Aranit Çela
Aranit Çela (Vlorë, 1923 apo 1924 - 21 Tetor 2021) ishte ndër prokurorët dhe gjyqtarët më famëkeq të regjimit komunist. Për kontributin e tij në mbi 650 procese politike historianët e cilësojnë si Vishinski i komunizmit në Shqipëri[1].
Biografia
RedaktoU lind në Vlorë më 1923[2] apo 1924,[3] i biri i Hysenit dhe i Eminesë,[2] familja e tij e kishte origjinën nga Kanina. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare i vdes i ati, për të cilin në autobiografinë e tij të 1954 shkroi "ka qenë element alkoolik dhe shumë pak i lidhur me familjen... Familja ime ka vuajtur mjaft ekonomikisht. Kjo edhe për arsye, se sikurse thashë më lart, ka qenë element gjithë kohën sarhosh (alkoolik) dhe krejt i pakujdesshëm për familjen e vet."
Në vitet 1935-1942 ndoqi Institutin Tregtar të Vlorës. Me ardhjen e regjimit fashist, Aranit Çela ishte ndër fëmijët balila të cilët kaluan një muaj pushime në Itali (Pezaro) në verën e vitit 1939. Në 17 marsin 1941 kërkon pa sukses të punësohet në Zyrën e Regjistrimit të Gjendjes Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë të regjimit fashist. Në prill-maj 1942 Araniti qëndron në paraburgim iu gjetën në shtëpi disa trakte, por regjimi fashist tregohet zemërgjerë dhe e dënoi me kusht. Më 10 janar 1943 bëhet anëtar i PKSH-së në organizatën e Mallakastrës, por partizan del vetëm në nëntor të këtij viti. Në korrik 1944 bën pjesë në brigadën e 14-të komuniste, e më pas, deri në mars 1945, në divizionin e 3-të komunist.
Në mars 1945-shtator 1946, Aranit Çela është prokuror ushtarak në Shkodër, në qytetin ku zhvilloheshin përditë proceset më të tmerrshme politike të kohës. Më 1946-1948 vazhdon me këtë cilësi por në divizionin e Korçës. Më 1948-1949 është ndihmësprokuror i Prokurorisë Ushtarake. Në vitet 1949-1953 ndjek studime në fushën e drejtësisë në Bashkimin Sovjetik. Më 1953-1954 ishte nënkryetar i Degës së Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit. Më 1954-1955 prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Më 1955 – 1958 dhe 1966 – 1990 kryetar i Gjykatës së Lartë. Më 1958 – 1966 prokuror i përgjithshëm. Më 1958 – 1991 deputet i Kuvendit Popullor dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.[3]
Arrestohet më 3 nëntor 1993 dhe dënohet me akuzën "Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal."[2] Pavarësisht kësaj, doli nga burgu në ngjarjet e vitit 1997. Drejtësia që kishte përgatitur për atë ditë e shpalli të pafajshëm dhe urdhëroi dëmshpërblimin.[3]
Referime
Redakto- ^ "Vdekja e xhelatit Aranit Çela zgjon nostalgjikët...prokurori i komunizmit që firmosi qindra dënime me vdekje, por s'kërkoi kurrë falje". Shqiptarja.com. Marrë më 2023-12-18.
- ^ a b c Imaj, Afrim (21 janar 2009). "Gjyqi i Ramiz Alisë dhe byroistëve: ja pse u dënuan liderët komunistë: zbardhet dosja e procesit të bujshëm të fillimviteve '90". zemrashqiptare.net. Panorama. - Nr. 2363. fq. 18–19.
- ^ a b c Dervishi, Kastriot (9 maj 2018). "Aranit Çela, nga balil i fashizmit në kryexhelat komunist". 55news.al. Gazeta 55.