Zihni Sako (Gjirokastër, 27 mars 1912 - 16 shkurt 1981) ka qenë folklorist, poet, tregimtar dhe novelist, hartues tekstesh të folklorit, propagandist i ateizmit shkencor, profesor i shkencave i cili ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë1980.

Zihni Sako & Stephan Hermlin, 1954

Biografia

Redakto

U lind në Gjirokastër më 1912. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje, ndoqi në Athinë studimet e larta për filologji gjatë viteve 1931-1936.[1]

Më 1938 punoi si mësues në gjimnazin e Gjirokastrës dhe më pas në Korçë e Berat.[2] Mori pjesë aktive në Luftën Nacional-Çlirimtare si agjitator dhe propagandist dhe më 1943 u hodh në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku pati funksione drejtuese. Po këtë vit u pranua anëtar i PKSH.[1]

Pas Çlirimit, Sakoja qe drejtor shtypi i Ministrisë së Kulturës dhe më 1949 u emërua kryetar i komisionit të Folklorit të Institutit të Shkencave, që i paraprinte Universitetit të Tiranës.[2] Nga viti 1960 deri në vitin 1979 ka qenë drejtor i Institutit të Folklorit.[1] Figurë qendrore në folkloristikën e kohës, redaktoi dhe botoi vëllime të shumta të letërsisë gojore, ku përfshihen vëllimet Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, 1635-1912 (Tiranë, 1961-62) si dhe përmbledhjen katërvëllimëshe Proza popullore (Tiranë, 1963-1966). Bashkëpunoi gjithashtu me botimet në gjuhën frënge të vargjeve popullore Trésor du chansonniere populaire albanais (Tiranë, 1975) dhe Chansonniere des preux albanais (Tiranë, 1967).[2] Së bashku me Gjikë Kuqalin dhe Besim Levonjën çmohet ndër autorët e parë të teatrit partizan socialist.[3]

Pas Kongresit IV të Partisë në Shqipëri më 1961 qe ndër shkruesit e artikujve të propagandës komuniste që orvateshin të shpjegonin lidhjen midis besimeve fetare dhe të ashtuquajturave modele të sundimit dhe shfrytëzimit.[4] U zgjodh gjithashtu deputet në disa legjislatura të Kuvendit Popullor dhe ka qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë.[1]

Ndërroi jetë më 16 shkurt 1981.[1]

Nderime

Redakto

Për merita pune dhe krijimtarie i janë dhënë titujt «profesor» dhe «Mësues i Popullit», Çmimi i Republikës i Klasit të Parë, Urdhri i Lirisë i Klasit të Dytë, Urdhri i Punës i Klasit të Dytë e të Tretë, Medalja e Kujtimit, Medalja e Trimërisë, etj.[1]

Teatrit të qytetit të lindjes së tij iu vendos më 27 nëntor 1968 emri “Zihni Sako”, në nderim të tij.

Referime

Redakto
  1. ^ a b c d e f Uçi, Rozeta, red. (1985). Vepra. Vëll. 1 (bot. 1). Tiranë: Naim Frashëri. fq. 5.
  2. ^ a b c Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 394–395. ISBN 9780810873803.
  3. ^ Elsie, Robert (2004). "Enver Hoxha's dictatorship stifles Albanian theater". përmbledhur nga Cornis-Pope, Marcel; Neubauer, John (red.). History of the Literary Cultures of East-Central Europe: Junctures and Disjunctures in the 19th and 20th Centurie (në anglisht). Vëll. 3. John Benjamins Publishing. fq. 232. ISBN 9789027234551.
  4. ^ Hoxha, Çelo (2017). "Marrëdhëniet e besimeve fetare me shtetin komunist në Shqipëri krahasuar me regjimet e vendeve komuniste të Europës Lindore". Kërkime të reja për historinë e shqiptarëve. Qendra e Studimeve Albanologjike: 161. ISBN 9928141576.
  Commons: Zihni Sako – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale