Arianët janë simpatizuesit e Priftit Ari (vdekur më 336) që jetoi në Aleksandri. Prifti Ari e kundërshtonte qenien e Krishtit të barabartë me Zotin. Arianizmi, lëvizje e me këtë pikë pamje, u djënua në koncilin e Nikesë325 dhe Kostadinopoja381.

ARIANIZMI Në qoftë se gnosticizmi ishte herezia klasike e shek. II, ndërsa monarhianizmi e shek. III, arianizmi ishte herezia e shek. IV. Pasi vala e persekutimeve e kishte vënë jetën e kishës në pozitë të çalë, Ari u emërua nga metropolitani i Egjiptit të sipërm shumë shpejt meshtar. Ai iu përkushtua punës më 318. Pas një kohe të shkurtër, ai u ballafaqua me peshkopin Aleksandër. Ari pohoi se vërtet vetë Ati ishte Perëndi ; Biri ishte thelbësisht i ndryshëm nga Ati. Ai nuk kishte nga natyra ose drejtësia ndonjërin nga cilësitë hyjnore të pavdekësisë, pavarësisë, urtësisë së përkryer, hyjninë dhe pastërtinë. Ai nuk ekzistonte përpara se të hyjnizohej nga Ati. Ati e krijoi atë si një qenie të prodhuar.

Tani, si krijues i pjesës tjetër të krijimit, «Biri ekzistonte jashtë kohës para të gjitha gjërave. Megjithatë, ai nuk e ndan ekzistencën e Perëndisë si Atë dhe nuk e njeh atë në mënyrë të përkryer.» Por Ari pranoi se Biri ishte «perëndi» nderi dhe se ishte i pamëkat dhe, në qoftë se jo nga natyra, në praktikë i pandryshueshëm. Për më tepër, sipas tij, Biri mori nga Ati mjaft urtësi dhe dritë që të aftësohej për t’ia shpallur Atin gjinisë njerëzore.

Problemi kyç që çoi në këtë gjendje ishte trupëzimi, të cilin ose ai ose njerëzit, të cilët mundohej t’i bindte nuk mund ta pranonin. Ose ai ishte gnostik ose dëgjuesit e tij. Ai donte ta bënte Logosin johyjnor, kështu që të mund të kombinohej me trup (të keq që nga lindja) pa ndonjë problem, kështu ai e uli Jezusin në pozitën e një qenie të përkryer ose një perëndie nderi. Ari donte të theksonte njerëzinë e vërtetë të Jezusit kundër pikëpamjes së Aleksandrit që i dukej e pamjaftueshme, sepse theksonte pandjeshmërinë e Perëndisë. Duke marrë parasysh sfondin filosofik platoniktë asaj kohe, e vetmja mënyrë për të bërë këtë, ishte ta ulte Jezusin në nivelin e një njeri të krijuar. Mjerisht, as Ari e as kundërshtarët e tij, nuk ishin në gjendje t’i iknin ndikimit të tyre filosofik. Sipas Arit, Jezusi ishte besimtari i parë i vërtetë që ne duhet ta imitojmë; Jezusi ishte njeri veprimi, e ky theksimi u pëlqeu gotëve. Si pasojë, edhe ata u bënë ithtarët e Arit. Më 321 peshkopët e Egjiptit dhe të Libisë në sinodin e Aleksandrisë shkishëruan Arin dhe një numër tjetër kleri, përfshirë dhe dy peshkopë.

Por kjo çështje nuk mori fund me kaq, sepse Ari kishte shokë që ishin ende në pozita të larta (Eusebi nga Cezareja dhe Eusebi nga Nikomedia). Rëndësia e kësaj pune, e cila kërcënoi kishën greke që të përçahej, e bëri Kostandinin që të thërriste më 325 Kuvendin e parë të Nikesë, të cilin ai e drejtoi personalisht, sepse ndihej personalisht përgjegjës për unitetin e krishterimit.

Në këtë kuvend mori pjesë edhe një numër i vogël i peshkopëve perëndimorë. Konfrontimi filloi midis Arit dhe Atanasit, ndërsa fitimtar doli Atanasi dhe ithtarët e tij. Ari dhe teoria e tij u dënua, ndërsa tre peshkopët e tjerë dolën të pastër. Kuvendi nxori më 325 kredon e njohur të Nikesë: «Krishti është Biri i Perëndisë, i lindur nga Ati, biri i vetëm, d.m.th. nga thelbi (ousia) i Atit: Perëndia nga Perëndia, Drita nga Drita, Perëndia i vërtetë nga Perëndia i vërtetë, i parëlindur, jo i krijuar, i një natyre me Atin.»

Ari u mërgua në Iliri ku themeloi klikën e tij ariane, e cila i infektoi vizigotët kur ata erdhën atje. Kjo tregon se si më vonë barbarët u bënë arianë. Por mosmarrëveshjet vazhduan ende, posaçërisht rreth fjalës «homo-ousios», e cili u bë kompromis për atë që ishte gjëja më e vogël e përbashkët, për disa shumë e ulët, për disa shumë e lartë. Megjithatë, kjo mbuloi mosmarrëveshjen themelore.

Kuvendi pohoi se Jezusi ishte «i një natyrë» (homo-ousios) me Atin. Njerëz të caktuar u pajtuan me deklaratën, të cilën ata e morën si të rëndësishme që Ati dhe Biri ishin një në një hyjni të vetme. Këta ishin: të gjithë perëndimorët dhe vetëm disa lindor (Aleksandri dhe Atanasi, ndihmësi i tij personal, Eustahi nga Antiokia dhe Marcelli nga Ankara). Të tjerët menduan se ky term nuk ishte zgjedhur mirë, sepse ishte çorientues. Kjo të linte përshtypjen sikur nënkuptonte se Jezusi ishte i njëjti person si Ati, kështu që ata adoptuan një shprehje tjetër «homoiousios!» (nga e njëjta bërthamë me Atin). Me këtë ata mendonin «shkalla më e lartë e përgjasimit, afër ngjashmërisë me thelbin, si një imazh i përkryer që i përngjan prototipit. Biri ishte si Ati në të gjitha pikëpamjet, përfshirë qenien e tij thelbësore (ousia).» Të tjerët kundërshtuan shprehjen «homo-ousios) sepse thonin se ajo ishte futur në teologjinë e krishterë nga gnostikët që besonin se fuqitë qiellore kishin të njëjtën plotësi hyjnore. Të tjerët nuk e donin atë sepse thonin se ajo e ndante hyjninë në dysh, sikur ajo të ishte një gjë materiale (si dy monedha të prera nga i njëjti metal). Grupi i tretë nuk u pajtua se Jezusi ishte plotësisht Perëndi dhe tha se ai ishte «heter-ousios» (nga një natyrë tjetër), ose madje «anomoios» (jo i ngjashëm me Atin). Prandaj u shfaqën tri grupe :

  • 1. Ortodoksët, për të cilët Biri ishte «homo-ousios». Ata u mbështetën nga Kisha Perëndimore dhe ishin shumë të ndikuar nga teologjia e Tertulianit.
  • 2. Gjysmë -arianët, për të cilët Biri ishte «homoi-ousios». Këta ishin pjesa më e madhe e Kishës Lindore, të cilët ishin ndikuar nga teologjia hierarkike e Origenit (Biri është një perëndi më i ulët që i nënshtrohet një Perëndie më të lartë).
  • 3. Arianët ekstremistë, për të cilët Biri ishte «heter-ousios», ose madje «anomoios». Këta ishin tërësisht nën ndikimin e Origenit. Debati rreth arianizmit shënoi thelbin e mospajtimit midis dy shkollave të ndryshme teologjike: ajo e Nikesë (e mbështetur nga shkolla e Antiokisë dhe Tertulianit) kundër Origenistëve. Shkolla e Nikesë mbështeti idenë e tre personave në një substancë. Antiokianët theksuan unitetin e hyjnisë, por ishin më pak të qartë rreth dallueshmërisë së Atit, Birit dhe Shpirtit të shenjtë. Ithtarët e Origenit besonin se kishte varësi brenda Trinisë, por Ari, ndryshe nga Origeni, nuk besoi se ishte e mundur të kishte hierarki brenda qenieve hyjnore.

Debati në Kuvendin e Nikesë e ndriçoi ndryshimin midis Lindjes dhe Perëndimit, sa i përket traditës teologjike dhe gjuhës. Shumë peshkopë lindorë i shikuan ata të Perëndimit si latinë naiv, të cilët nuk i kuptonin hollësitë e gjuhës greke.

Debati rreth arianizmit kaloi nëpër tri faza :

  • Faza e parë nën Kostandinin : kredoja e Nikesë është supreme. Jezusi është «homo-ousios».
  • Faza e dytë nën Kostandinin : arianët morën dorën e sipërme. Jezusi është «homoios» (si Ati).
  • Faza e tretë nën Teodosin : u bashkuan pro-nikeanët dhe gjysmë- arianët. Trinia është 3 «hypostaseis» në një «ousia».

