Arkivi i Shtetit Shqiptar
41°20′8″N 19°48′46″E / 41.33556°N 19.81278°EArkivi i Shtetit Shqiptar është institucioni më i rëndësishëm arkivor në shkallë kombëtare ku grumbullohen, ruhen, përpunohen dhe shërbehen dokumentet kryesore, që dëshmojnë për historinë e kombit dhe të shtetit shqiptar. Historia e Arkivave në Shqipëri është e lidhur me historinë e Kombit dhe të shtetit shqiptar, dhe është rezultat i proceseve dhe i fazave të zhvillimit të tyre. Fillimet e veprimtarisë arkivore datojnë që nga antikiteti, kur në bibliotekat që ekzistonin në shtetet ilire, krahas librave, ruheshin edhe dokumente. Dokumenti i parë që bën fjalë për përpjekjet për krijimin e një Arkivi Qendror Historik, është vendimi i datës 2.1.1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi. Arkivi i Shtetit u krijua si sektor në varësi të Institutit të Studimeve në vitin 1947. Me urdhëresën e Këshillit të Ministrave nr. 21, datë 8.6.1949 (AQSH i RSH, F. 890, V. 1949, D. 501) Arkivi i Shtetit doli si institucion i pavarur. Në vitin 1951, Arkivi i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në vitin 1962. Po këtë vit u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, në varësi të Këshillit të Ministrave (AQSH i RSH, F. 890, V. 1960, D. 27).
Më 19/06/1984 për herë të parë Kuvendi i Shqipërisë aprovoi ligjin nr 6893 "Për fondin arkivor të shtetit dhe për arkivat". Mbas ndryshimit të sistemit politik, në korrik 1994 Kuvendi pluralist i Republikës së Shqipërisë në mbështetje të nenit 16 të ligjit 7491, datë 24/04/1991 "Për dispozitat kryesore kushtetuese" me propozim të Këshillit të Ministrave, miratoi ligjin "Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat" .
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, dhe me propozimin të Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi Ligjin 9154, datë 06/11/2003 "Për Arkivat". Dokumentet që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë dhe në A. Sh. Vendore në qarqe janë gjithëpërfshirës në prejardhje, lloj, material bazë, vend e kohë krijimi dhe në informacionin që ato përmbajnë.
Dokumenti i parë datohet në shekulli VI.
Historiku
RedaktoKy artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Fillimet e veprimtarisë arkivore në Shqipëri datojnë që nga antikiteti. Historia dëshmon se në bibliotekat që ekzistonin në shtetet ilire, në pricipatat feudale shqiptare, në shtetin e Skënderbeut, në shoqëritë patriotike e kulturore, në institucionet fetare, në firmat tregtare, në esnafët, në familje dhe individë të veçantë, krahas librave ruheshin edhe dokumente.
Zhvillimet politike e shoqërore në hapsirat shqiptare dhe më gjerë, u shoqëruan me dukuri të reja edhe për arkivat dhe dokumentet. Në përgjithësi arkivat konceptoheshin si bibliotekë-arkiva dhe kujdesi për dokumentet vinte në rritje.
Shpallja e Pavarësisë, më 1912 dhe krijimi i Shtetit të Pavarur Shqiptar, krijoi kushte edhe për organizimin e punës për kujdes më të madh për dokumentet. Për herë të parë në histori vlerësimi i dokumenteve dhe administrimi e ruajtja e tyre gjen pasqyrim në aktin më të lartë normativ të shtetit. Në kanunin e Përkohshëm të Qeverisë së Vlorës, u sanksionua veprimtaria e njësive të posaçme strukturore në organet e administratës shtetërore, për punën me dokumentet.
Në të gjitha aktet ligjore e nënligjore, në vazhdimësi, për krijimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore përfshiheshin detyra edhe për administrimin dhe për ruajtjen e dokumenteve.
Krahas këtyre masave nuk reshtën dhe përpjekjet për krijim e një arkivi qëndror, ku do të përqëndroheshin dokumentet më të rëndësishëm për historinë kombëtare.
Dokumenti i parë që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, që bën fjalë për përpjekjet drejt krijimit të një Arkivi Qendror, është vendimi i datës 02.01.1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi. Në këtë projekt-rregullore, parashikohej edhe krijimi i Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit.
Moment i rëndësishëm për historinë e arkivave shqiptare është projekt-ligji i vitit 1932 “Per krijimin e Arkivës së Përgjithshme të Shtetit dhe të Kronikës Historike”, në nenin 1 të të cilit përcaktohej: “Krijohet në kryeqytet një Arkivë e Përgjithshme e Shtetit , për me përmblesh e ruajtë gjithë dokumentet zyrtare”. Megjithëse projekt-ligji nuk u zbatua, ai i dha një nxitje zhvillimit të veprimtarisë arkivore.
Lufta e Dytë Botërore, ngadalësoi nismat e marra nga organet shtetërore për arkivat dhe ata deri në përfundim të saj mbetëtn në nivelin e sekretari-arkivave, si njësi strukturore të institucioneve, që ndiqnin dhe përgjigjeshin vetëm për administrimin e dokumenteve të tyre. Megjithatë në sajë të veprimtarisë së tyre, u bë e mundur që të ruhen e të trashëgohen sasi të vlerësueshme dokumentesh me shtrirje pothuajse gjithëpërfshirëse subjektesh, kohore, hapsinore dhe në përmbajtje.
Përpjekjet për krijim e një arkivi qendror vazhduan edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1947, pranë Institutit të Studimeve u krijua “Arkivi Dokumentar i Institutit”. Ai grumbulloi një sasi të konsiderueshme dokumentesh historikë që ruheshin në organet shtetërorë apo individë të veçantë, duke marrë kështu dhe atributet e një Arkivi Qëndror, por jo me të gjitha karakteristikat e një organi të tillë.
Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), u krijua si organ qëndror, megjithëse në varësi të Institutit të Studimeve, me urdhëresën e Këshillit të Ministrave nr 21 datë 08.06.1949.
Krijimi i tij shënon një moment kulmor për historinë e arkivave shqiptare.
Për herë të parë, krahas arkivave të organeve shtetërore, filloi funksionimi i një organi të mirëfilltë arkivor me shtrirje gjithështetërore. Në vitin 1951, Arkivi Qendror i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, varësi të cilën e ruajti deri në vitin 1962, kur u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit (sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave) , në varësi të Këshillit të Ministrave. Krahas të qenit organ qëndror, kjo Drejtori kishte dhe ka edhe atributet e Arkivit Qendror Shtetëror, si arkivi më i rëndësishëm dhe më i pasur i rrjetit arkivor të vendit.