Bakteriologjia
Bakteriologjia është studimi mbi bakteret. Kjo nëndarje e mikrobiologjisë përfshin identifikimin, klasifikimin, dhe karakterizimin e specieve bakteriale [1]. Një person i cili studion bakteriologji është një bakteriolog.
Bakteret
Redakto- Artikulli kryesor: Bakteret
Bakteret dhe algat blu të gjelbërta janë qeliza prokariote. Ato, për dallim prej eukarioteve, nuk kanë bërthamë. Materiali i tyre gjenetik është i përqëndruar në një zonë të citoplazmës që quhet nukleoid. Qelizat prokariote nuk kanë as organele citoplazmike qelizore- siç janë mitokondriet dhe lizosomet, të cilat gjinden tek eukariotet. Ndërkaq, një përbërës strukturor që e kanë prokariotet dhe mungon te eukariotet është muri qelizor, që iu mundëson baktereve t’i rezistojnë stresit osmotik. Muri qelizor dallon te bakteret e ndryshme dhe shërben si element për ndarjen e tyre në dy grupe të mëdha – bakteret Gram-pozitive dhe Gram-negative. Prania e murit qelizor, që nuk haset te qelizat shtazore, rezulton në dallimin në ndjeshmërinë e qelizave eukariote dhe prokariote ndaj antibiotikëve. Prokariotet dhe eukariotet, po ashtu dallohen edhe në disa veçori të tjera metabolike. Kjo vlen sidomos për metabolizimin e tyre të energjisë, ku shumë shtame bakterore mund të adaptohen në kushte anaerobe. Në këtë seksion, do të shqyrtohen strukturat e qelizës tipike bakterore dhe mënyrat me të cilën ato e shfrytëzojnë energjinë nga molekulat komplekse organike. Aspektet e ndryshme të strukturës dhe metabolizmit bakteror shërbejnë si bazë për identifikimin dhe taksonominë e baktereve. Bakteret vazhdimisht i nënshtrohen ndryshimeve mutagjene. Mjedisi jetësor ushtron presion të fuqishëm selektiv tek bakteret . Prandaj, ato evoluojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe rapide. Njëkohësisht, ato shkëmbejnë informatat gjenetike, zakonisht ndërmjet anëtarëve të llojit të njejtë, por nganjëherë edhe ndërmjet anëtarëve të llojeve të ndryshme. Në vazhdim do të njiheni se si ndodhin këto procese. Bakteret mund të kenë edhe virusë që parazitojnë në to dhe quhen bakteriofagë. Ato janë parazitë obligativë brendaqelizorë që shumëzohen në brendi të baktereve, duke shfrytëzuar një pjesë apo tërë makinerinë biosintetike të strehuesit. Këto virusë mund të shkaktojnë bizen e qelizës bakterore duke liruar thërmiza të reja të fagut infektues. Në vazhdim, po ashtu, do të jepen raportet ndërmjet baktereve dhe bakteriofagjeve. Në fund, para se të hulumtohen shumë sëmundje humane që shkaktohen nga bakteret, do të jepet edhe një pasqyrë e përgjithshme e patogjenezës bakterore- si e dëmtojnë bakteret organizmin strehues.Bakteret e vërteta (ku përfshihen të gjitha bakteret që infektojnë njeriun) janë anëtarë të të njejtës mbretëri të gjallesave - eubacteria, bacteria. Një grup tjetër mikroorganizmash që shpesh hasen në mjedise ekstreme jetësore formojnë mbretërinë tjetër - archaebacteria, Archaea. Në aspektin morfologjik, të dy mbretëritë e këtyre mikroorganizmave kanë ngjashmëri mes vete( sidomos kur iu mungon bërthama), prandaj ato së bashku grupohen si prokariotë. Megjithatë, ato kanë dallime të dukshme në aspektin biokimik. Shumica e archaea jetojnë në mjedise tipike, siç janë burimet e nxehta sulfurike, ku mbretëron temperaturë mbi 80 °C dhe pH=2. Këto mikroorganizma quhen termoacidofile. Të tjerat jetojnë në mjedise që përmbajnë metan (metanogjenet) ose përqëndrime të larta të kripës (halofilet ekstreme).
Struktura Bakterore
RedaktoEdhepse nuk janë kompekse sikur eukariotet, te prokariotet mund të definohen disa struktura përbërëse eubakterore. Këto struktura nuk i posedojnë të gjitha bakteret.
- Plazmidet
Janë segmente të ADN-së që ndodhen jashtë kromozomeve, të pranishme në shumë kopje dhe shpesh kodojnë faktorët e patogjenezës dhe ato të rezistencës antimikrobike. Disa forma, po ashtu janë të përfshira në shumëzimin e baktereve.
