjetra, të grisura, të mbajtura me fije
- në pemët e zhveshura dhe telat e telegrafit
- kërcasin në erë. Papritmas
- ra një rrebesh i rrëmbyer dhe tregtari i ri i katër stinëve
- hapi një çadër të madhe e të zezë mbi karrocën e tij
- për të mbuluar portokallet. Dhe ky kontrast
- midis portokalleve të praruara dhe çadrës së zezë
- u bashkua me zhurmën e shiut, duke pasuruar
- të errtën e të pashpjegueshmen bukuri të botës.
- VARKA E ZEZË
- Plaku është ulur te pragu. Është natë. Është vetëm.
- Në dorë mban një mollë. Të tjerët
- e kanë lënë jetën në dorën e yjve.
- Ç’tu thuash? Nata është natë.
- Nuk dimë as ç’do të vijë më pas. Hëna
- bën sikur zbavitet
- tek shndrit deri tutje mbi det. Mirëpo,
- në mes të kësaj madhështie, dallohet më qartë
- varka e zezë me dy rrema dhe varkëtari i zymtë që afrohet.