Yzedin Shelegu
Yzedin Shelegu (14 janar 1936 - 7 gusht 2006) ishte piktor shqiptar.
Yzedin Shelegu | |
---|---|
Lindi | 14 janar 1936 në Berat |
Vdiq | 7 gusht 2006 në Berat |
Kombësia | Shqiptar |
Profesioni | Piktor |
Jeta dhe Veprimtaria
RedaktoYzedin Shelegu lindi më 14 janar 1936 në lagjen “Çelepias” të qytetit të Beratit në një familje zanatçinjsh, me traditë në punimin e lëkurave, i biri i Muhametit dhe i Qerimesë. Gjatë shkollës 7- vjeçare i lindi dëshira për lëndën e vizatimit, ku nën drejtimin e mësuesve të parë të vizatimit në Berat, Fiqiret Ymeraj dhe Dhimitër Buda, si dhe në kursin e pikturës në shtëpinë e kulturës në vitet 1949-1950 (restoranti “Shtëpia e Bardhë” sot), në drejtimin e artistit të madh shkodran Vladimir Jani do të merrte drejtimin në rrugën të artit. Në vitin 1952 fitoi konkursin për të ndjekur liceun artistik “J. Misja” në Tiranë, të cilin e përfundoi më 1956 nën drejtimin e artistëve të mëdhenj shqiptar Abdurrahim Buza, Odhise Paskali dhe Kristina Hoshi. Me mbarimin e liceut në vitn 1956 do të kthehej në Berat, ku fillon si mësues në shkollën pedagogjike, dhe së bashku me Dhimitër Budën dhe Sotir Capon hapin të parën ekspozitë arti në Berat. Mbas vitit 1963 punon si skenograf deri në ditët e fundit të jetës në Pallatin e Kulturës të qytetit të Beratit. Gjatë karrierës 50-vjeçare në fushën e artit Shelegu ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat e organizuara në Berat si dhe në shumë pjesëmarrje kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka hapur disa ekspozita personale ku vlen të përmendim ekspozitën kushtuar qytetit të lindjes, Beratit, me 30 vepra më 28 nëntor 1983. Në 30 maj 1987 në bibliotekën e Beratit ekspozoi me 124 punime, nga të cilat 24 u vendosën në institucionet kryesore të Beratit. Gjatë karrierës së tij si piktor ka fituar në nëntor 1974 në ekspozitën “30 vjet çlirim” çmimin e 3-të me peizazhin “Mangalemi” dhe në ekspozitën “40 vjet PPSH” nëntor 1981 ka fituar çmimin e parë në grafikë me veprën “Tufan në dovlet” Por ajo që është më e rëndësishme është pjesëmarrja në ekspozitën e pikturës ndërkombëtare në Napoli, Itali, në 16 dhjetor 1995, ku fitoi çmimin e parë në pikturë. Eshtë vlerësuar me medaljet “Naim Frashëri” dhe “Për Shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Vepra e Shelegut ka një gjeografi të gjerë, ajo gjendet në Berat, Shqipëri dhe në shumë vende të botës. Shtëpia e Shelegut është një galeri më vete ku ruhet i gjithë koleksioni i tij i paprekur. Si skenograf Yzedin Shelegu ka realizuar mbi 230 premiera me trupat profesioniste e amatore si dhe me shoqata të ndryshme artistike e kulturore. Ka pasur një bashkëpunim të suksesshëm me regjizorët dhe aktorët. Njëkohësisht ka qenë skenograf, kostumograf dhe butaforist i teatrit të kukllave të Beratit. Duke fituar edhe disa çmime, si çmimin e parë në takimin e teatrove në Lezhë me skenografinë e dramës “Dy krisma në Paris”, çmimin e parë në nëntor të vitit 1987 me dekorin për fëmijë “Dhurata të Bukura”, organizuar nga RTSH. Ndërsa çmimet lokale në skenografi ishin monopol i Shelegut. Ka fituar çmimin e parë kombëtar për kukulla me dekorin e premierës “Lepuri mendjemadh”. Me vlerë të madhe për etnografinë e Beratit janë edhe kostumet e Beratit për të cilat punoi plot 15 vjet në të gjitha trevat e Beratit, të cilat u botuan në albumin e Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë, vizatimet origjinale të kostumeve ruhen në familjen e tij. Yzedin Shelegu u nda nga jeta më 7 gusht 2006 në Berat.