Antigonea
40°05′19″N 20°13′20″E / 40.0887°N 20.2221°E
Antigonea ka qenë një qytet i lashtë i ndërtuar në shekullin e III p.e.s.. Rrënojat e tij ndodhen në Shqipëri 14 kilometra nga qyteti i Gjirokastrës.
Ishte një qytet jetëshkurtër që jetoi veç rreth 150 vjet. Themelimi i qytetit lidhet me një nga emrat më të famshëm të antikitetit, mbretin Pirro të Epirit. Në fillim të shekullit III p.e.s Pirro u detyrua të shkonte në luftë në Egjipt, ku aftësitë e tij tërhoqën vëmendjen e Berenices, gruas së mbretit Ptoleme të Egjiptit, e cila i ofroi atij dorën e së bijës, Antigoneas. Si mirënjohje për vjehrrën dhe gruan e tij të parë, Pirro vendosi të ndërtonte një qytet të ri me emrin Antigonea.
Historiku
RedaktoSipas historianit grek të lashtësisë, Plutarkut, Antigonea qe qyteti që u lind nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja. Kur ishte 17 vjeç, mbreti Pirro u rrëzua nga froni pas një kryengritjeje kundër tij. Pas kësaj ai shkoi në shërbim të mbretit Demetër të Maqedonisë e më vonë në oborrin e mbretit Ptoleme të Egjiptit. Atje tërhoqi vëmendjen e mbretëreshës së Egjiptit, Berenices, që e përzgjodhi midis princërve të tjerë për t’u martuar me Antigonenë, njërën prej vajzave të çiftit mbretëror të Egjiptit. Duke pasur mbështetjen e gruas së tij, Antigonesë ai mblodhi të holla dhe ushtri dhe u kthye në Epir duke rrimarë fronin mbretëror. Mirënjohja ndaj vjehrrës Berenice dhe gruas së tij Antigone e nxitën Pirron të themelojë dy qytete me emrin e tyre: Berenika dhe Antigonea. I pari gjendej në Thesproti, ndërsa Antigonea në Antitani. Antigonea u themelua në vitin 295 p.e.s.
Shpejt u kthye në një qendër të rëndësishme për shkak të kontrollit të luginës së Drinosit, e cila në Antikitet quhej ngushticat e Antigonesë.
Fitorja e Republikës Romake në luftën me ushtritë maqedonase të mbretit Filipi V pati pasoja fatale për Antigonenë. Pas fitores përfundimtare në vitin 167 p.e.s., Roma i dënoi ashpër epirotët që kishin luftuar kundër saj si aleatë të Maqedonisë. Konsulli romak Pal Emili, duke zbatuar një urdhër të Senatit, kreu më 168 p.e.s. plaçkitjen dhe shkatërrimin e 70 qyteteve të Epirit dhe të Ilirisë, përfshi Antigonenë. Qyteti u shkatërrua plotësisht nga ushtria romake dhe nuk u rindërtua më kurrë. Pas kësaj qyteti u braktis për disa shekuj dhe vetëm në shekullin VI mbas Krishtit brenda tij u ndërtua një kishë paleokristiane.
Elemente gjeografikë
RedaktoQyteti antik i Antigonesë shtrihej mbi kodrën e Jermës, pranë fshatit Saraqinisht të Gjirokastrës. Emri dëshmon se ai duhet të jetë themeluar nga mbreti Pirro rreth vitit 290 p.e.s, për nder të gruas së tij Antigonesë, bijë e mbretit Ptoleme të Egjiptit.
Pllaja mbi të cilën ishte ndërtuar qyteti antik i Antigonesë zotëron të gjithë luginën e Drinos përballë Gjirokastrës. Ndërtimi i qytetit ka qenë realizuar sipas një plani urbanistik, i cili e ndan sipërfaqen prej 45 hektarësh në disa zona: në zonën qendrore të banuar, në Agoranë në veri të pllajës, në Akropolin dhe Basileian, të cilat janë të veçuara me mure në pjesën më të lartë të kodrës, dhe në Euhorion, ose zonën e rezervuar për strehimin e popullsisë fshatare në rast luftërash, në anën perëndimore të qytetit.
Një rrugë qendrore me gjatësi 900 metra dhe gjerësi 4.8 metra, me drejtim Lindje-Perëndim, që lidhte dy portat kryesore, dhe një rrugë me drejtim Veri-Jug me gjerësi 6.8 metra ndërpriteshin në qendër të qytetit duke përbërë boshtet e zhvillimit të një sistemi hipodamik, nga nisnin dhe rrugët e tjera dytësore, duke krijuar blloqe banesash në formë kuadratesh me përmasa 51x102 metra. Muret rrethuese me gjatësi 4 kilometra janë të ndërtuara me blloqe gurësh të latuar në forma katërkëndëshe ose shumëkëndëshe. Hyrjet kryesore dhe pikat e mundshme të sulmit mbroheshin nga kulla katërkëndëshe.
Në Agoranë e qytetit gërmimet kanë nxjerrë në dritë një portik me kolonadë dorike me gjatësi 60 metra dhe gjerësi 8,60 metra. Pranë tij u gjetën edhe pjesë të një skulpture bronzi të një kalorësi, që mund edhe t’i ketë qenë kushtuar Pirros së Epirit.
Në Antigone janë zbuluar disa banesa të llojeve të ndryshme, që u përkisnin shtresave tregtare-zejtare të qytetit. Brenda tyre ndodheshin punishte metalesh dhe të përpunimit të lëkurëve. Gjetjet e pasura arkeologjike dëshmojnë për shkallën e lartë të kulturës dhe për mirëqenien e qytetit. Mbi bazën e teserave prej bronzi me mbishkrime greqisht Antigoneion, që shërbenin për hyrje në teatër ose në vendet e festave publike, u bë i mundur identifikimi përfundimtar i Antigonesë në rrënojat e Jermës.
Kurse Kisha paleokristiane e Antigonesë është një kishë njënefëshe me absida anësore trekëndëshe, e shekullit V-VI. Dallohet jo vetëm nga ndërtimi planimetrik, por dhe nga mozaiku i zbuluar në të, i cili përfytyron një figurë me trup njeriu dhe me kokë qeni. Kjo figurë është e identifikuar me Shën Kristoforin dhe përbën shembullin më të vjetër të kësaj paraqitje ikonografike.[1]
Në anale
RedaktoGërmimet e para në qytet janë ndërmarrë në prag të Luftës së Parë Botërore dhe ato mbajnë emrin e S.Evangelidhit.
Shënimet më të hollësishme i atribuohen profesorit Hammond, që i ka bredhur më këmbë të gjitha vendet e Epirit. Madje, në vitet ’30 edhe vetë gërmadhat e Jermës. Ky gjurmues e njohës i mirë, përveç të tjerave, bëri dhe një përpjekje për të datuar fortifikimet e Jermës.
Fati më i madh i këtij vendi ishte dora e arkeologut Dhimosten Budina, i cili në vitin 1966 filloi të gërmonte dhe nxori në dritë një material arkeologjik të pasur, që i dha pamje këtij vendbanimi.
Më në fund ishin identifikuar gërmadhat e Jermës dhe ato kishin të bënin me qytetin e Antigonesë. Një grup teserash të rrumbullakëta prej bronzi me mbishkrimin Antitonean përbënin dhe dokumentin e parë epigrafik të qytetit dhe dhanë mundësinë që të korrigjohej mendimi i deriatëhershëm.
Por vlera më e madhe në këtë vend ishin elementët urbanistikë dhe arkitektonikë. Për të parën herë, në qytetet tona, këto elementë janë zbuluar në një masë të tillë që të japin mundësi të formosh, qoftë dhe në vija të trasha, një ide mbi planin urbanistik të qytetit dhe veçoritë arkitektonike dhe konstruktive të banesave qytetare.
Gjetjet
RedaktoObjekte e gjetura në rrënojat e qytetit të lashtë dëshmojnë për pasurinë e qytetit dhe historinë e tij të hershme.
Në grupin e gjetjeve ka qenë një inventar i pasur zejtaro-bujqësor, që përbëhet nga kosore, kosa, drapërinj, dalta, sqeparë, çekiçë, kompase, vegla për regjjen e lëkurës, nga enë të ndryshme prej bronzi, që janë identifikuar dhe që ishin të zbukuruara me figura mitologjike si ajo e Poseidonit dhe e Sfinksit dhe nga disa prodhime artistike.
Këtu është gjetur edhe një statujë e vogël bronzi e bukur, e Poseidonit, e cila tashti gjendet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Këto dhe objekte të tjera tregojnë për lidhjet me detin dhe me Amantian, si dhe me qytetet e Gjirit të Vlorës.
Nga gërmimet në Antigone janë gjetur disa kishëza të periudhës së shekullit të VI p.e.s.
Një pjesë e tyre janë gjetje vendi, gjë që e tregojnë jo vetëm ngjyrat e zbuluara në sasi të konsiderueshme, por edhe vetë punishtet. Veglat tregojnë se ishin të zhvilluara dhe degë të tjera të zejtarisë si punimi i lëkurës, gdhendja e gurit, punimi i drurit, etj. Janë zbuluar dhe gati 500 monedha, pjesa më e madhe e të cilave janë nga Koinoinot e Epirotëve, kurse të tjerat i përkisnin Ambrakisë, Korkyrës, Maqedonisë, Dyrrahut, Apolonisë, Korinthit.
Referime
Redakto- ^ "Antigonea". Arkivuar nga origjinali më 17 prill 2016. Marrë më 6 nëntor 2010.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)