- Mbështjellësi qelizor
Bakteret mund të ndahen në dy grupe duke u bazuar në ngjyrosjen sipas Gramit. Bakteret Gram pozitive e mbajnë ngjyrën e kristal violetit pas shpërlarjes me ujë, kurse ato Gram negative nuk e mbajnë atë pas shpërlarjes. Të gjitha bakteret kanë membranë qelizore në të cilën bëhet fosforilimi oksidativ (pasi që nuk kanë mitokondrie). Jashtë membranës qelizore ndodhet muri qelizor, që përbën një formacion rigjid dhe e mbron qelizën nga liza osmotike. Bakteret gram pozitive kanë mur qelizor shumë më të trashë sesa ato Gram negative. Bakteret Gram negative kanë edhe një membranë të jashtme shtesë. Membrana e jashtme është bariera kryesore e permeabilitetit te bakteret Gram negative. Hapësira ndërmjet membranës së jashtme dhe asaj të brendshme quhet hapësira periplazmike. Bakteret Gram negative i deponojnë enzimet e tyre zbërthyese në hapësirën periplazmike. Bakteret Gram pozitive nuk kanë hapësirë periplazmike; ato sekretojnë ekzoenzime dhe bëjnë digjestimin jashtëqelizor. Digjestimi është i nevojshëm, pasi që molekulat e mëdha nuk mund të kalojnë rregullisht nëpër membranën e jashtme (nëse është prezente) ose nëpër membranën qelizore.
- Bakteret pa mur qelizor
Nëse bakteret trajtohen me 1) enzime që shkaktojnë lizë të murit qelizor ose 2) me antibiotikë që interferojnë me biosintezën e peptidoglikanit, atëherë shpesh mund të krijohen baktere pa mur qelizor. Zakonisht këto trajtime rezultojnë në krijimin e mikroorganizmave të paqëndrueshëm. Bakteret pa mur qelizor që nuk mund të shumëzohen quhen sferoplaste (nëse kanë membranë të jashtme) ose proptoplaste (nëse nuk është prezente membrana e jashtme). Nganjëherë këto baktere mund edhe të shumëzohen (format L).
- Flagjela
Disa lloje bakteresh janë të lëvizshme dhe kanë organele të lëvizjes – flagjela. Ato janë të afta ta shijojnë mjedisin e tyre jetësor dhe të përgjigjen ndaj substancave kimike ushqyese ose materieve helmuese duke lëvizur drejt tyre apo larg nga to (kemotaksa). Flagjelat janë të fiksuara në membranën qelizore, zgjaten nëpër mbështjellës qelizor dhe shtrihen si varg i gjatë. Flagjela përbëhet nga një numër proteinash, përfshirë edhe flagjelinën. Ato e lëvizin qelizën përmes rrotacionit me lëvizje sikur helikë. Filamentet aksiale te spiroketat kanë funksion të ngjashëm sikurse flagjelet. Proteinat lidhëse në hapësirën periplazmike ose membranën qelizore i lidhin burimet e ushqimit (siç janë sheqernat dhe aminoacidet) duke shkaktuar metilimin e proteinave të tjera të membranës qelizore të cilat ndikojnë në lëvizjen e qelizës me flagjela. Permeazat janë proteina që pastaj i transportojnë këto ushqime nëpër membranën qelizore. Energjia dhe burimet e karbonit mund të deponohen sipas nevojës në “granulat deponuese” të citoplazmës që përmbajnë glikogjen, polihidroksibutirat ose polifosfate.
- Piliet (sinonim: fimbriet)
Llojet e pilieve dallohen mes shtameve të ndryshme bakterore. Ato janë projeksione qelizore në formë të fijeve të flokut (Figura 5). Disa janë të përfshira në konjugimin seksual dhe të tjerat mundësojnë ngjitjen në sipërfaqet epiteliale të strehuesit gjatë procesit infektiv.
- Kapsulat dhe shtresat jargëzuese
Këto janë struktura që e rrethojnë nga jashtë membranën qelizore. Nëse janë qartë të definuara atëherë quhen kapsula, e nëse jo - emërtohen si shtresë jargëzuese apo glikokaliks. Ato zakonisht përbëhen nga polisakaridet. Mirëpo, te disa bacile ato janë të përbëra nga polipeptidet (acidi poliglutaminik). Ato nuk kanë rol qenësor në jetesën e qelizës dhe brenda të njejtit lloj, disa shtame mund të prodhojnë kapsulë, kurse të tjerat jo. Kapsulat e baktereve patogjene i pengojnë fagocitet gjatë gëlltitjes dhe shkatërrimit të baktereve. Kapsulat shpesh humbin gjatë kultivimit in vitro.
- Endosporet (sporet)
Janë forma të fjetura të qelizës bakterore që prodhohen nga disa lloje bakteresh gjatë kushteve të pavolitshme jetësore; forma aktive e rritur e qelizës quhet formë vegjetative. Sporet janë rezistente ndaj shumë kushteve të pavolitshme (përfshirë temperaturat e larta dhe tretësit organikë). Citoplazma e sporeve është e dehidruar dhe përmban kalcium dipikolinat (acidi dipikolinik), që është përgjegjës për rezistencën e spores ndaj nxehtësisë. Sporet më së shpeshti hasen te gjinitë Bacillus dhe Clostridium.
Shiko edhe
RedaktoBurimi
Redakto- ^ Wassenaar, T. M. "Bacteriology: the study of bacteria" (në anglisht). www.mmgc.eu. Arkivuar nga origjinali më 24 korrik 2011. Marrë më 18 qershor 2011.
Lidhje të jashtme
Redaktohttps://web.archive.org/web/20081224220248/http://pathmicro.med.sc.edu/Albanian/bact-alb.htm