Përgatitjet për fazën e dytë filluan ndërsa Kostandini (mbrojtësi i kredos së Nikesë) ishte ende gjallë. Eusebi nga Nikomedia u kthye nga mërgimi. Ai i kishte ofruar mikëpritje Arit ndërsa çështja e tij ishte në inspektim. Ai ia doli të rregullojë shpërndarjen e anëtarëve udhëheqës të partisë pronikene (Eustahun e Antiokisë, Atanasin e Aleksandrisë dhe Marcellin nga Ankara). Pushimi i fundit nga puna ndodhi më 336, në kohën kur Ari vdiq. Më 337 vdiq Kostandini. Perandoria u nda midis 3 djemve të tij: Kostandini II, sundoi në pjesën perëndimore; Kostandini I, sundoi në pjesën lindore; dhe Konstansi, sundoi Italinë dhe Afrikën Veriore. Më 340 Atanasi dhe Marceli u kthyen nga mërgimi dhe u pritën përzemërsisht në Romë nga peshkopi Juli. Lindja e kundërshtoi këtë duke parë Marcelin si një sabelian, kurse Perëndimi e shikonte Lindjen (nën udhëheqjen e Eusebit, tani të Kostandinopojës) si një grumbull arianësh. Më 342 ata u mblodhën në Kuvendin e Serdikës (Sofje), por nuk arritën të pajtohen dhe u ndanë në dy kampe kundërshtarësh. Pastaj, Lindja ra dakord që ta rikthente Atanasin, ndërsa Perëndimi hoqi Marcellin.

Pastaj ndodhi tronditja politike dhe lufta civile. Kostandini doli fitimtar dhe u bë sunduesi i vetëm. Mirëpo këshilltari i tij shpirtëror ishte Valensi nga Mursa (Osijek), i cili ishte një arian. Kostandini donte harmoni me çdo kusht, madje edhe me çmimin e teologjisë së Nikesë. Prandaj ai shtrëngoi peshkopët Perëndimorë që ta dënonin «ekstremistin e bezdisshëm» Atanasi. Të dy peshkopatat, e Aleksandrisë dhe Antiokisë, ranë në duart e ekstremistëve arianë. Në Kuvendin e Riminit dhe të Seleukës, Kostandini i bindi të gjithë që të pranonin se Biri ishte «i ngjashëm me Atin» (homoios), duke e lënë jashtë fjalën e bezdisshme «ousia». Të dy kuvendet, (të cilët u mbajtën në të njëjtën kohë) i dominuan peshkopët me prirje ariane, Valensi (Perëndim), Eudoksi (Kostandinopojë) dhe Gjergji (Aleksandri). Gjatë gjithë këtyre ngjarjeve, më i shqetësuari ishte Basili nga Ankira. Ai ishte nikean i matur që llogariti se Gjergji dhe Eudoksi ishin njerëz të pashpirtshëm, qëllimi i të cilëve ishte që ta përçanin kishën. Ai u pajtua me Atanasin, por të dy u nevojit të prisnin 20 vjet para se të mund ta gjenin në Lindje një perandor që ishte simpatik për ta.

Kostandini vdiq më 361. Atë e zëvendësoi Julian Apostata. Shërbimi i tij ishte tolerimi i secilit, përfshirë dhe joarianët. Më 362 Atanasi thirri sinodin në Aleksandri, në të cilin u arrit përparim rreth restaurimit të terminologjisë nikeane. Ai arriti t’i bind pjesëmarrësit se 3 «hypostaseis» nuk do të thotë 3 perëndi dhe as që 1 «ousia» sugjeron sabelianizmin. Vetëm kur erdhi në Lindje në fuqi perandori Teodosi (në Perëndim ishte Gracian) u këmbëngul që me çdo kusht të kthehet formula e Nikesë. Për fat të mirë, puna themelore intelektuale ishte bërë deri më atë kohë nëpërmjet bashkëveprimit të faktorëve si vijon :

  • a) Basili nga Ankyra arriti të bashkojë gjysmëarianët dhe besimtarët e vërtetë, duke e zgjeruar kështu marrëveshjen e arritur më herët me Atanasin – ata ishin vërtet në të njëjtën anë; të dy u pajtuan me kredon e Nikesë, ndërsa përdorimi i fjalëve të ndryshme të zgjedhura (homo-ousios dhe homoi-ousios) përmbante mënyrën e ndryshme të qëndrimit ndaj të njëjtës gjë.
  • b) Arianët dhe gjysmë-arianët nuk u pajtuan ashtu-kështu. Kjo, fatkeqësisht, u bë e qartë në Kuvendin e Sirmiumit (sot: Mitrovica e Sremit) më 357.
  • c) Etërit Kapadocianë (Basili nga Cezareja në Kapadoki, Gregori nga Nazianzi dhe Gregori nga Nisa) e zunë vendin e Atanasit dhe e shprehën ndryshe botëkuptimin e tij, duke thënë se Trinia përbëhet nga tre persona hyjnor (hypostaseis) në një esencë hyjnore (ousia).

Më 381 në Kuvendin II të Kostandinopojës u dënua arianizmi, kurse u mbështet teologjia nikeane.